Një rrjet kompanish shqiptare e ndërkombëtare me emra të ngjashëm dhe megjithëse jetëshkurtra në treg, kanë një historik relativisht të pasur ndryshimesh në drejtim-administrim e transferta shit-blerje aksionesh.
Emrat që lidhin të gjitha kompanitë e tjera janë Klodian Zoto dhe Ilir Dedja. Zoto herë del me lidhje të forta me kompanitë që zotërojnë inceneratorët në Elbasan e Fier dhe herë del si pronar e drejtues i kompanisë që zotëron kompanitë që kanë fituar koncesionet e inceneratorëve, si në rastin e inceneratorit të Tiranës. Megjithatë, ka akuza dhe dyshime se pas Zotos qëndron në të vërtetë Ilir Dedja.
Për të shtjelluar fillin më parë duhet të sqarojmë se cilat janë kompanitë që zotërojnë tre koncesionet e inceneratorëve, duke u përgjigjur pyetje kur dhe nga kush janë themeluar dhe kush i zotëron aktualisht.
Inceneratori i Tiranës – Iu dha me koncesion kompanisë “Integrated Energy B.V S.P.V” pas ofertës prej 128 mln eurosh më 31 gusht 2017. Gazeta “Si” hulumtoi të dhënat e vetëdeklaruara nga kompania në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve dhe tek kontrata koncesionare e fituar në 2017. Sipas këtyre të dhënave, kompania në fjalë, e ngritur me statusin e “subjektit për qëllime të veçanta” zotërohet 100 për qind nga kompania “Integrated Energy B.V”. Vetë kjo e fundit, sipas dokumentacionit të dorëzuar në kontratën koncesionare, rezulton e regjistruar në Holandë me drejtues Klodian Zoton dhe një shtetas holandez.
Këto të dhëna dalin edhe nga një vendim i asamblesë së ortakëve, mbajtur më 6 janar 2018, ku vendoset për ndryshimin e adresës së degës shqiptare të kompanisë dhe hapja zyrtare e aktivitetit në landfillin e Sharrës.
Administrator i degës shqiptare të kompanisë holandeze është shtetasi italian, Giuseppe Ciaffaglione, lindur më 24 prill 1968 në Sirakuza të Italisë dhe banues në Tiranë. Në prill të 2019, asambleja i ngushton kompetencat administratorit italian, që pas kësaj periudhe përfaqëson kompaninë vetëm për çështjet teknike, ndërsa çështjet e administrimit të biznesit, veprimtarive financiare, bankare e ligjore i besohen administratores së re, Arjola Kodra.
Inceneratori i Elbasanit – Është përfituar si koncesion nga kompania “Albtek Energy” më 12 dhjetor 2014, për 2.1 mln euro. Kompania është themeluar më 10 korrik të 2014 nga shtetasja Stela Gugallja. Por, lidhja e saj me Ilir Dedjan dhe Klodian Zoton është një tjetër kompani. Bëhet fjalë për kompaninë C.G.C, themeluar më 28 tetor 2013 nga Stela Gugallja. Në shkurt të 2017, Stela Gugallja emëron si administrator të kësaj kompanie shtetasin Mirel Mërtiri. Duke zëvendësuar shtetasin Loran Dusha.
Në korrik të 2018, Stela Gugallja vendos shitjen e kompanisë tek shtetasi Ilir Dedja, duke ndryshuar edhe statusin e kësaj kompanie nga “shqiptare 100 për qind” në “e huaj 100 për qind”, që do të thotë se Ilir Dedja është shtetas me pasaportë joshqiptare.
Në tetor të 2019, Ilir Dedja shet 70 për qind të aksioneve të veta në këtë kompani tek kompania “Integrated Technology Services”. Nga të dhënat e QKR-së, kompania “Integrated Technology Services” rezulton e themeluar në nëntor të 2010 me pronar 100 për qind të aksioneve Klodian Zoton.
Inceneratori i Fierit – Ky koncesion i është besuar kompanisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” e themeluar në tetor të 2016-ës. Kompania zotërohej fillimisht nga “Integrated Energy Services”, me 80 për qind dhe dhe kompania italiane “Energy 2”, me 20 për qind të aksioneve.
Kompania e sapokrijuar, ku kriteri i përvojës plotësohej nga kompania italiane “Energy 2”, fitoi garën në tenderin për inceneratorin e Fierit më 24 tetor, pra rreth 20 ditë më vonë, me një vlerë rreth 28 milionë euro. Çuditërisht, një javë pasi fitoi këtë tender, që do t’i siguronte miliona euro të ardhura, “Energy 2” vendos shitjen e 20 për qind të aksioneve të saj tek kompania “Ndërtim Montim Patos” dhe ka dyshime se i gjithë transaksioni është bërë për një shifër qesharake. Nga ana e saj, “Ndërtim Montim Patos” blen edhe 10 për qind nga aksionet e kompanisë “Integrated Energy Services” duke zotëruar 30 për qind në total.
Në gusht të 2017-ës administrator i kompanisë vendoset shtetasi Loran Dusha, i larguar në shkurt të atij viti nga posti i administratorit në kompaninë “C.G.C” të themeluar nga Stela Gugallja, e më pas të blerë 100 për qind nga Ilir Dedja, që nga ana e tij i shiti 70 për qind të aksioneve kompanisë “Integrated Energy Services” të Klodian Zotos.
Padia në SPAK
Të gjitha këto fije që lidhen tre koncesionet në fjalë prej kohësh kanë ngritur dyshime se pas këtij projekti qëndron një dorë e vetme. Për këto arsye, në SPAK u dorëzua një padi nga ana e nismës “Thurje”.
“Grupi që sot po administron gjithë veprimtarinë e ndertimit dhe operimit të inceneratorëve me skema të partnertetit publik-privat që eshtë inceneratori i Elbasanit, inceneratori i Fierit dhe ai i Tiranës, lidhen me njëri tjetrin nëpërmjet kompanive të krijuara jashtë vendit”, thanë përfaqësuesit e Nismës “Thurje” pas dorëzimit të padisë.
Si shembull, në padi sillet rasti i inceneratorit të Fierit. Dyshimet për prishje gare dhe shkelje të barazisë në tendera ngrihen pasi kompania italiane, “Energy 2 s.r.l” ka shitur aksionet e veta tek kompania koncesionare dhe ka dalë nga pronësia në të. Pas kësaj, pronari i kompanisë italiane “Energy 2 s.r.l”, Ernesto Graneli, nëpërmjet një kompanie tjetër, “Energy Recuperator”, e regjistruar në QKR si degë e një kompanie të huaj, ka lidhur një kontratë për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, me kompaninë koncesionare “Integrated Technology Services” për një vlerë prej 15 milionë Euro.
“Kjo krijon dyshimin që kompania Energy 2 s.r.l është përfshirë fillimisht në mënyrë fiktive si pjesë e kompanisë koncesionare vetëm sa për të plotësuar kriterin teknik të domosdoshëm për koncesionit kompania “Integrated Technology Services” me pronar dhe administrator Klodian Zoto dhe më pas ka dalë nga bashkimi dhe ka lidhur një kontratë për ndërtimin e inceneratorit, si kompani e jashtme. Në një situatë logjike, duke qënë se Energy 2 s.r.l i plotësonte të gjitha kriteret, ajo mund të futej e vetme në garë dhe ta fitonte vetë koncesionin e ndërtimit të inceneratorit, pasi vlera me të cilën ajo do të ndërtonte inceneratorin (15 milionë Euro) ishte rreth 55 për qind e vlerës që kërkonte bashkimi i saj me “Integrated Technology Services” dhe që u lidh në kontratë (28 milion Euro)”, thuhet në padinë e dorëzuar në SPAK.
Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Ilir Dedja
Tre emrat e mësipërm nuk i lidh bashkë vetëm përfshirja e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë në biznesin e inceneratorëve në Shqipëri, por edhe shteti afrikan i Zimbabves. Dy vite më parë, në media u raportua lajmi se Klodian Zoto ka pasur një çështje të hapur nga Prokuroria e Zimbabves për një ofertë të paraqitur në lidhje me ndërtimin e një inceneratori, ku sipas padisë së dorëzuar së fundmi në SPAK mund të ketë qenë e njëjta skemë përfitimi që është përdorur edhe në rastin e Shqipërisë.
Ndërkohë, për Ilir Dedjan mediat kanë raportuar se është shpallur në kërkim nga prokuroria e Zimbabves ku përfshihej edhe ministri i Shëndetësisë i shtetit afrikan, që u arrestua më 19 qershor. Nga raportimi i mediave online, Ilir Dedja kishte shitur përmes një kompanie të regjistruar në Zvicër maska dhe mjete të tjera anti-Covid19 me një çmim 10 herë më të lartë.
Në Shqipëri, mediat thanë se Ilir Dedja dhe Mirel Mërtiri janë i njëjti person, me dy identitete të ndryshme. Në lidhje me këto pretendime qarkulloi një reagim i Mirel Mërtirit, që deklaronte se nuk ishte ai Ilir Dedja. Ai e pranonte se në një foto të publikuar nga mediat e Zimbabves ishte ai personi në foto, por thotë se fotoja është e vjetër dhe se ai nuk ka lidhje me Ilir Dedjan.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai nuk e njeh Ilir Dedjan, të cilin siç gazeta “Si” solli në shkurtimin e përshkrimit të aktivitetit të kompanive të inceneratorëve në Shqipëri e ka patur dhe e ka ende punëdhënës tek kompania C.G.C.
Gjithashtu, së fundmi janë hedhur dyshime se emrat e Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljas janë përfolur edhe si themelues dhe drejtues të një kompanie të regjistruar në Bullgari. /Gazeta SI