Kosova, një betejë e (pa)fituar

Nga Erl Kodra

Edi Rama mund të jetë një burrë “elegant, artist, improvizues dhe orator” i mirë, por kurrësesi nuk është një politikan që mundet, di dhe dështiron t’i dalë për zot interesave kombëtare. Përkundrazi, ai e di mirë se çfarë dhe ku ka shkelur, në çfarë aferash dhe cilën lugë me çorbë të prishur ka gëlltitur. Historia e re, sidomos kjo e sotmja dokumentohet lehtë, ajo lë gjurmë të mjaftueshme kudo që shkon dhe në çfarëdo gjëje që prek me dorë. Dhe Kosova është gjë e madhe për ne shqiptarët. Më e madhja që kemi; sepse ne nuk kemi atdhe tjetër që mund t’a blejmë ose t’a shesim këtë që kemi//.

– Sprovë –

Teoria e fuqisë së balancuar në marrëdheniet ndërkombëtare sugjeron që shtetet mund të sigurojnë mbijetesën e tyre, duke parandaluar cilindo shtet të fitojë fuqi ushtarake, e mjaftueshme për të dominuar shtetet e tjera.

Serbia ka qenë dhe mbetet një shtet armik i shqiptarëve në Ballkan, që ka zbatuar një politikë të hapur gjenocidiale kundër kombit shqiptar që prej mesjetës së herëshme. Kombi serb e ka ndërtuar ekzistencën e tij në ekspansion dhe zgjerim territoresh nëpërmjet krimeve gjenocidiale, vrasjes masive dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare. Fundi i viteve 2000 shënon plojën më të madhe në historinë moderne të krimeve serbe kundër kombit shqiptar. Pjesa tjetër është histori.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i prinë fushatës më të madhe ushtarake të NATO-s kundër shtetit serb. Rrallë në histori mund të ketë patur ndonjë luftë më të drejtë se sa Lufta e Kosovës. Në të vërtetë beteja ushtarake u fitua, por jo edhe beteja diplomatike. Për momentin, duket sikur Serbia është në avantazh diplomatik (dhe jo vetëm) por lufta nuk ka përfunduar akoma. Ajo do të përfundojë vetëm kur Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Historia e Kosovës është në zhvillim të vazhdueshëm, por që mbartë në vetvete kompleksitetin më të madh dhe sfidën më të jashtëzakonshme. Historia e Kosovës është histori gjenocidi, dhune dhe shfarosje sistematike nga popullsia e saj, ajo është histori politike e përmasave planetare, por gjithashtu ajo është edhe histori ushtarake e betejës më të madhe dhe të drejtë që ka ndodhur në kohët moderne; dhe së fundi, Kosova është edhe një fushbetejë e diplomacisë dhe e të drejtës zakonore ndërkombëtare. Asnjë rajon i botës nuk ka histori më të begatë, si të atillë, e ndërkombëtarizuar dhe e mediatizuar si ajo e Kosovës. Në këtë kuptim, Kosova mbetet një arenë e lojrave diplomatike dhe ligjit ndërkombëtar, ku lojtarët më të dobët, për fat të keq vazhdojmë të mbetemi ne, shqiptarët.

Me sa duket, ne shqiptarët ngjasojmë shumë me dashnorët naiv të lirisë së dhuruar, por që nuk dimë të punojmë me durim dhe zgjuarsi. Ne e kemi marrë të mirëqena faktet e ndodhura, por, nuk kemi arritur të kuptojmë se diplomacia dhe ligji ndërkombëtar janë unitete komplekse, të ndërthurura dhe të ndërfutura brenda njëra tjetrës. Koha e humbur me cicmice provinciale kur kemi qenë në avantazh politik, duket se është gati e parikuperueshme. Sepse, në vend të betejës së vertetë, ne kemi bërë betejën tonë të vogël, për pak pushtet më shumë. Ngjashëm, siç e bëri Enver Hoxha që prej vitit 1943 e në vazhdim me “armiqtë e brendshëm” të Shqipërisë. Në një kohë që armiku i vertetë, shteti armik i Serbisë projektonte zhdukjen, shfarosjen dhe mundësisht zhbërjen përfundimtare të shtetit të shqiptarëve.

LEXO EDHE  VIDEO/ Protestat në Serbi, djali i artistit mes lotësh: Babi kjo është për ty, sepse vdiqe nga mungesa e respiratorëve!

Shqipëria i ka patur të gjitha mundësitë për të paditur shtetin e Serbisë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krime gjenocidi kundër kombit shqiptar. Shteti shqiptar i ka patur burimet njerëzore dhe diplomatike që të fillonte një proces të tillë, me akuza të dokumentuara nga qindra mijëra burime të ndryshme, të brendshme dhe ndërkombëtare. Empatia e opinionit publik ndërkombëtar ndaj shqiptarëve ka qenë një avantazh i pakrahasueshëm diplomatik që ne nuk e shfrytëzuam kurrë, ndërkohë që konjukturat në planin global po ndryshonin me shpejtësi. Vitet e fundit ne jemi zënë sistematikisht në befasi nga diplomacia serbe dhe ruse, duke u dhuruar avantazhe të pamerituara; ne shpesh herë jemi zënë në situata të padinjitetshme dhe megollamane me deklerata boshe të një nacionalizmi folklorik.

Çdo veprim dhe akt i shtetit shqiptar ka qenë qesharak, fyes dhe denigrues për një komb dhe shtet serioz. Kryediplomati ynë qumështor mundet të jetë shumë i lexuar, por aspak i denjë dhe i ditur, sa për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shqiptarëve. Po ashtu, përçarja proverbiale e kombit andej e këndej kufirit për pak pushtet politik dhe ca dollarë më shumë, i ka dhënë goditjen më të madhe, ndoshta të barabartë me luftën e pandërprerë diplomatike të shtetit të Serbisë kundër nesh.

Edi Rama mund të jetë një burrë “elegant, artist, improvizues dhe orator” i mirë, por kurrësesi nuk është një politikan që mundet, di dhe dështiron t’i dalë për zot interesave kombëtare. Përkundrazi, ai e di mirë se çfarë dhe ku ka shkelur, në çfarë aferash dhe cilën lugë me çorbë të prishur ka gëlltitur. Historia e re, sidomos kjo e sotmja dokumentohet lehtë, ajo lë gjurmë të mjaftueshme kudo që shkon dhe në çfarëdo gjëje që prek me dorë. Dhe Kosova është gjë e madhe për ne shqiptarët. Më e madhja që kemi; sepse ne nuk kemi atdhe tjetër që mund t’a blejmë ose t’a shesim.

Ajo çfarë ndodhi këto ditë mund të mos deshifrohet lehtë, vetëm e di se në parim ne i kemi të gjitha avantazhet në dorë; asgjë nuk kemi humbur. Kosova është po ajo, varret e të zhdukurve akoma janë bosh, të rënët e Kosovës akoma i kanë varret në Kosovë, ndërsa të gjallët e saj përditë gjallnojnë.
Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara janë akoma Shtetet e Bashkuara të Amerikës.