Një gardist, një oficer kredie në bankë dhe gjashtë shokët e tyre kishin planifikuar grabitjen e shtëpisë së një biznesmeni në Tiranë pas informacioneve se ai fshihte aty një çantë më para si edhe katër kilogram kokainë.
Plani dështon pasi bashkëshortja e biznesmenit i dëgjo teksa ata tentojnë të futen nga dritarja duke thirrur të alarmuar burrin, i cili në përleshje e sipër arrin t’i shtyjë hajdutët nga ballkoni i vilës së tyre, shkruan abcnews.al.
Shtatë prej tyre u arrestuan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Sot, gjykata dha vendimin për gjashtë prej tyre duke i lënë në burg.
Policia tashmë e ka të qartë ngjarjen dhe arsyet që i çuan të rinjtë që të planifikonin këtë vjedhje.
Bëhet fjalë për operacionin “Mozaik” në kuadër të të cilit u arrestuan Spartak Qoku; Petro Sava; Andi Kraja, agjent kredie në një bankë; Aleks Kala, punonjës i Gardës së Republikës, i njohur si “Gyli”; Amel Hajdaraj, Klaudio Metaj, Franci Alimi, ndërsa tjetër është shpallur në kërkim.
Abcnews ka siguruar dosjen e arrestimit të grupit krimiminal, në të cilën zbardhet e gjithë ngjarja në fjalë.
Aty zbulohet se si grupi planifikon vjedhjen, nga kush informohen si edhe komunikimi me biznesmenin Endri Mosko, i njohur si “Boli” duke iu lutur që të tërhiqte kallëzimin pas zbulimit të tyre, shkruan abcnews.al.
Madje, në një prej bisedave, anëtarët e grupit i kërkojnë Moskos që të tërheqë kallëzimin duke e kërcënuar fillimisht përmes bashkëshortes.
Kur ky nuk ka pranuar, ata i kanë ofruar zbulimin e “kallauzit” që i dërgoi tek shtëpia e tij, i cili sipas policisë është agjenti i kredisë në një bankë të nivelit të dytë, Andi Kraja.
Ngjarja
Gjithçka nis në mes të muajit maj ku grupi kishte planifikuar të kryente një vjedhje pas Spartak Qoku i kishte një shumë parash borxh një tjetër personi që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Grupi kishte informacion për tre shtëpi të ndryshme, brenda të cilave kishte para dhe drogë.
Më datë 15 maj, ata nisen të grabisin një shtëpi në Selitë ku kishin informacion se fshihej një sasi lënde narkotike kokainë prej 2.8 kilogramësh dhe një shumë e madhe parash.
Ata shkojnë në zonën e Selitës në Tiranë me makinën e gardistit Aleks Kala, i cili priste në anë të rrugës që t’i largonte nga vendi i ngjarjes pas grabitjes.
Fillimisht, ata marrin armën e shërbimit të punonjësit të Gardës së Republikës Aleks Kala dhe i bien derës së shtëpisë së vilës katër katëshe në Selitë me planin që kur ta hapte i zoti i shtëpisë, Franci Alimi t’ia drejtonte në kokë dhe të kryenin vjedhjen.
Por, pasi i kanë rënë derës disa herë, ajo nuk është hapur dhe të rinjtë kanë zbritur nga banesa e biznesmenit duke pritur në një lokal aty pranë, kohë të gjatë të cilës planifikuan vjedhjen e një argjendarie si edhe të shtëpisë së Endri Moskos, të njohur si “Boli”.
Por, sipas dëshmisë së Spartak Qokut, ka qenë Franci Alimi që u ka thënë që të mos shkojnë tek Argjendaria pasi alarmi do t’i zbulonte.
Kështu, të rinjtë kanë pritur mbrëmjen dhe kanë bërë një plan të tretë, tani për të vjedhur shtëpinë e “Bolit” ku kishin informacion se fshihej katër kilogram kokainë dhe para.
Sipas këtij plani, ata morën një palë shkallë dhe hipen në katin e dytë të banesës së biznesmenit duke patur me vete sërish armën e shërbimit të punonjësit të Gardës, Aleks Kala, shkruan abcnews.al.
Në momentin që i kanë rënë xhamit të dritares, ata janë dëgjuar nga bashkëshortja e Moskos, e cila ka thirrur të shoqin me të bërtitura. Me të ardhur, ky i fundit ka thyer xhamin dhe ka kapur prej fyti njërin prej hajdutëve duke u përplasur fizikisht sipas policisë me Franci Halimin dhe Spartak Qokun, ndërsa Emel Hajdarja priste poshtë shkallëve, shkruan abcnews.al.
Gjatë përplasjes, Emer Hajdaraj i thërriste Qokut nga poshtë me fjalët “Vrite, vrite”, ndërsa teksa ai ka mbushur armën, një fishek ka rënë në ballkonin e shtëpisë së biznesmenit.
Në këtë moment, “Boli” i hedh Qokun dhe Alimin nga ballkoni, ndërsa pas ngjarjes ata largohen zona me vrap.
Kallëzimi
Pas ngjarjes, Endri Mosko shkon në polici dhe bën kallëzim penal duke theksuar se nuk e dinte se kush mund t’ja kishte bërë këtë. Mirëpo, disa orë pas kallëizmit, atij i vjen një telefonatë ku i thotë “unë jam terrori yt i mëngjesit”. Pas kësaj telefonate, “Boli” shkon sërish në polici dhe shprehet se dyshon që personi që kreu telefonatën mund të ishte ai që i shkoi tek shtëpia.
Pasi mori numrin, policia zbuloi se ai përdorej nga Spartak Qoku edhe pse ishte regjistruar në emër të një personi tjetër.
“Na fal”
Pasi mësojnë që ishin kallëzuar nga “Boli”, grupi përpiqet që të lehtësojë veten duke e kërcënuar fillimisht duke i thënë se “ia njihin bashkëshortin”. Por, “Boli” nuk e tërhoqi kallëzimin dhe grupi tani ndryshon strategji. Nga kërcënimet kalojnë tek kërkimi i faljes duke i thënë se ata i kishin shkuar në shtëpi, por se nëse tërhiqte kallëzimin do t’i tregonin se kush i dërgoi atje.
“Bol, nëse do ta dish se kush na solli tek tek ty, atë ta sjell unë dhe merrem unë me të. Mos fol me njeri sepse fjalët me vijnë edhe nga çunat e lagjes që ti i beson. Dikush të shet nga frika dhe dikush nga qejfi.
Ai që të solli tek ti mund të të sjellë një tjetër nesër”, i shkruan Spartak Qoku-Endri Moskos në telefon, si një tentativë të fundit që ai të tërhiqte kallëzimin.
Gjykata Penale e Tiranës dha masën e sigurisë sot për grupin duke i lënë të gjithë në burg.
Shqetësues është fakti se një gardist merr pjesë në një grabitje me armën e shërbimit, ndërsa të dhënat e klientëve “shiten” nga punonjësit e bankave tek grupet kriminale duke shkelur me të dyja këmbët ligjet, sistemet e brendshme të sigurisë së bankave, etj. /abcnews.al