Prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka u shkarkua nga detyra më 20 dhjetor 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për dhuratat nga prindërit në shuma të mëdha, blerjen e një apartamenti si dhe investimet në bono thesari.
Sipas vendimit të arsyetuar të Komisionit, prokurori Hyka rezultoi me pasaktësi, mospërputhje në deklarime dhe deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë ndër vite.
Procesi i vetingut për prokurorin e Apelit të Tiranës u krye nga trupa e drejtuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komici dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Pokurori Hyka u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin mori notë minimale kualifikuese.
Edmond Hyka ka punuar si avokat në periudhën 1998-2005 –kohë nga e cila deklaron të ardhura me vlerë 10 milionë lekë. Por në vendim thuhet se Drejtoria Tatimore Durrës nuk ka dërguar informacion në lidhje me fitimin e realizuar.
Për llogaritjen e fitimit, Komisioni është bazuar në qarkullimin faktik sipas shkresës së Zyrës së Tatimeve dhe normën e fitimit për këtë lloj aktiviteti, e cila është llogaritur në masën 80 %. Qarkullimi i parashikuar është vlerësuar rreth 6 milionë lekë; qarkullimi faktik afro 4.2 milionë lekë dhe fitimi rreth 3.3 milionë lekë.
Trupi gjykues konkludon se Hyka ka dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe ka provuar me dokumentacion provues ligjor periudhën kohore të ushtrimit të aktivitetit të avokatisë, si dhe faktin se nuk ka detyrime tatimore.
Ndërkohë, në vendim shtohet se Hyka nuk ka dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe nuk ka paraqitur dokumentacion ligjor në lidhje me të ardhurat deklaruara si të përfituara nga aktiviteti si avokat në shumën 10 milionë lekë.
Komisioni nuk merr në konsideratë deklarimin e Hykës dhe njeh si të ardhura të ligjshme, shumën prej 3,3 milionë lekësh. Gjithashtu, Hyka nuk e ka bindur trupin gjykues për ligjshmërinë e burimit të dy vlerave monetare në shumat 5 milionë lekë dhe 35 mijë euro të trashëguara nga i ati në vitin 2010.
Trashëgimia nga babai
Komisioni nuk mori në konsideratë deklarimet për të ardhurat e përfituara nga nëna e Hykës prej aktivitetit tregtar në vitet 1992-1994 dhe të ardhurat e deklaruara si të përfituara prej saj nga qiradhënia e një lokali në shumën 27 mijë USD për periudhën 1994-1997, pasi nuk janë provuar me dokumentacion ligjor.
Nuk është përfshirë në analizën financiare edhe vlera e deklaruar si e përfituar nga shitja e një apartamenti me sipërfaqe 60 m2 në 2011-ën nga nëna, pasi Hyka nuk ka arritur të depozitojë kontratën e shitjes, duke deklaruar se nuk e disponon.
Bazuar në të ardhurat dhe shpenzimet e prindërve të prokurorit Hyka, Komisioni konkludon se ata kanë patur mundësi të kursenin shumën 93 mijë lekë dhe se nuk është arritur të provohet burimi i ligjshëm i shumës së trashëguar nga babai në vlerën 9.7 milionë lekë.
Për një depozitë në BKT, dega Durrës, në llogarinë “blerje obligacione me afat 7-vjeçar”, të çelur më datë 15 shtator 2014 në shumën 6.1 milionë lekë, Hyka ka deklaruar si burim krijimi kursimet e tij dhe të familjes.
Kjo shumë ka si burim të deklaruar kursimet prej 3 milionë lekësh në vitin 2005. Por analiza financiare për të konfirmuar kursimet në 30 gusht 2005 ka rezultuar me balancë negative prej 2.7 milionë lekësh.
Për pasaktësitë në deklarim lidhur me burimet e vlerave të depozituara në 2005-ën Hyka ka shpjeguar se të gjitha të ardhurat, përfshi edhe të tijat ishin administruar nga babai dhe se ishte e pamundur që të përcaktohej saktësisht burimi i krijimit të secilës së ardhur, të kursimeve të prindërve, nga shitja e pronave prej tyre apo nga aktiviteti i tij si avokat.
Komisioni konkludon se Hyka nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor burimin e ligjshëm të depozitës dyemërore në shumën 3 milionë lekë, e cila ka shërbyer si burim krijimi për investimin në bono thesari në shumën 4.5 milionë lekë, nga ku është përfituar në formën e interesave shuma 1.2 milion lekë.
Për këtë arsye, të ardhurat e përfituara nga interesi në shumën 1.2 milionë lekë nuk janë konsideruar të ligjshme nga Komisioni.
Po për të njëjtin shkak, nuk janë konsideruar si burim i ligjshëm edhe të ardhurat nga interesi i investimeve në obligacione në shumën 6.1 milionë lekë gjatë periudhës 2015-2016 që kanë qenë në vlerën 1 milionë lekë.
Prokurori Hyka, sipas Komisionit nuk ka arritur të provojë edhe burimin e ligjshëm të 35 mijë eurove të dhuruara nga babai, duke e rënduar edhe më tej analizën financiare.
Përveç problemeve me pasurinë e trashëguar nga babai, prokurori Edmond Hyka nuk ka arritur të dokumentojë rreth 32 mijë euro për blerjen e një apartamenti për të birin –me burim 22.883 euro të dhuruara nga gjyshja dhe kursimet familjare.
Komisioni konkludon se nuk janë provuar disa prej të ardhurave nga gjyshja e djalit të Hykës, konkretisht ato të përfituara prej aktivitetit tregëtar në periudhën 1992-1994; nga qiraja në vitet 1994-1997 në shumën 27 mijë USD dhe nga shitja e apartamentit 60 m2 në 2011-ën.
Trupi gjykues konstaton se, prokurori Hyka nuk ka deklaruar trajtimin preferencial në blerjen e një automjeti tip “Benz” nga djali më 21 nëntor 2011, në vlerën 10,200 euro.
Komisioni i ka kërkuar shpjegime Hykës në lidhje me çmimin e blerjes së këtij automjeti nga shitësi A.G., i cili 3 ditë pasi e ka sjellë në Shqipëri, ia ka shitur me çmimin që e ka blerë vetë në shumën 10,200 euro. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se taksa doganore në shumën 297,674 lekë dhe shpenzimet e transportit janë paguar shitësi A.G., që sipas Komisionit e ka dalë me humbje, duke ngritur dyshime për një situatë trajtimi preferencial ndaj subjektit të rivlerësimit.
Prokurori Edmond Hyka ka deklaruar se nuk e ka ditur se sa i ka kushtuar automjeti personit që e shiti, por se e ka blerë aq sa ishte pasqyruar realisht në kontratë, në shumën 10,200 euro, si dhe konsideronte se ky ishte çmimi i tregut për këtë tip dhe model makine.
Ai ka shtuar se shtetasin A.G. e ka njohur nëpërmjet miqve të përbashkët përpara vitit 2000 dhe se marrëdhëniet me të kanë qenë normale. Gjithashtu, Hyka ka sqaruar se i ka kërkuar vetë shtetasit A.G. që të punësojë djalin në shoqërinë e tij dhe se kanë ende miqësi me njëri-tjetrin.
Komisioni nuk ka gjetur ndonjë situatë të konliktit interesit mes Hykës me shtetasin A.G., por thekson se Hyka nuk ka deklaruar trajtimin preferencial vitin 2011 lidhur me automjetin e sipërcituar.
Komisioni konstaton se Hyka ka blerë një apartament me sipërfaqe 121 m2 në vlerën 2 milionë lekë dhe një dyqan 52.50 m2 në shumën 500 mijë lekë në Durrës në vitin 2005, me çmim disa herë më të ulët nga vlera reale dhe ngre dyshime për trajtim preferencial.
Komisioni ka analizuar çmimin e pasqyruar në kontratën e shitblerjes në shumën prej 2 milionë lekësh dhe e ka krahasuar me çmimet referuese të Entit Kombëtar të Banesave, EKB për vitin 2005, prej nga ka rezultuar se vlera reale e kësaj pasurie ka qenë 6.5 milionë lekë.
Gjithashtu evidentohet se edhe çmimi i blerjes së dyqanit duket mjaft i ulët po të krahasohet me çmimin referues të EKB për atë vit.
Komisioni i ka kërkuar shpjegime Hykës në lidhje me shitësit e apartamentit I. dhe V.Ç., se në çfarë rrethanash është njohur dhe nëse ka miqësi me ta. Ai ka shpjeguar se kur ka punuar si avokat, ka njohur shtetasin I.Ç., ndërsa shtetasen V.Ç. nuk e njeh.
Prokuroria e Apelit Tiranë ka konfirmuar se pranë saj janë trajtuar një çështje penale, ku palë në gjykim ka qenë shtetasi I.Ç., në cilësinë e kërkuesit, me objekt gjykimi kundërshtimin e vendim pushimi të procedimit penal të vitit 2011 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kjo çështje ka rezultuar se është përfaqësuar nga prokuror Edmond Hyka me datë 20 mars 2018, në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Nga analiza financiare kanë rezultuar me balanca negative disa vite: në vitin 2005 me vlerë 2.7 milionë lekë; në vitin 2007 në shumën 486 mijë lekë; në 2009-ën në vlerën 8.2 milionë lekë; në vitin 2011 në shumën 117 mijë lekë dhe në 2014-ën, 20 mijë lekë.
Vlerësim minimal në profesionalizëm
Komisioni identifikoi mangësi dhe problematika në aspektin procedurial nga ana e prokuroit Hyka si edhe një një situatë konflikti interesi, por nuk i klasifikon ato si shkarkuese. Lidhur me këtë kriter, KPK vlerëson se Hyka arrin nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.
Në vendim thuhet se Hyka është shortuar për të përfaqësuar në Gjykatën e Apelit një çështje penale, ku ka pasur cilësinë e palës në gjykim shtetasi I.Ç., nga i cili ka blerë apartamentin në vlerën 2 milionë lekë në vitin 2002 në Durrës.
“Subjekti ka konfirmuar marrëdhënien e vazhdueshme me shtetasin I.Ç. që nga viti 2002 dhe në deri në vitin 2005”, citohet në vendim.
Sipas Komisionit duket se Hyka është trajtuar në mënyrë preferenciale nga I.Ç. në lidhje me çmimin e blerjes së apartamentit, pasi i është shitur subjektit 3-fish më lirë se çmimi referues ligjor. Shpjegimet e prokurorit Hyka se çështja në fjalë është shqyrtuar në dhomë këshillimi ku ai nuk mund të marrë pjesë si edhe fakti se Gjykata e Apelit e ka rrëzuar kërkesën e I.Ç., nuk kanë qenë bindëse për Komisionin.
“Pavarësisht pretendimit që ngre subjekti, që roli i tij ka qenë pothuaj i zbehur dhe gjykata ka vendosur në disfavor të tij, praktika juridike nuk e lidh këtë fakt me ushtrimin e ndikimit ose jo, apo me qëndrimin pro apo kundër të subjektit ndaj palës me të cilën ka pasur një marrëdhënie, por rezulton se vetëm fakti i qënies pjesë e një procesi me një palë ku ka ekzistuar një marrëdhënie, në rastin konkret interesi, kjo do të ishte e mjaftueshme që subjekti në zbatim të ligjit, të jepte dorëheqjen,” thuhet në vendim.
Komisioni identifikoi probleme edhe lidhur me një denoncim se Hyka ka kërkuar ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë nga masa e sigurimit “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” për shtetasin F.Ll., i akuzuar për vjedhje.
Hyka e ka mbështetur qëndrimin e tij lehtësues në një deklaratë noteriale, sipas së cilës zbehej pozicioni i të pandehurit në kryerjen e veprës penale.
Komisioni vlerëson se prokurori Hyka nuk ka respektuar si duhet dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, duke mos bërë një vlerësim dhe një analizë të thellë dhe të drejtë të kritereve ligjore, gjë që ka çuar në një qëndrim jo të drejtë në kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurimit personal, nga masa “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për të pandehurin F.Ll.
Hyka është vlerësuar pozitivisht për kriterin e pastërtisë së figurës.