Një muaj nga shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë, Lëvizja Vetëvendosje kërkon rindërtimin e godinës siç ishte dhe drejtësi për dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve.
Në një njoftim, Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë shprehet se: “Sot u bë 1 muaj nga shembja e kompleksit Monument Kulture të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë. Me 17 maj në orën 04:30 forca të shumta policore të armatosura, përfshirë RENEA, shoqëruar me makineri të rënda, duke keqpërdoruar masat kundër pandemisë, u dyndën në disa nga rrugët kryesore të qendrës së Tiranës, për të rrethuar e arrestuar qytetarë që qëndronin në mbrotje të Teatrit Kombëtar. Këto akte në kundërshtim me parimet e detyrimet për ruajtjen e trashëgimisë, kundër shtetit të së drejtës dhe kundër kushtetutës, u cilësuan si barbare edhe nga media ndërkombëtare. Atë ditë u shoqëruan në polici 64 qytetarë, dhe shumë të tjerë u lënduan. Ky krim institucional tentoi të instalonte në Shqipëri një shtet policor, qu u ideua dhe u ekzekutua nga Qeveria Rama”.
Më tej, vijon:
“Deri më sot nuk ka patur asnjë pranim faji, asnjë shkarkim, asnjë dorëheqje, për të vënë para përgjegjësisë një zinxhir të gjatë zyrtarësh me në krye Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Kryetarin e Bashkisë. Deri më sot organet e drejtësisë nuk kanë marrë asnjë masë ndaj atyre që e orekstruan këtë krim nga brenda institucioneve. Vendimet e jashtëligjshme mbajnë edhe nënshkrimet e Këshillit të Ministrave, nënshkrimin e tre inxhinierëve që sajuan një raport fiktiv për gjendjen e ndërtesës dhe ato të Këshillit bashkiak të Tiranës që me një votim vandal miratoi shembjen e Teatrit. Shkeljet në procedurë e dokumentacion nuk mund të mos sillnin ngutinë brutale të shembjes me fadromë dhe në errësirë, me aktivistë e artistë ende pa dalë nga ndërtesat por dhe përreth saj.
Rrafshimi i Teatrit ishte shpërfaqja brutale e ideologjisë mbizotëruese neoliberale, që tenton të rrafshojë publiken dhe historinë me pretendimin megaloman se mund të rithemelojë një histori të re më të bukur, ku në fakt fshihen interesa të ngushta financiare të njerëzve të regjimit dhe bizneseve rrotull tij. Rezistenca në mbrojtje të Teatrit dhe kundër projekteve abuzive ka nisur vite më parë, që me brezin e vjetër të aktorëve të Teatrit, dhe nga shoqëria civile, si dhe ka vazhduar me qëndresën 27 mujore të Aleancës për Teatrin. Regjimi synonte rrafshimin edhe të kësaj rezistence, por protestat e qytetarëve vazhduan dhe reagimet ishin të shumta brenda e jashtë vendit, edhe nga që kishte nisur ngritja e fondeve për restaurimin e Teatrit përmes organizatës “Europa Nostra”. Deklaratat nga “Europa Nostra” dhe Komisioni Evropian, reagimi nga Teatrot e Kosovës, deklaratat e mijëra artistëve shqiptarë e të huaj nga e gjithë bota, qindra kronika e artikuj në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, trupat diplomatikë në vend e eurodeputetët në Parlamentin Evropian, e bënë të qartë se Shqipëria qeveriset nga një klikë moralisht e rrënuar, politikisht e falimentuar, kulturalisht e varfëruar, financiarisht e korruptuar.
Rezistenca ndaj kësaj padrejtësie vazhdon në forma të ndryshme. Para shembjes, Teatri Kombëtar është matur mirë nga arkitektë që kanë dokumentuar materialet dhe teknikat e ndërtimit të objektit. Aktivistë artitektë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri dhe profesionistë të tjerë kanë nisur punën për përgatitjen e një modeli tre dimensional (bashkëngjitur kësaj komunikate) dhe detajet për rindërtimin e objektit Monument Kulture të Teatrit Kombëtar, bazuar mbi dokumentimin në terren para shembjes, materialin arkivor dhe dosjen dorëzuar pranë “Europa Nostra”. Rindërimi i Teatrit në të njëjtin vend është edhe i mundshëm, edhe kërkesë e drejtë e qytetarëve”.