Debati kundër racizmit në Shtetet e Bashkuara është zhvendosur tek simbolet e konfederatës, të cilat për shumë njerëz evokojnë një të kaluar raciste.
Presidenti Donald Trump hodhi poshtë çdo propozim për të riemërtuar bazat ushtarake amerikane që mbajnë emra të udhëheqësve të Konfederatës nga lufta civile e viteve 1860. Sipas tij, ato janë pjesë e trashëgimisë së madhe amerikane.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë trajnuar dhe dislokuar në këto baza të shenjta heronjtë e vendit tonë, duke fituar dy luftëra botërore. Prandaj, administrata ime as që do ta marrë parasysh riemërtimin e këtyre instalimeve ushtarake të mrekullueshme dhe të famshme”, deklaroi Trump.
Rreth 10 baza mbajnë emrat e udhëheqësve të Konfederatës, përfshirë Fort Bragg në Karolinën e Veriut, një nga më të mëdhatë në Shtetet e Bashkuara, si dhe Fort Hood në Teksas.
Deklarata e Trump vjen mes raportimeve se zyrtarë të lartë të ushtrisë ishin të hapur ndaj ndryshimeve mes zemërimit mbarëkombëtar, pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd nga policia.
Monumentet e Konfederatës u bënë shënjestër e vazhdueshme e protestuesve pas vdekjes së 46-vjeçarit. Mbrëmjen e së mërkurës një statujë e Jefferson Davis, president i Konfederatës u rrëzua nga manifestuesit në Richmond të Virxhinias ndërsa protestuesit në qytetin e Portsmouth sulmuan 4 statuja.
Të mërkurën, kryetarja e dhomës së përfaqësueseve Nancy Pelosi kërkoi heqjen e monumenteve të Konfederatës nga godina e Capitol Hill në Uashington. Statujat e tyre, i bëjnë homazh urrejtjes, ishin fjalët e zyrtares së lartë demokrate.