Pushtimi Aleat i Normandisë më 6 qershor 1944, shënoi fillimin e fundit të Gjermanisë naziste të Adolf Hitlerit. Në një nga orët më të errëta të njerëzimit, një aleancë e madhe e kombeve perëndimore, arriti të realizojë me sukses zbarkimin më të madh ushtarak në histori, që ndryshoi jo vetëm fatin e qindra miliona njerëzve, por të mbarë botës. Për shkak të pandemisë së Covid-19, kremtimet për këtë vit do jenë të kufizuara, por kjo nuk e zbeh kurrësesi sublimitetin e kësaj dite. Ja cilat janë disa nga faktet më interesante mbi atë ditë.
Edhe pse njihet gjerësisht si D-Day, çlirimi i Evropës së pushtuar nga nazistët u kodua me emrin “Operation Overlord”.
Në tetorin e vitit 1941, kryeministri britanik Uinston Çërçill i kërkoi Lordit Luis Mauntbaten të niste të mendonte për një pushtim të Evropës: “Në rast se ne nuk mund të zbarkojmë atje, ta luftojmë Hitlerin dhe mposhtim forcat e tij në tokë, nuk do ta fitojmë dot kurrë këtë luftë!”.
Më 7 dhjetor 1943, presidenti amerikan Frenklin D.Ruzvelt u takua në Tunizi me gjeneralin amerikan Duajt D.Ajzenhauer, dhe i dha atij komandën e operacionit për çlirimin e Evropës së pushtuar nga nazistët.
D-Day ishte planifikuar në fillim për në datën 5 qershor, por u shty me 24 orë për shkak të motit të keq.
Ajzenhauer piu deri në 4 paketa cigare në ditë gjatë 3 muajve që zgjati D-Day. Nga ana tjetër gjenerali britanik Bernard Montgomeri, ishte shumë i qetë. Ai nuk pinte as duhan dhe as alkool.
Gjatë përgatitjes dhe vënies në zbatim të D-Day, u prodhuan rreth 17 milionë harta.
Inxhinierët britanikë, u dërguan fshehurazi me nëndetëse të bënin vlerësime të plazheve franceze ku do të zbarkohej, përfshirë mbledhjen e mostrave të rërës.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë gjermane në Frontin e Perëndimit ishte Feldmarshalli Gerd von Rundshted, që kishte në dispozicion 850.000 trupa.
Operacioni D-Day synonte çarjen e “Murit të Atlantikut”, një seri linjash mbrojtëse bregdetare të ndërtuara nga Gjermania naziste midis viteve 1942-1944, nga Norvegjia deri në kufirin Francë-Spanjë.
Nazistët e dinin se një pushtim aleat i Evropës, ishte gjithnjë e më shumë i mundshëm. Ndaj në fillim të vitit 1944, feldmarrshalli nazist Ervin Romel, u ngarkua personalisht nga Hitleri me detyrën e forcimit të linjave mbrojtëse.
Mbi 1.2 milionë ton çelik dhe 17 milionë metra kub beton u përdorën për këtë qëllim, teksa u ngritën 92 baza radarësh. Më shumë se 260.000 punëtorë ndihmuan në ndërtimin e Murit të Atlantikut, dhe vetëm 10 për qind e tyre ishin gjermanë.
Në kohën e pushtimit të Aleatëve, në Francën Veriore ishin vendosur më shumë se 5 milionë mina.
Hitleri donte 15.000 pika të forta mbrojtëse, me angazhimin e 300.000 trupave. Në fund, kjo gjë do të ishte e pamundur të arrihej.
Pagesa bazë për një ushtar britanik të këmbësorisë ishte vetëm 3 paund dhe 15 shilinga në muaj. Ndërkohë ushtarët amerikanë merrnin 12 paund në muaj. Për pasojë, 70.000 gra britanike u martuan me ushtarët amerikanë gjatë luftës.
Në Kent të Britanisë së Madhe u krijua një ushtri e rreme, e përbërë nga tanke dhe kamionë prej gome, për të mashtruar gjermanët që ata të mendonin se pushtimi do të ndodhte në Pa Dë Kale. Fushata ishte aq e suksesshme, sa që edhe pas D-Day, Hitleri vazhdoi të besonte se zbarkimet në Normandi, ishin një truk për të mbuluar sulmin e madh në Pa Dë Kale.
Në prag të D-Day, Aleatët kishin në dispozicion 15.766 avionë, ndërsa gjermanët kishin 30 herë avionë më pak, ose më pak se 600.
Gjatë stërvitjeve përgatitore në Devon, 946 ushtarë aleatë u vranë në një sulm nga një nëndetëse gjermane.
73.000 trupa amerikane dhe 83.000 trupa britanike dhe kanadeze kaluan Kanalin e La Manshit gjatë D-Day.
I gjithë personeli ushtarak amerikan, ishte i detyruar të nënshkruante paraprakisht një police të sigurimi të jetës në vlerë 10.000 dollarë.
Vetëm 1 në 6 nga parashutistët aleatë zbarkuan në vendin e përcaktuar.
Avionët aleatë hodhën mbi 3.600 tonë bomba gjatë D-Day.
Aleatët nuk e humbën asnjë avion nga sulmet e Luftwaffe, ndonëse forcat kundër-ajrore gjermane në tokë rrëzuan 113 avionë të tillë.
Ndërtesa e parë në Francë që u çlirua gjatë “Operation Overlord”, ishte një kafene ngjitur me Urën Pegasus.
Burrat që morën pjesë në valën e parë të sulmit në plazhin e Utah, patën një shans 50/50 për të mbijetuar.
Vetëm 21 për qind e forcave aleate të plagosur në D-Day, u operuan brenda një ore.
Brenda 100 ditëve nga D-Day, 2.5 milionë burra, 500.000 automjete dhe 4 milion tonë pajisje dhe racione ushqimore ishin shkarkuar në Francë.
Vetëm Hitleri mund të urdhëronte angazhimin e tankeve të famshëm gjermanë, Panzer, kundër zbarkimit aleat. Por ai fjeti deri në mesditën e datës 6 qershor, pasi askush nuk guxoi t’i prishte gjumin.
Edhe pse forcat aleate që morën pjesë në operacionin D-Dita ishin kryesisht nga Britania, SHBA-ja dhe Kanadaja, në përbërje te tyre kishte edhe australianë, belgë, çekë, holandezë, francezë, grekë, norvegjezë, polakë etj. / HistoryHit – Bota.al