Humbjet monetare dhe të vendeve të punës që ka krijuar pandemia COVID-19 po synohen të zbatohen nëpërmjet një plani për rimëkëmbjen e ekonomisë, i cilësuar si paketa e tretë e ndihmës. Plani, i cili po hartohet nga një grup pune pranë Kryeministrisë, ka në themel krijimin e një fondi të ri garancie për ekonominë, si mbështetje për rimëkëmbjen e sektorëve më të prekur, amnistinë fiskale dhe ndryshim rrënjësor të sistemit fiskal. Komuniteti i biznesit propozon 15 masa ndërhyrje emergjente, deri në fund të vitit, dhe një strategji të re zhvillimi që të fokusohet te mbështetja e sektorit prodhues, krijimi i bankës së zhvillimit dhe emetimi i obligacioneve. Colagneli i BERZH tha se, Shqipëria duhet të rimodelojë zhvillimin ekonomik
Teksa pandemia COVID-19 ka ulur agresivitetin, ekonomia është hapur dhe lëvizja është çliruar, qeveria është vënë në lëvizje për të formuluar paketën e tretë të mbështetjes ekonomike, i cilësuar si plani i rimëkëmbjes brenda qershorit. Një grup pune, i ngritur pranë kryeministrit, për të hartuar këtë paketë, po shqyrton disa ndërhyrje, të cilat synojnë, ndër të tjera, një plan krejtësisht të ri fiskal, të shoqëruar me një tjetër garanci sovrane. Pjesë e paketës do të jetë edhe amnistia fiskale, pohuan burimet pranë grupit të punës.
Nga ana tjetër, komuniteti i biznesit, nëpërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ka formuluar një draft me sugjerime për rimëkëmbjen të ndarë në ndërhyrje emergjente dhe strategji afatmesme zhvillimi. Në planin afatshkurtër, biznesi kërkon të shtyhet pagesa e TVSH-së në import deri në fund të vitit 2020, pagesat e kredive dhe overdrafteve, taksat e pushtetit lokal etj. Në afat të gjatë, komuniteti i biznesit kërkon ngritjen e një fondi garancie rreth 600 milionë euro, për të mbështetur sektorët e prodhimit me bazë eksporti. Bizneset propozojnë që të zhvillohet tregu i kapitaleve dhe të mundësohet emetimi i obligacioneve të korporatave, si një mënyrë për të qarkulluar likuiditetet e lira në ekonomi.
Paketa e rimëkëmbjes është duke u konsultuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka ofruar qeverisë shqiptare një projekt të ri fiskal, i cili nuk do të jetë i ndryshueshëm vit pas viti. Ky projekt, i cili është pranuar nga qeveria shqiptare, do të diskutohet në mënyrë përfundimtare me misionin e FMN gjatë qershorit, por kjo paketë do të hyjë në fuqi pas aplikimit të amnistisë fiskale. Institucione të tjera financiare ndërkombëtare janë duke asistuar në Paketën e Rimëkëmbjes. Banka e Botërore do të azhurnojë financimet në marrëveshjen e re me nevojat e reja të ekonomisë, ndërsa
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim pritet të dyfishojë financimet për Shqipërinë deri në fund të vitit. Matteo Colangeli, Drejtori i Zyrës së BERZH në Tiranë, tha se kjo krizë do të krijojë mundësi për Shqipërinë, veçanërisht në prodhim. Teksa zinxhirët e furnizimit global po shkurtohen dhe prodhuesit europianë po shikojnë mënyra për ta afruar prodhimin në shtëpi, Shqipëria mund të jetë në një pozitë të fortë për të tërhequr investime, tha zoti Colangeli.
Ai njoftoi se, BERZH është duke punuar ngushtë me Qeverinë për të zhvilluar sektorin e energjisë diellore në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke ofruar mbështetje të ngjashme për autoritetet për energjinë e erës. Colangeli këshillon një rivlerësim të modelit të turizmit, që synon të ndjekë vendi. Mbrojtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në Shqipëri duhet të jetë baza për të zhvilluar një ofertë më të sofistikuar të turizmit, duke zgjatur sezonin dhe për të synuar një segment më të lartë shpenzimesh të tregut global të turizmit.
Maryam Salim, Menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë tha se duke dalë nga kjo krizë, duhet të vendosim theks të ri për kompletimin e masave mbrojtëse ndaj goditjeve të ardhshme. Financat e forta publike në kohë të mira janë ato që i lejojnë qeveritë të vendosin mbështetje ekonomike në kohë të këqija. Ajo shton se ndërsa nis rimëkëmbja, Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat strukturore që mund të çojnë në një ecuri më të mirë të rritjes afatmesme. Këto përfshijnë forcimin e sundimit të ligjit, sigurimin e qëndrueshmërisë makro-fiskale, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe përmirësimin e shërbimeve publike për të rritur kapitalin njerëzor.
Rimodelimi i sistemit fiskal dhe ekonomisë
Përveç masave afatshkurtra, që synojnë mbështetjen me likuiditete të sektorëve në vështirësi, qeveria është duke punuar për një plan të zgjeruar masash, që synojnë rimëkëmbjen e ekonomisë nëpërmjet një rimodelimi të taksave dhe orientimit të ekonomisë. Vlerësimet e deritanishme që nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe BERZH parashikojnë se, rënia ekonomike këtë vit do të jetë në intervalin nga -5 deri në -9%, kurse ringritja pritet të nisë vitin që vjen, nëse pandemia nuk kthehet në dimër me një agresivitet më të fortë.
Por që procesi i rimëkëmbjes të mund të rikuperojë humbjet në një periudhë sa më të shpejtë, ka nevojë për mbështetje me fonde dhe politika. Burimet në Ministrinë e Financave pohuan se, ndërhyrja për rimëkëmbjen, do të synojë tre drejtime kryesore, mbështetje direkte me fonde apo garanci për sektorët më të prekur, ndryshime në përqindjet e taksave dhe rimodelim të orientimit të mbështetjes drejt sektorit prodhues.
Paketa, e cila është ende në fazën e diskutimit, po synon të sjellë një revolucion të ri fiskal, ku pritet të ndryshojë tërësisht filozofia për tatimin mbi fitimin, duke ndryshuar edhe përqindjen e taksimit. Pjesë e paketës është edhe rishikimi i taksave të punës, dhe rishikimi i pjesës më të madhe të legjislacionit fiskal.
Në fazën e parë të saj, paketa do të nxisë likuiditet në ekonomi, duke aplikuar lehtësi në pagesën e detyrimeve dhe mbështetje për sektorin e turizmit kryesisht. Në fazën e dytë, që pritet të materializohet në vjeshtë, do të aplikohet amnistia e madhe fiskale mbi kapitalet dhe kursimet e biznesit dhe individëve. Projekti i amnistisë pritet që, në afat të shkurtër, të gjenerojë të ardhura shtesë në arkën e shtetit. Drafti për amnistinë është gati dhe shumë shpejt, pritet të kalojë për miratim në Kuvend.
Pas amnistisë fiskale, në fillim të vitit 2021, do të hyjë në fuqi projekti i ri fiskal me ndryshime radikale të ligjeve tatimore të cilat synojnë të shtrëngojnë më tej ndëshkimet ndaj evazionit fiskal pas amnistisë.
Ekspertët në Ministrinë e Financave pohojnë se plani i rimëkëmbjes synon një rimodelim të ekonomisë drejt sektorëve prodhues, me qëllim që bizneset shqiptare të mund të rrisin shitjet jashtë vendit, duke përfituar te ndryshimi i zinxhirit të furnizimit në tregun europian. Këshilli i Investimeve në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka ngritur tre grupe pune “Mbi Stimulimin e Investimeve”, në fushën e Energjisë, Agro-përpunimit, Dixhitalizimit.
PROPOZIMET E BIZNESIT, 15 MASA PËR PLANIN AFATSHKURTËR DHE STRATEGJI E RE ZHVILLIMI
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, pas një konsultimi me bizneset më të mëdha në vend, ka hartuar një draft me propozime për planin e rimëkëmbjes.
Nikolin Jaka, kryetar i DHTI-së në Tiranë, tha se, paketa e propozimeve synon plotësimin e 15 masave në afat të shkurtër dhe një strategji të re zhvillimi në periudhën afatshkurtër si më poshtë:
1. Të pezullohet detyrimi i parapagimit të TVSH-së në doganë për importin e mallrave;
2. Të pezullohet kësti i parapagimit të tatimfitimit për vitin 2020, në sektorët prodhues;
3. Të bëhet menjëherë rimbursimi i TVSH-së së prapambetur;
4. Të likuidohen nga entet publike të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private, brenda muajit qershor 2020, si dhe të shlyhen në kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike, që nuk janë të anuluar me apo pa rishikim buxheti.
5. Të shtyhen deri në fund të vitit 2020, të gjitha pagesat për taksat dhe tarifat për pushtetin vendor;
6. Të reduktohet deri në masën 20% çmimi i energjisë elektrike dhe ujit deri në fund të vitit 2020;
7. Të hiqet taksa e pasurive, sidomos të ndërmarrjeve të prodhimit dhe atyre që kanë sipërfaqe të mëdha, ku kjo taksë rëndon së tepërmi;
8. Të bëhet shtyrja automatike e pagesave të kredive apo overdrafteve deri në fund të vitit 2020 në të gjithë sistemin bankar, si dhe të mundësohet aksesi për hua me interes jo më të lartë se 0,5% (përfshirë kostot administrative), me procedura të përshpejtuara;
9.Të shfuqizohet Protokolli i Kuq mbi masat higjieno-sanitare COVID-19 për Biznesin Fason, si një protokoll jo realist dhe i pazbatueshëm në praktikë;
10. Për vijueshmërinë normale të punës në sektorin e fasonit, qeveria të marrë përsipër dezinfektimin e ambienteve të punës dhe mbikëqyrjen mjekësore;
11. Të përjashtohen nga pagesa e taksës, sektori i hotelerisë/turizëm (lek/krevat);
12.Të fillojë nga puna transporti publik/urban qytetas për lëvizjen normale të punonjësve në sektorët e industrive prodhuese në mëngjes 06.00-07.30 dhe në drekë 16.00-17.30;
13. Shtyrja e taksave vjetore, siguracioneve dhe licencave të autobusëve të paktën me 6 muaj;
14. Të ofrohet për transportin publik, blerja e naftës pa akcizë, deri në fund të vitit 2020;
15. Garancia sovrane duhet të ofrohet me një tarifë interesi jo më shumë se 0.2%; ndërsa për ato sipërmarrje që duan të aplikojnë për kredi për likuidimin e pagave të punonjësve, norma e interesit duhet të jetë 0%. Shlyerja e kësaj kredie duhet të fillojë në janar 2021, kësti i shlyerjes mujore nuk duhet të jetë më i lartë se 20% e fitimit mujor të realizuar nga kompania kredimarrëse. Brenda garancisë sovrane duhet përfshirë sektori bujqësor. Gjithashtu garancia sovrane duhet të mbulojë në mënyrë specifike: gratë sipërmarrëse, të cilat vuajnë shumë sot nga mungesa e likuiditetit. /Monitor/