Nëse keni menduar të shkoni në një prej vendeve të BE për pushime ia vlen të dini se kufijtë e jashtëm të unionit do të qëndrojnë të mbyllura deri në 15 qershor, por kjo vlen vetëm nëse vini nga një shtet jashtë Bashkimit Europian.
Por ku mund të shkoni dhe cilat vende janë ende të përjashtuara?
Pothuajse secili shtet ka rregullat apo planet e veta për rihapjen ndaj turistëve, si me vendet fqinje të BE por edhe më larg.
Megjithatë, këto masa po ndryshojnë me shpejtësi.
Austria ka mbyllur kufijtë tokësor me Gjermaninë, Italinë, Zvicrën, Lihtenshtejnin, Sllovakinë dhe Republikën Çeke.
Vjena ka planifikuar që të rihapë kufijtë me Gjermaninë më 15 qershor.
Kancelari Sebastian Kurz u shpreh se ndihet optimist që do të ketë një mirëkuptim të përbashkët me vendet e tjera fqinje në javën e ardhshme.
Për personat që do të mbërrijnë në Austri do të duhet një certifikatë mjekësore e cila duhet të vërtetojë se pasagjeri nuk është mbartës i COVID-19, por jo më e vjetër se 4 ditë.
Hyrja në rrugë ajrore është e ndaluar për qytetarët jashtë zonës së Schengenit.
Belgjika
Kufijtë e Belgjikës janë të mbyllura dhe vendi ka ndaluar udhëtimet jo to domosdoshme.
Bullgaria
Bullgaria do të hapë kufijtë me Serbinë dhe Greqinë më 1 qershor.
Kroacia
Kroacia ka rihapur kufijtë me Slloveninë në mesin e majit dhe pritet të bëjë të njëjtën gjë me Austrinë, Çekinë, Hungarinë dhe Sllovakinë më 29 maj.
Pasagjerëve iu është kërkuar të vetizolohen për 14 ditë nëse kanë pasur kontakt me persona të infektuar me COVID-19.
Qipro
Qipro ka prezantuar një plan të detajuar për nisjen e fluturimeve prej një sërë vendesh të cilat kanë një numër të ulët të infektuarish.
Ministri i Transportit Yiannis Karousos tha se fluturimet do nisin në dy faza, më 9 dhe 20 qershor, prej dy grup shtetesh të përzgjedhura nga këshilli i ekspertëve mjekësor.
Në grupin e parë hyjnë Greqia, Malta, Bullgaria, Norvegjia, Austria, Finlanda, Sllovenia, Hungaria, Izraeli, Danimarka, Gjermania, Sllovakia dhe Lituania.
Në grupin e dytë bëjnë pjesë Zvicra, Polonia, Rumania, Kroacia, Estonia dhe Çekia.
Duke nisur nga 20 qershori, pasagjerët e grupit të parë nuk do të kenë nevojë të pajisen me certifikatë mjekësore, por vetëm për ata të grupit të dytë.
Çekia
Nga 26 maji do të hapë kufijtë me Gjermaninë dhe Austrinë, ndërsa më 27 maji do të hapë kufijtë me Sllovakinë dhe Hungarinë, por një pjesë e kufizimeve do të qëndrojnë në fuqi.
Të gjithë pasagjerët do të duhet të kryejnë testin e COVID-19 në momentin e hyrjes në shtet.
Danimarka
Kufijtë do të qëndrojnë të mbyllur për pasagjerët e huaj dhe hyrja do të lejohet vetëm për banorët e Danimarkës, Groenlandës dhe Ishujve Faroe.
Ndërkohë, pritet që në 29 maj qeveria daneze të rishqyrtojë kontrollet në pikat kufitare.
Franca
Kufijtë do të qëndrojnë të mbyllur të paktën deri më 15 qershor, ku përjashtim përbëjnë qytetarët nga Andorra, Mbretëria e Bashkuar, Islanda, Lihtenshtejni, Monako, Norvegjia, Zvicra, San Marino dhe Vatikani, por që janë me vendbanim në Francë.
Hyrja e pasagjerëve që vijnë jashtë vendeve të BE nuk do të lejohet.
Gjermania
Udhëtarët do të duhet të kenë një arsye të vlefshme për të hyrë në Gjermani, megjithatë kufizimet në kufi janë lehtësuar.
Kontrollet në pikat kufitare me Austrinë, Zvicrën, Francën dhe Danimarkën si dhe pasagjerët e ardhur nga Italia dhe Spanja do të qëndrojnë në fuqi deri më 15 qershor.
Greqia
Kufijtë e Greqisë pritet të hapen më 15 qershor por vetëm për qytetarët që vijnë nga Gjermania, Izraeli, Qipro dhe vendet e Ballkanit.
Pasagjerët do të mund të hyjnë në Greqi pa u testuar për COVID-19, ndërsa fluturimet ndërkombëtare pritet të fillojnë më 1 korrik.
Hungaria
Kufijtë me Rumaninë janë të hapura ndërsa nga e mërkura do të hapen kufijtë me Sllovakinë, Çekinë por me disa kufizime.
Italia
Italia ka planifikuar të rihapë kufijtë me BE më 3 qershor, Mbretërinë e Bashkuar, zonën Schengen, Andorrën dhe Monako.
Disa rajone kanë marra masa paraprake për t’u siguruar se rihapja nuk do të shkaktojë një valë të re infektimesh. Guvernatori i Sardenjës ka sugjeruar se mund t’i kërkojë udhëtarëve që të certifikojnë se janë negativ për coronavirus, ose të paktën të testohen me të mbërritur në vend.
Holanda
Kufijtë janë të hapur për personat që udhëtojnë nga zona e Schengenit, por qeveria ka kërkuar që të shmangen udhëtimet jo të domosdoshme.
Portugalia
Vendi do të qëndrojë i mbyllur për turistët të paktën deri në 15 qershor.
Kontrollet në pikat kufitare janë në fuqi që prej 16 marsit dhe deri më tani është kërkuar vetëkarantinim për të ardhurit.
Kryeministri Eduardo Cabrita është shprehur se ende nuk ka një vendim për kohën se kur do të hiqen kufizimet.
Rumania
Rumania ka rihapur kufijtë me Hungarinë.
Sllovenia
Sllovenia ka rihapur kufijtë për qytetarët e BE në 15 maj. Kryeministri Janez Jansa ka deklaruar se vendi ka “situatën më të mirë klinike në Europë”.
Sllovakia
Të mërkurën, kufijtë e Sllovakisë u hapën me Hungarinë dhe Çekinë, por me disa kufizime.
Karantina nuk është e nevojshme për pasagjerë që qëndrojnë më pak se 48 orë.
Spanja
Kufijtë e vendit do hapen për turistët më 1 korrik. Aktualisht, në vend lejohet vetëm hyrja e qytetarëve spanjoll ose me vendbanim në Spanjë.
Për këtë bën përjashtim personeli diplomatik dhe të gjitha profesionet që kanë të bëjnë me transportin e mallrave.
Aktualisht, personat që hyjnë në territorin kombëtar nga jashtë duhet të vetizolohen për 14 ditë, një masë që do të zgjasë deri më 1 korrik sipas zyrtarëve.
Suedia
Suedia ka mbajtur masat kufizuese në kufi por kjo vlen vetëm për udhëtimet jo të domosdoshme nga vendet jashtë BE, me përjashtimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zvicrës.
Kjo masë ka hyrë në fuqi më 19 mars dhe është shtyrë deri në 15 qershor.
Zvicra
Masat kufizuese kanë hyrë në fuqi më 13 mars, por vendi do të hapë kufijtë me Gjermaninë, Austrinë dhe Francën më 15 qershor, në varësi të situatës.
Kufizimet me Italinë do të qëndrojnë në fuqi deri në një lajmërim të dytë.
Personat që kërkojnë të hyjnë në Zvicër, por pa dokumentacion të rregullt qëndrimi ose pune, nuk do t’iu lejohet hyrja.
Autoritetet zvicerane nuk kanë kërkuar vetizolim për personat që hyjnë në vend por udhëtarët do të duhet të zbatojnë rregullat e higjienës dhe distancimit social.
Mbretëria e Bashkuar
Aktualisht kufijtë janë të hapura. Nga 8 qershori, udhëtarët do të duhet të vetizolohen për 14 ditë.
Ashtu si në disa vende të tjera, disa profesione janë të përjashtuara nga këto masa si për shembull punonjësit e shëndetësisë që udhëtojnë për të dhënë ndihmë.
Në momentin e mbërritjes, ata që duhet të vetëizolohen duhet të dorëzojnë të dhënat e udhëtimit dhe kontaktit.
Qeveria ka lajmëruar se këto masa do të rishikohen çdo 3 javë.