Policia e Hong Kongut hodhi gaz lotsjellës si dhe përdori pompat e ujit dhe spërkatëset djegëse të dielën mbi mijëra protestues që vërshuan nëpër rrugë për të demonstruar kundër planit të Pekinit për të imponuar ligje të sigurisë kombëtare në këtë qendër financiare aziatike.
Të premten, Kina shpalli planin e saj për të anashkaluar legjislaturën e Hong Kongut dhe për të imponuar një ligj të sigurisë kombëtare që sipas saj synon të parandalojë dhe ndëshkojë veprime të “separatizmit, shkatërrimit ose terrorizmit” që kërcënojnë sigurinë kombëtare.
REAGON SHBA
Kjo masë, e cila gjithashtu do të lejonte që organet kineze të sigurisë kombëtare të krijojnë agjenci në Hong Kong, është kritikuar gjerësisht në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar se Kina do të ketë pasoja.
Shtëpia e Bardhë tha se legjislacioni për sigurinë kombëtare i propozuar nga Kina për Hong Kongun mund të çojë në sanksione nga ana e SHBA dhe të kërcënojë statusin e qytetit si qendër financiare.
Në komentet e bëra të dielën për televizionin NBC, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien tha: “Duket se me këtë ligj të sigurisë kombëtare, ata në thelb do të marrin nën kontroll Hong Kongun. Nëse kjo ndodh, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo mund të mos jetë në gjendje të konfirmojë se Hong Kongu ruan një shkallë të lartë autonomie dhe kjo do të çonte në sanksione që do të vendoseshin mbi Hong Kongun dhe Kinën.”
“Është e vështirë të shihet se si Hong Kongu mund të mbetet një qendër financiare aziatike nëse Kina vendos kontrollin mbi të,” tha zoti O’Brien. Korporatat globale nuk do të kishin asnjë arsye për të qëndruar atje, tha ai.
“Një arsye që ato shkuan në Hong Kong ishte se atje kishte sundim të ligjit, ekzistonte një sistem i sipërmarrjes së lirë, ekzistonte një sistem kapitalist, kishte demokraci dhe zgjedhje lokale legjislative. Nëse të gjitha këto hiqen, nuk mund ta kuptoj se si bashkësia financiare mund të qëndrojë atje”, tha zyrtari i lartë amerikan.
NERVOZIZËM DHE DËSHPËRIM
Të dielën pasdite, mijëra njerëz u mblodhën në qendrat tregtare Causeway Bay dhe Wanchai, duke hedhur parulla antiqeveritare dhe duke kënduar “Lavdi Hong Kongut” – një himn jozyrtar i lëvizjes protestuese kundër qeverisë, e cila filloi në qershorin e kaluar.
Demonstrata e pamiratuar fillimisht kishte për qëllim protestën kundër një ligji tjetër të diskutueshëm që do të kriminalizonte talljen e himnit kombëtar kinez, por plani i Kinës për të futur ligjin e sigurisë kombëtare, i cili u shpall javën e kaluar në takimin vjetor të asamblesë kombëtare në Pekin, bëri që numri i njerëzve që dolën në rrugë të dielën të ishte edhe më i madh.
Në kontrast me atmosferën gazmore të protestave të miratuara në të kaluarën, një ndjenjë nervozizmi dhe dëshpërimi mbizotëronte në protestën e pamiratuar të dielën. Protestuesit thanë se ndiheshin të pafuqishëm përballë dekretimit të afërt të ligjit të sigurisë kombëtare, i cili pothuajse me siguri do të miratohet javën e ardhshme në Asamblenë Kombëtare Popullore të Kinës.
“E di se është e rrezikshme të dal sot, por jam këtu pikërisht sepse ligji i sigurisë kombëtare është mjaft i rrezikshëm,” tha një 63 vjeçar në karrige me rrota, i cili nuk pranoi të jepte emrin e plotë.
Një grua 64-vjeçare që gjithashtu nuk donte të jepre emrin, tha se dëshironte të “mbështesë të rinjtë”.
“Ndihem shumë keq për fëmijët dhe nipërit tanë, sepse ata do të duhet të jetojnë nën ligjin e sigurisë kombëtare të Kinës,” tha ajo.
Një baba i ri i veshur me të zeza i cili mbante për dore dy djemtë e tij të vegjël, tha: “Ne nuk i kemi bërë kujt keq. Janë ata që kanë frikë, jo ne.”
Një i ri tundëte një flamur me mesazhin “Pavarësi për Hong Kongun” dhe tha se dëshiron të bëjë “atë që duhet”, edhe nëse do të duhej të shkonte në burg sipas ligjit të ri të imponuar Hong Kongut.
Shumica e parullave që hidhnin protestuesit ishin të tilla si “Luftë për liri, qëndroni me Hong Kongun” janë përdorur shpesh në protestat e kaluara, por parulla “Pavarësia e Hong Kongut, mënyra e vetme” u dëgjua për herë të parë, gjë që flet për antagonizmin në rritje të njerëzve ndaj Kinës.
Deri tani, protestuesit kanë patur kryesisht në shënjestër qeverinë e Hong Kongut, pasi ligji i diskutueshëm i ekstradimit i cili shkaktoi protestat, ishte iniciuar siç thuhej nga qeveria e qytetit.
Policia përdori gazin lotsjellës vetëm 30 minuta pas fillimit të tubimit paqësor, duke i bërë protestuesit të vraponin nëpër rrugët anësore ndërsa dyqanet dhe ndërtesat u mbyllën me shpejtësi. Policia më vonë përdori pompat e ujit mbi protestuesit. Disa protestues prishën semaforë, bllokuan trafikun me kazanët e plehrave, shkulën tulla dhe ndezën zjarre të vegjël.
Policia tha se të paktën tre oficerë u lënduan të goditur me tullat e hedhura kundër tyre.
Ata thanë se nga ndërtesat ishin hedhur shishe qelqi. Deri në orët e vona të pasdites, policia tha se më shumë se 120 persona ishin arrestuar, kryesisht nën akuzat për grumbullim të paligjshëm.
“Policia është duke ndërmarrë një veprim të vendosur për të bërë arrestime dhe për të ndalur veprimet e paligjshme dhe të dhunshme,” thuhej në një deklaratë.
Më herët gjatë ditës, më shumë se 20 politikanë dhe aktivistë pro-demokracisë organizuan protesta më të vogla në grupe me nga tetë vetë, për të respektuar rregullat e distancimit, përpara zyrës së Kinës në Hong Kong, kundër ligjit të propozuar të sigurisë kombëtare.
“Nën një tiran, askush nuk është i sigurt,” tha ish-ligjvënësi Leung Kwok-Hung. “Me ligjin e ri të sigurimit të shtetit, askush nuk është i sigurt,” tha ai./VOA/