Akti anti-COVID i qeverisë “mban peng” procesin e vetingut

Ndërsa Shqipëria po shkon drejt hapjes së plotë, procesi i vetingut ka ngelur në vendnumëro prej marsit për shkak të aktit ende të pashfuqizuar të qeverisë për masat e veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore.

Shqipëria po shkon drejt hapjes së plotë pas emergjencës së shkaktuar nga përhapja e koronavirusit të ri SARS-CoV-2, por procesi i vetingut ka mbetur në vendnumëro që prej 12 marsit, kur seanca e fundit publike u zhvillua në prag të vendosjes së gjendjes së ndalim-qarkullimit.

Rifillimi i seancave dëgjimore pengohet nga akti normativ i qeverisë nr.9, datë 25 mars 2020, i miratuar me ligjin nr.30/2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i tha BIRN se seancat dëgjimore do të rinisin menjëherë pas shfuqizimit të aktit normativ. Megjithatë, është ende e paqartë se kur kjo do të ndodhë.

“Aktualisht, Komisionerët dhe stafi ndihmës po punojnë intensivisht me dosjet për rivlerësimin e subjekteve. Menjëherë pas shfuqizimit të këtij akti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ju garanton se pa asnjë vonesë do të rifillojë edhe me seancat publike, duke e plotësuar kështu deri në fund zinxhirin e procesit të punës së tij,” tha KPK përmes zëdhënëses.

LEXO EDHE  Ngjarja horror në Kombinat, trupi i pajetë i Anisa Josifit ishte mumifikuar/ Detajet e reja

KPK tha gjithashtu se përmes një protokolli të veçantë ka marrë të gjitha masat organizative për zhvillimin e veprimtarisë së Komisionit edhe në seancat dëgjimore, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për pjesëmarrësit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po shkon drejt vitit të tretë të mandatit të vet 5-vjeçar dhe deri më tani ka shqyrtuar vetëm 1/3 e subjekteve të rivlerësimit. Seanca e parë dëgjimore u zhvillua në mars 2018 dhe prej asaj kohe kanë kaluar në veting 245 gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmës ligjorë nga rreth 800 subjekte gjithsej.

Akti normativ i qeverisë ka penguar edhe aktivitetin e Komisionerit Publik si dhe seancat në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Prej 12 marsit, Komisioneri Publik ka pezulluar ankimet ose mosankimet ndaj vendimeve të shkallës së parë të vetingut.

Në një përgjigje më 12 maj, Komisioneri Publik i tha BIRN se akti normativ i 25 marsit i ka pezulluar të gjitha afatet e ankimit në veprimtarinë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë. Zhbllokimi i kësaj situate ndodhet tashmë në duart e qeverisë./Reporter.al