Shkarkimi i Rudina Hajdarit nga kreu i grupit parlamentar demokrat, nuk është veçse një etapë e trishtë e një historie qesharake. Kjo jo për faktin se ajo do të zëvendësohet nga një personazh si Myslym Murrizi, por se ajo është pjesë e një trajektoreje groteske.
Rudina, që u katapultua në politikë nga Basha vetëm për hir të trashëgimisë biologjike -për shkak se e kishte lënë që e vogël Shqipërinë-, u shndërrua në targetin e barcaletave të kundërshtarëve të saj socialistë. Por, shumë shpejt opozita vendosi të djegë mandatet, Rudina që pak javë para kësaj kishte deklaruar se do të dorëzonte të sajin, bëri të kundërtën dhe në situatën e re politike ajo u shndërrua nga barcaletë në ikonën e socialistëve.
Ata që e përqeshnin dikur për fjalorin e kufizuar, për fjalimet me theks “british” që mbante në Kuvend, për naivitetin dhe sjelljen prej ufoje në një arenë gladiatorësh, sot e servirin si një heroinë që po vetësakrifikohet për ndryshim sistemi. Madje Taulant Balla arriti deri atje sa të thotë që inspirohet nga fjalët e saj.
Përkëdheljet nuk qenë vetëm me fjalë.
Kundër çdo ligji dhe rregulloreje parlamenti Hajdari u ndihmua të ngrinte grupin e saj parlamentar. Pushtetit i duhej një dordolec që ta shëtiste nëpër botë si opozitë reale. Prandaj, ndonëse ajo nuk mund të krijonte grupin e vet parlamentar së paku deri në shtatorin e 2019, Gramoz Ruçi u tregua tejet zemërgjerë, me bijën e njërit prej kundërshtarëve të tij më të egër. Rregullorja e parlamenti e kishte të shprehur qartë se nëse një deputet largohet nga një grup, ai nuk mund t’i bashkohet një tjetri pa kaluar gjashtë muaj nga data e largimit (Neni 15 pika dy e rregullores së Kuvendit). Pra Hajdari nuk mund të bëhej kryetare dhe as Myslim Murrizi, që sot po i zë vendin, nuk kishte mundësi të bëhej anëtar. Ata duhet ta kalonin përmes filtrit gjashtë mujor për të kapërcyer ylberin.
Në këmbim të këtyre favoreve socialistët e merrnin Rudinën me vete si velinë në takimet ndërparlamentare ku flitej për integrimin e vendit. Madje asaj i ofruan një vend “të respektuar” edhe në tryezën e reformës zgjedhore. Por kjo përkujdesje nga pushteti nxiti xhelozinë e deputetëve të tjerë, të opozitës fallco, të cilët nuk ishin futur në Parlament, për ndonjë bindje, por për të kapur ndonjë llokmë. Dhe kështu, në 10 tetorin e shkuar, një numër i madh burrash të prirë nga Korab Lita, Albert Zeneli dhe Halit Valteri, u mblodhën në 10 tetor për t’i vënë stërkëmbësh një gruaje sa të brishtë aq edhe naive, Rudina Hajdarit.
Me një gjuhë çapraz, me argumenta haluçuinantë ata thanë se Rudina i kishte turpëruar me gafat skandaloze që ka bërë në Kuvend, se u kishte vjedhur shumë rrugë jashtë shtetit, duke i shërbyer qeverisë krahas Gramoz Ruçit e Taulant Ballës dhe vendosën ta shkarkonin.
Pa i dëgjuar fare argumentat e saj, meshkujt deputetë morën vendimin se ajo e “pranoi dorëheqjen” dhe votuan për t’i zënë vendin. Me një votim ‘blitz’ postin e saj në krye të opozitës parlamentare e zuri Korab Lita, cili sfidën më të madhe intelektuale në jetë e ka pasur të shërbejë si zëvendës i Xhelal Mziut në Bashkinë e Kamzës.
Mes këtij mish mashi qesharak, ku shumëkush e ndryshoi votën disa herë dhe i ktheu qëndrimet sipas erës që frynte, “specialistët” socialistë i erdhën sërish në ndihmë Rudinës. Ata katapultuan disa rekrutë të rinj opozitarë dhe ajo mbeti kryetare e grupit.
Ndërkohë, herë me një sinqeritet fëmijënor dhe herë në rolin e idiotit të dobishëm, Rudina të cilës opozita e vjetër u mundua t’i kundërvërë edhe të vëllain, përpiqej të krijonte profilin e saj politik. Nëse servilizmi ndaj ambasadorëve servilë të qeverisë i mbeti i njëjtë, ai i shtoi replikat me Ramën. Rubikonin e kapërceu kur priti në Kuvendin e Shqipërisë përfaqësuesit e 50 mijë firmëtarëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ajo aty u betua për një gjë nuk e donin as PS, as PD dhe as LSI, duke i shndërruar listat e hapura në mision të saj.
Nuk dihet nëse ishte kjo pika që derdhi gotën, por kësaj here burrat socialistë si Gramozi dhe Taulanti nuk po angazhohen më për shpëtimin e ushtares që dikur i duhej aq shumë. Ndoshta ata e kanë gjetur gjuhën më kollaj me meshkujt e tjerë që rrëzuan Hajdarin dhe zgjodhën Murrizin. Ndoshta ata u lodhën duke punuar tërë kohën për Rudinën. Ndoshta e kuptuan se nuk ia vlente më të insistonin për të mbrojtur një gjë që ia dhanë në mënyrë të jashtëligjshme, kur i prenë si kostum “sur mesure” një grup parlamentar enkas për të.
Në fund të fundit, ndoshta dhe u mërzitën nga shpërthimet e saj të paplanifikuara. Kështu, në harkun e diçka më shumë se një viti, Rudina që “gënjeu” për djegjen e mandatit, është një deputete që nuk e duan më as PD dhe as PS.
Vetëm në këtë pikë, ajo që Basha e katapultoi për hir të trashigimisë biologjike, po ndjek rrugën e të atit. Edhe Azemin e mbanin larg të dyja palët, por me ndryshimin e vetëm se atë e kishin frikë dhe e merrnin seriozisht. /Lapsi.al