Nga BoldNews.al
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vendosur se Ardian Dvorani do të qëndrojë në detyrë.
KLGJ e ka mbajtur këtë qëndrim, shumë javë përpara se t’u drejtohej për opinion Euralius-it e OPDAT-it, në Maj 2020, duke ngritur pikëpyetje për qëllimin e vërtetë të përfshirjes së misioneve ndërkombëtare në këtë çështje.
Në një shkresë drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, e cila daton në 10 Mars 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor ia ka bërë të qartë kreut të Shtetit se anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, do të vijojë detyrën, pavarësisht se i ka përfunduar mandati rreth 6 vjet më parë.
“Boldnews.al” ka siguruar komunikimin ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Presidentit të Republikës, në bazë të një kërkese për informim.
Në shkresën e Marsit 2020, evidentohen të paktën 3 elementë, të cilët i kundërvihen njëri tjetrit.
Së pari, Këshilli i Lartë Gjyqësor pranon se pozicioni i Ardian Dvoranit është i lirë, pra ai duhet zëvendësuar.
Por, dy elementët e tjerë të shkresës janë tërësisht në kundërshtim me pikën e parë.
Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor, megjithëse pozicioni i Dvoranit është i lirë, ai do të vijojë të qëndrojë në detyrë.
Dhe, pika e tretë, por jo më pak e rëndësishme, qëndrimi në detyrë i Dvoranit, shumë kohë përtej përfundimit të mandatit, nuk dihet se sa do të zgjasë.
Pas zbulimit të këtij letër-këmbimi, mbetet e paqartë se përse dy muaj më pas, në 5 Maj 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkon opinion nga misionet EURALIUS dhe OPDAT për një çështje, të cilën ajo e ka të ezuruar.
Duket se KLGJ ka vendosur të fsheh pas “ndërkombëtarëve” qëndrimin e tij të mëhershëm, sidomos pas një ndërhyrjeje “rastësore” të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Diplomatja amerikane zhvilloi një takim formal me anëtarin e Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani në 4 Maj 2020, pra vetëm një ditë para se “qeveria” e gjyqësorit të vendoste për t’iu drejtuar për një opinion misioneve të huaja të asistencës.
Takimi mes Dvoranit dhe Yuri Kim u prezantua në publik si një bisedë për rikthimin në aktivitet të plotë të Gjykatës së Lartë.
Por, koha e zgjedhur për këtë takim u lexua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor si një mekanizëm për të ndarë përgjegjësinë me misionet ndërkombëtare.
Lëvizja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dëshmon për dobësinë e institucioneve të reja, të krijuara nga Reforma në Drejtësi. Duket se strukturat e riformatuara të drejtësisë nuk janë në gjendje që të marrin vendime të pavarura, referuar Kushtetutës dhe kuadrit ligjor.
KLGJ “e bindur” për mbajtjen e Dvoranit
Në 9 Mars 2020, Presidenti i Republikës i dërgon një shkresë Këshillit të Lartë Gjyqësor, në të cilën kërkohen sqarime mbi procedurat për caktimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, si edhe mbi mandatin e anëtarit të vetëm në detyrë deri në atë kohë, Ardian Dvorani.
Kjo kërkesë e Metës ishte në vijim të një përplasjeje të fortë institucionale mes kreut të Shtetit dhe gjyqtarit Ardian Dvorani, i cili mban njëkohësisht edhe postin e drejtuesit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, strukturë përgjegjëse për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Vetëm një ditë pas kërkesës së Metës, në 10 Mars 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor i kthen përgjigje rreth 10 faqe të gjatë, në të cilën sqaron hapat e ndjekura prej saj për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, bazuar kryesisht në interpretime kushtetuese dhe ligjore.
Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor, numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë vijon të mbetet 19, aq sa përcaktonte një ligj i vitit 2013, i shfuqizuar në vitin 2016, në kuadër të paketës së Reformës në Drejtësi.
Por, përsa kohë Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka përcaktuar ende numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të gjithë veprimet e saj të deritanishme i referohen shifrës së përcaktuar në ligjin e shfuqizuar.
KLGJ i relaton Presidentit Meta se, nga 19 poste që kishte Gjykata e Lartë, në detyrë kanë qenë vetëm 17. Nga këta, 7 kanë qenë të zgjedhur nga radhët e jo-gjyqtarëve dhe pjesa tjetër kanë qenë nga radhët e gjyqësorit.
Ndërkohë, formula e re për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, përcakton se numri i anëtarëve jo-gjyqtarë është sa një e pesta e të gjithë trupës. KLGJ parashikon që, në shifra reale, numri i anëtarëve jo-gjyqtarë, nuk do të jetë më shumë se sa 4.
Këshilli i Lartë Gjyqësor pranon se pozicioni i Ardian Dvoranit është i lirë, për shkak të mbarimit të mandatit, ashtu si edhe të gjithë postet e tjera të mbajtura më parë nga anëtarë nga jo-gjyqtarë.
KLGJ sqaron se, në bazë të ndryshimeve ligjore, numri i anëtarëve jo-gjyqtarë rrudhet nga 7 në 4 gjyqtarë.
Por, për arsye të pasqaruara qartësisht në shkresë, KLGJ ka vendosur që të hapë vakanca vetëm për 3 anëtarë jo-gjyqtarë. Dhe, për më tepër, nga këta 3 anëtarë të rinj, asnjëri nuk do të zëvendësonte Ardian Dvoranin.
Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor “…asnjë nga 3 kandidaturat e propozuara për emërim (nga radhët e anëtarëve jo-gjyqtarë) nuk zëvendëson nominalisht gjyqtarin në detyrë, Ardian Dvorani”.
Në rastin konkret, KLGJ i referohej kandidaturave jo-gjyqtarë, Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, të cilët u dekretuan si anëtarë të Gjykatës së Lartë vetëm pak ditë pas këtij letër-këmbimi mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Presidentit të Republikës.
Çështja e Dvoranit nuk mbyllet me kaq. Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton Presidentin e Republikës se, ndërkohë, është shpallur vakanca edhe për postin e katërt jo-gjyqtar.
Por, referuar interpretimit të dhënë nga KLGJ, edhe me emërimin e anëtarit të katërt dhe të fundit jo-gjyqtar, sërish pozicioni i Ardian Dvoranit nuk cënohet.
“…Pozicionet e lira të shpallura nuk janë të lidhura nominalisht me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, të cilëve iu kishte mbaruar mandati dhe nuk kanë vijuar ushtrimin e detyrës”, thotë KLGJ në shkresën për Presidentin.
Pra, për Këshillin e Lartë Gjyqësor, zëvendësimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk lidhet me origjinën profesionale të paraardhësve të tyre. KLGJ, thjesht dhe vetëm duhet të plotësojë 19 vakancat në gjykatën supreme sipas formulës së re, katër jo-gjyqtarë dhe 15 gjyqtarë, pa iu referuar ndarjes së mëparshme.
Këshilli i Lartë Gjyqësor e zgjeron këtë qëndrim më tej. “Kushtetuta dhe ligji nuk parashikojnë zëvendësim strikt të vendit vakant nga gjyqtari i larguar i Gjykatës së Lartë…Në çdo rast, gjyqtari i Gjykatës së Lartë në momentin e emërimit/zgjedhjes, së tij merr një mandat të plotë 9-vjeçar, duke mos qenë i rëndësishëm specifikimi i vendit të gjyqtarit që zëvendëson”.
Në terma më të thjeshtë, anëtarët jo-gjyqtarë që do të zgjidhen sipas formulës së re, nuk zëvendësojnë vendet vakante të ish-anëtarëve të emëruar nga radhët e juristëve të spikatur.
Më thjeshtë akoma, Ardian Dvorani, megjithëse i zgjedhur nga jo-gjyqtarët, nuk do të thotë domosdoshmërisht që do të zëvendësohet nga anëtarët e rinj që vijnë nga radhët jashtë gjyqësorit.
Këmbëngulja e Metës
Presidenti Ilir Meta, dukshëm i pakënaqur nga kjo përgjigje, i ka dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor një shkresë tjetër, në 10 Prill 2020.
Objekti i shkresës ishte: “Mbi ndërprerjen e qëndrimit të mëtejshëm në detyrë të z. Ardian Dvorani si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kryesimin e mëtejshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.
Bazuar në këtë kërkesë, KLGJ zhvilloi dy seanca, pa dalë në një vendimmarrje konkrete. Në 5 Maj 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi, me shumicë votash, t’i drejtohet për opinion misioneve ndërkombëtare të asistencës, EURALIUS dhe OPDAT.