Nga Boldnews.al
Kryeqyteti shqiptar, Tirana, u zgjua nën zhurmën e protestës qytetare, të cilët kundërshtojnë shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, i cili u bë fakt i kryer nga fadromat e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë, për t’i hapur rrugën një projekti kontravers ndërtimi kullash tregtare.
Prej muajsh, artistët ishin shndërruar në barrikadë njerëzore kundër projektit të shkatërrimit të Teatrit Kombëtar, i cili mban firmën e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Shembja e simbolit të trashëgimisë kulturore shqiptare, i marrë nën mbrojtje të posaçme edhe nga “Europa Nostra”, u realizua në një kohë që qytetarët shqiptarë janë në kushtet e izolimit, për shkak të masave mbi parandalimin e Covid-19.
Një situatë e ngjashme, në kushtet e “errësirës” pandemike, është zhvilluar së fundmi edhe në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.
Autoritetet lokale atje vendosën të prishin shenjat e shtëpisë së lindjes së Shenjtores me origjinë shqiptare, Nënë Tereza, të cilat gjendeshin në qendër të qytetit, me qëllim hapjen e rrugës për ndërtimin e një projekti privat.
Organizatat e trashëgimisë kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut reaguan ashpër, duke e cilësuar vendimin e Bashkisë së Shkupit për heqjen e shenjave simbolike të Nënë Terezës si një cënim të bashkëjetesës fetare.
Sipas kritikëve, autoritetet maqedonase shfrytëzuan izolimin e qytetarëve për shkak të pandemisë, për të realizuar shkatërrimin e simbolit të trashëgimisë kulturore dhe historike në qendër të kryqytetit.
Në një përgjigje për protestuesit, kryebashkiaku i Shkupit nga partia qeverisëse LSDM, Petre Shilegov, kritikon palët që nuk kanë reaguar kur sheshi iu dha 10 vjet më parë një kompanie private nga Shqipëria, “Amadeus Group” për investimin e një projekti të ngjashëm me “Shkallët Spanjolle”.
Pandemia për shkatërrim
Në të dy rastet duket qartë se autoritetet shtetërore kanë vepruar kundër kulturës dhe trashëgimisë historike në periudhën e “errësirës” sociale.
Qytetarët në Shkup e në Tiranë, si në shumë vende të tjera të botës, prej më shumë se dy muajsh kanë qenë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, si një formë për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19.
Por, kjo situatë nuk ka penguar autoritetet që të veprojnë për të realizuar projektet e tyre kontraverse, në dëm të interesave publike.
Në Shkup, situata ka qenë më e thjeshtë. Shenjat e shtëpisë së lindjes së Shenjtores Nënë Terezë, të cilat ishin lehtësisht të lëvizshme, janë hequr brenda një nate të vetme, larg syve të qytetarëve.
Ndërsa në Tiranë, autoritetet kanë shfrytëzuar masat penalizuese të parashikuara për Covid-19, me qëllim që të dekurajojnë angazhimin e qytetarëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Gjatë ditëve të fundit, policia shqiptare ka njoftuar se ka gjobitur si edhe u ka hequr lejen e drejtimit të automjeteve, drejtuesve më të lartë opozitarë dhe një duzine artistësh e qytetarësh, të cilët thyen fashat orare të lejuara për qarkullim, duke qëndruar në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar.
Pavarësisht këtyre penaliteteve, artistët, qytetarët dhe eksponentët opozitarë nuk u larguan nga ambjentet e jashtme të Teatrit.
Ata ishin aty deri në orët e para të mëngjesit të së Dielës, kur u larguan me dhunë policore, të cilat i hapën rrugën mjeteve të rënda të Bashkisë së Tiranës, të cilat rrafshuan përfundimisht godinën.