“Helmi i gjarprit”/ Frikë nga SPAK, anulohet tenderi 1.5 mln euro i paracaktuar për “Farma Net Albania”

Nga BoldNews.al

Autoritetet shëndetësore janë tërhequr nga një tender 1.5 milionë euro, për të cilin kishte të dhëna të shumta se kompania “Farma Net Albania” ishte fituesi i paracaktuar.

Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor njoftoi së fundmi se është anuluar procedura e prokurimit publik për “Blerje barnash dhe materiale mjekësore për qendrat shëndetësore të Shqipërisë”.

Tenderi është anuluar që në datë 16 Prill, kur ishte edhe dita e shpalljes së tij. Por, Operatori, i drejtuar nga Mirela Cami, e ka shpallur vendimin për anulimin rreth 3 javë pas anulimit.

Në bazë të argumentit zyrtar, Operatori njofton se anulimi i tenderit ka ardhur për shkak se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit”.

Por, përtej këtij justifikimi, duket se Operatori i Kujdesit Shëndetësor, i drejtuar nga Mirela Cami, ka gjetur një zgjidhje “diplomatike” për të shmangur një përballje të mundshme ligjore, për shkak të kushteve dhe kritereve, të cilat paracaktonin fituesin e 1.5 milionë eurove.

Tender i paracaktuar
“Boldnews.al” ka raportuar më parë se ky tender ka qenë i paracaktuar në favor të kompanisë “Farma Net Albania”. Dyshimet e redaksisë u mbështetën në disa elementë. Ishin disa detaje të vogla, por që bënin diferencën.

Ky lloj tenderi, për blerje barnash dhe materialesh mjekësore, është zhvilluar më parë nga Qendrat Shëndetësore të qyteteve. Për herë të parë, ai u përqëndrua në një ‘dorë të vetme”, duke u organizuar nga Operatori Qendror i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Tenderi ishte pa lote dhe parashikonte që fituesi i merrte të gjitha, pavarësisht se objekt i tenderit ishte i përbërë nga mallra të ndryshme.

Dhe, mbi të gjitha, tenderi parashikonte që, fituesi duhet të kishte në dispozicion, ndër të tjera, edhe medikamentin “Viper Venom Serum” në flakon 5 mililitra. Këtë produkt, me këto specifikime, në Shqipëri e qarkullon vetëm kompania “Farma Net Albania”.

Pra, dukej qartë që “ilaçi kundër helmit të gjarprit” në flakon 5 mililitra ishte “bileta fituese” e kompanisë “Farma Net Albania”.

LEXO EDHE  Wadephul tjetër shuplakë Ramës për 5 Qershorin: Gjeni konsensusin për listat zgjedhore

Në këtë lojë tenderash duket se nuk mbetet jashtë edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Medikamenti “Viper Venom Serum” është një ilaç i paregjistruar në Shqipëri. Sipas ligjit mbi mendikamentet, ilaçet e paregjistruara mund të qarkullojnë në vendin tonë vetëm me një autorizim të posaçëm të Ministrit të Shëndetësisë.

Kompania “Farma Net Albania” e ka marrë autorizimin për qarkullimin e këtij medikamenti në vitin 2018, kohë në cilën Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Manastirliu, detyrë që e mban edhe sot.

Pra, duket se gjithçka ishte përgatitur më së miri dhe “Farma Net Albania” të shpallej fituese e tenderit me fond limit rreth 1.5 milionë euro.

Por, duket se diçka ka ndodhur, sidomos pas serisë së publikimeve nga ana e “Boldnews.al” lidhur me dyshimet për këtë tender.

“Anulimi” dhe SPAK
Titullari i Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami, ka vendosur anulimin e tenderit, duke gjetur si argument mungesën e plotësimit të kritereve nga konkurentët.

Ky anulim vjen në një moment kur Prokuroria Speciale-SPAK-ka hapur hetime penale për një seri tenderash të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe strukturat vartëse të saj, kryesisht gjatë periudhës Mars-Prill 2020.

Historia e tenderave të dyshimtë “sekretë” u publikua fillimisht në “Boldnews.al” dhe më tej u avancuan nga Partia Demokratike në formën e kallëzimeve penale, të cilat u dorëzuan në SPAK.

Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka njoftuar se ka nisur procedura audituese pas publikimeve mediatike për tenderat “sekretë” që lidhen me pandeminë Covid-19”.

Nën këtë situatë “mbikqyrjeje”, duket se Operatori i Mirela Camit ka vendosur të bëj një “prapa-kthehu” në tenderin e paracaktuar për “Farma Net Albania”.

Ndërkohë, ende nuk ka një datë se kur mund të ri-hapet tenderi për “blerje barnash dhe materiale mjekësore për qendrat shëndetësore të Shqipërisë”.