Është shumë herët të dihet se sa vdekjeprurës do të jetë, por vlerësimet sugjerojnë që midis 0.5 dhe 3.4 për qind të personave që infektohen me koronavirusin vdesin.
Dallimi mes këtyre përqindjeve mund të jetë si dallimi mes dhjetëra mijëra dhe miliona njerëzve që vdesin nga pandemia. Ndryshimi në këtë përllogaritje varet nga shumë faktorë, përfshirë ndryshimet në mënyrën e llogaritjes dhe raportimit të vdekjeve në të gjithë botën, si dhe vështirësinë në përcaktimin e numrit total të personave të infektuar nga virusi.
Sa njerëz në fund do të vdesin nga sëmundja varet gjithashtu edhe nga fakti se sa njerëz do të jenë të ekspozuar ndaj virusit, që po ashtu varet nga një sërë faktorësh të tjerë.
Më shumë se 257,239 njerëz në mbarë botën kanë vdekur nga COVID-19.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën, me gati 9.5 milionë vdekje çdo vit.
Kjo pasohet nga goditja në tru, një grup sëmundjesh të mushkërive të quajtura sëmundje kronike pulmonare, dhe infeksionet në rrugët e frymëmarrjes, ku përfshihen edhe pneumonia dhe gripi.
Tre nga gjashtë shkaqet kryesore të vdekjeve globale kanë të bëjnë me problemet me mushkëritë ose frymëmarrjen, që është gjithashtu i njëjti lloj i problemeve tek rastet më të rënda të të infektuarve me Covid-19.
Shkaqet e vdekjeve të përditshme
Mesatarisht 25,844 njerëz në të gjithë botën vdesin nga sëmundjet e zemrës në ditë.
Më 5 maj, 5,702 njerëz vdiqën nga Covid-19. Ky numër e bën koronavirusin më vdekjeprurës se alcajmeri (5,458) ose kanceret në rrugët e frymëmarrjes (4,679).
Numri i njerëzve që vdesin nga Covid-19 ndryshon në varësi të një sërë faktorësh, përfshirë cilësinë dhe disponueshmërinë e kujdesit shëndetësor, klimën dhe ekonominë.
Ekzistojnë dy koncepte themelore që përdoren për parashikimin e numrit të vdekjeve, shkalla e vdekshmërisë dhe ajo infeksionit.
Shkalla e vdekshmërisë
Shkalla e vdekshmërisë tregon se sa për qind e njerëzve të infektuar me virusin do të vdesin.
Një nga arsyet kryesore që vlerësimet e vdekshmërisë për koronavirusin ndryshojnë aq shumë, është për shkak të vështirësisë për të ditur saktësisht se sa njerëz janë infektuar me këtë virus.
Shumë vende po llogarisin numrin e tyre të vdekjeve duke përpjestuar numrin e pacientëve që vdesin nga virusi me numrin e pacientëve të rezultuar pozitivë me Covid-19.
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus e përdori këtë metodë në fillim të marsit për të llogaritur shkallën e vdekshmërisë në botë në 3.4 për qind. Megjithatë, kësaj shifre i mungojnë pacientët e patestuar, përfshirë ata me simptoma të buta ose ata pa simptoma, të cilët nuk llogariten asnjëherë zyrtarisht si të infektuar. Në një sistem të përkryer, e gjithë bota do të duhej të testohej për sëmundjen, por kjo ende nuk është e mundur.
Në disa situata është ofruar një testim i tillë universal. Njëri prej tyre ishte ai i anijes turistike Diamond Princess Cruise që u izolua në brigjet e Japonisë, ku gati të gjithë pasagjerët u testuan për virusin. Niveli i vdekjeve në anije rezultoi të ishte 1.2 për qind.
Një grup tjetër i njerëzve që u testuan gjerësisht ishin ata që riatdhesoheshin në vendet e tyre nga Ëuhani, origjina e koronavirusit. Një studim i publikuar në revistën mjekësore The Lancet Infectious Diseases shqyrtoi këto të dhëna dhe vlerësoi se shkalla e vdekshmërisë nga virusi ishte 0.66 për qind.
Shkalla e vdekshmërisë mund të ndryshojë edhe në varësit të vendit dhe rajonit për shkak të dallimeve në kapacitetet mjekësore, përqindjen e popullatës së moshuar ose atyre me sëmundje paraprake, faktorë që dihet se rrisin shanset e vdekjes nga koronavirusi.
Shkalla e infeksionit
Shkalla e infeksionit tregon shpejtësinë e përhapjes së sëmundjes në mesin e një popullate.
Për të mësuar shkallën e infeksionit, zyrtarët duhet të gjurmojnë sa shpesh virusi lëviz nga një person tek tjetri. Epidemiologët përdorin një numër themelor të riprodhimit, ose R0, që përfaqëson numrin mesatar të njerëzve tek të cilët një person i infektuar ka të ngjarë të përhapë virusin. Për shembull, R0/ 2 do të thotë që një person i infektuar do të përhapë sëmundjen mesatarisht te dy njerëz të tjerët, që më pas secili prej tyre e përhapë atë te dy persona të tjerë, dhe kështu me radhë. Në qoftë se ritmi i përhapjes është më pak se një (pra një person i infektuar mesatarisht e përhapë virusin te me pak se një person tjetër) (R0/më pak se 1), kjo do të thotë se sëmundja (ose virusit) është në rënie dhe mund të venitet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se R0 (ritmi i përhapjes së virusit nga një person) për koronavirusin pa ndonjë ndërhyrje është mes 2 dhe 2.5, megjithatë, R0 (ritmi i përhapjes) nuk është i fiksuar për të gjitha viruset. Ai mund të ndryshojë në varësi të një numri faktorësh, përfshirë klimën, praktikat higjienike të një popullate dhe zbatimin e politikave qeveritare për distancim fizik. Ritmi i përhapjes së koronavirusit mund të jetë i ndryshëm në vende, rajone dhe madje edhe qytete, në varësi të veprimeve të ndërmarra nga njerëzit që jetojnë atje.
Numri i njerëzve në një popullatë të caktuar që përfundimisht do të infektohet nga virusi varet nga ritmi i përhapjes së tij dhe numri i njerëzve që mund të jenë imun ndaj tij.
Meqenëse Covid-19 është një virus i ri, besohet se pothuajse të gjithë mund të preken nga ai.
Një studim i bërë nga Kolegji Imperial i Londrës zbuloi se 81 për qind e popullsisë së Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë mund të infektohen nga koronavirusi nëse nuk ndërmerren masa kundër përhapjes së tij. Që nga publikimi i këtij studimi, qeveritë e të dyja vendeve, si dhe qeveritë në mbarë botën, kanë vendosur masa për të kufizuar udhëtimet e banorëve të tyre në përpjekje për të ulur shkallën e infeksionit, dhe për të ulur përqindjen e banorëve me shanse të infektimit.
Duke krahasuar koronavirusin me sëmundje të tjera infektive, gripi sezonal ka prirje të ketë një ritëm të përhapjes prej 1.3 për qind dhe një shkallë vdekshmërie prej 0,1 për qind ose më pak, që do të thotë se është edhe më pak infektiv dhe vdekjeprurës se sa COVID-19.
Fruthi, me një ritëm të përhapjes prej 12 për qind dhe shkallë vdekshmërie prej 15 për qind, është edhe më ngjitës dhe më vdekjeprurës.