Nga Boldnews.al
Një marrëveshje ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe USAID, për të cilën thuhet se synon të ndihmojë Gjykatën e Lartë në përballimin e stokut të dosjeve, duket se fsheh nevojën e kompanisë amerikane për të siguruar një projekt të ri, miliona-dollarësh në Shqipëri, pasi atij aktualit i përfundon mandati pas pak muajsh.
Marrëveshja e Mirëkuptimit parashikon që USAID, nëpërmjet fondeve të saj, të punësojë një trupë “juristësh të zotë”, të cilët do të ndihmojnë stafin aktual të Gjykatës së Lartë për përballimin e rreth 35 mijë dosjeve të akumuluara ndër vite.
Pikëpyetjet
Fondi për pagesën e kësaj trupe juristësh do të përballohet nga programi “Justice for all” i USAID-it, i cili menaxhohet nga “East and West Menagement Institute”.
Por, pikërisht, duke analizuar fondin e pagesës, ngrihen edhe pikëpyetjet mbi qëllimin e vërtetë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit.
Programi “Justice for all” i USAID-it po operon në Shqipëri me një projekt 5-vjeçar, i cili ka nisur në vitin 2016 dhe përfundon në Mars të vitit 2021.
Fondi i këtij projekti është përllogaritur në rreth 10.5 milionë dollarë, të cilat, sipas termave kontraktualë, duhet të shpenzohen deri në përfundimin e tij, në Mars 2021.
Pra, nëse kjo trupë “juristësh të zotë”, që do të krijohet sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes KLGJ dhe USAID, edhe nëse do të niste punën sot, gjë që është e pamunduar, ata do të ishin efektivë të paktën 7-8 muaj, deri në shpenzimin e fondeve të mbetura të “Justice for all”.
Të gjithë aktorët e përfshirë në Marrëveshje e kanë të qartë se angazhimi disa-mujor është aspak i mjaftueshëm për të zbrazur stokun e dosjeve të mbledhura në Gjykatën e Lartë prej vitesh.
Por, me vetëdije e kanë pranuar aktivizimin e një Marrëveshjeje të dyshimtë kushtetuese e ligjore, secila duke bërë llogaritë e saj.
Disa të dhëna të siguruara nga “Boldnews.al” mundohen të japin një këndvështrim alternativ mbi qëllimin e vërtetë të paktit KLGJ-USAID dhe mund të hedhin dritë mbi arsyet e palëve për t’i dhënë udhë një Marrëveshjeje, objekti i të cilës nuk ka bazë kushtetuese dhe ligjore.
“Llogaritë” e USAID
USAID është një nga mbështetësit kryesorë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri prej shumë vitesh. Programi ka dhënë mbështetje të madhe për përmirësimin e infrastrukturës, teknologjisë dhe trajnimeve të zyrtarëve të drejtësisë.
Por, duket se përfaqësuesve të USAID-it në Tiranë i kanë shteruar idetë për të përthithur projekte nga Kongresi Amerikan për të asistuar gjyqësorin shqiptar.
Në bazë të Marrëveshjes me Këshillin e Lartë Gjyqësor, duket se projekti “Justice for all” synon të sigurojë një vijimësi të tij në Shqipëri, të cilat, natyrisht, përkthehen në miliona dollarë për ekspertët e USAID-it në Tiranë dhe kompanisë që do ta zbatojë në terren.
Platforma që do të prezantojë USAID-Albania tek donatorët duket e mirë-kopsitur. Ata kanë një Marrëveshje me Këshillin e Lartë Gjyqësor, me qëllim ndihmesën e Gjykatës së Lartë. Pra, natyrisht, duket se gjithçka është brenda objektivit të USAID në Shqipëri.
E vetmja gjë që i mungon zbatimit të kësaj Marrëveshjeje janë paratë, të cilat përfundojnë në Mars 2021.
Për sigurimin e fondit të ri për ekspertët e USAID-it, është përfshirë në lojë edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili, pas disa muajsh diskutimesh, vendosi të nënshkrojë Marrëveshjen e Mirëkuptimit.
Burime të “Boldnews.al” deklarojnë se brenda Këshillit të Lartë Gjyqësor ka pasur hezitime të shumta për firmosjen e një Akti të tillë.
Juristët e institucionit duket se janë të bindur që “rekrutimi” i një trupe juristësh jo-zyrtarë në Gjykatën e Lartë, nuk gjen mbështetje në normat kushtetuese dhe ligjore.
Por, sërish, KLGJ vendosi të ishte palë në këtë Marrëveshje, për të fshehur, me shumë mundësi, defektet e saj serioze.
“Llogaritë” e KLGJ
Ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri” ngarkon Këshillin e Lartë Gjyqësor për emërimin e ndihmësve ligjorë në Gjykatën e Lartë (Njësia Ligjore).
Aktualisht, Gjykata e Lartë ka mungesë të theksuar të ndihmësve ligjorë. Nga 32 që ishin rreth dy vjet më parë, aktualisht janë në funksion vetëm 9, duke rënduar situatën e trajtimit të dosjeve gjyqësore në gjykatën supreme.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, deri më tani, nuk ka nisur asnjë procedurë për plotësimin e vakancave në radhët e ndihmësve ligjorë të Gjykatës së Lartë.
Për më tepër, KLGJ nuk ka përcaktuar as se sa do të jetë numri i tyre, si edhe i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pavarësisht se ka më shumë se 18 muaj funksionim.
Por, ndërkohë që nga KLGJ-ja pritet të angazhohet për plotësimin e organikës së Gjykatës së Lartë, ajo vendos të përfshihet në një Marrëveshje për “rekrutimin” nga USAID-i të një trupe “juristësh të zotë”, të cilët do të luajnë rolin e “ndihmësve ligjorë”, por që do të zgjidhen në mënyrë ekstra-ligjore dhe me një mandat të paqartë.
E gjitha duket një situatë me non-sense juridikë e logjikë, por që po vijon të zbatohet, duke forcuar gjithnjë e më shumë dyshimet publike se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka probleme të theksuara me kuptimin dhe zbatimin e Kushtetutës.