Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomin deklaroi në një emision televiziv se “bishti” i pandemisë së koronavirusit në Shqipëri mund të arrihet në javën e dytë të qershorit.
Duke komentuar një studim të Universitetit të Singaporit që fliste për efektin e pandemisë, Tomini tha se: “Në disa elemente bashkohem për shkak të zhvendosjes së kurbës epidemike, pra është paraqitur e butë e dhëmbësuar deri diku nga java e 7 dhe e 8 e pandemisë që tregon se nuk ka karakter shpërthyes”.
“Masat mund të zgjasin edhe kohën e largimit të virusit..pesha e masave të marra ndikoi në shfaqjen e butë të pandemisë, vetë karantinimi i gjithë Shqipërisë bëri që të shkëpusim zinxhirin e transmetimit. Mendoj që java e dytë e qershorit sipas parashikimeve do kemi një bisht të pandemisë, por jo zhdukje”, tha ajo në emisionin “Real Story” në News 24.
Ndërkohë, sipas bilancit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i personave të infektuar me koronavirus që nga shfaqja e pandemisë në vend është 750. Ndërsa numri i të prekurve aktivë është 289 persona.