Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtarit Ardit Mustafaj bazohet në mungesën e dokumentimit të huave dhe të ardhurave për blerjen e dy pasurive të patundshme në Tiranë dhe Sarandë.
Gjyqtari Ardit Mustafaj i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u shkarkua nga detyra më 5 mars 2020 për “mungesë burimesh të ligjshme” për të justifikuar pasurinë. Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se gjyqtari Mustafaj nuk arriti të bindte trupën gjykuese për disa hua dhe një pjesë të të ardhurave të deklaruara, të cilat shërbyen si burim për krijimin e pasurive të patundshme në një hark të shkurtër kohor.
Procesi i vetingut për Mustafajn u krye nga trupa e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Olsi Komici. Ardit Mustafaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe prej vitit 2004, ai ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në dhjetor 2019, Mustafaj u emërua përkohësisht gjyqtar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndryshe nga kriteri i pasurisë, Mustafaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Sipas vendimit të KPK-së, gjyqtari Ardit Mustafaj nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve financiare të deklaruara, të cilat shërbyen për shtimin e pasurisë së tij të patundshme me një apartament në Tiranë dhe një apartament në Sarandë.
Apartamenti në Tiranë
Apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 126 m2 është porositur më 28 korrik 2004 dhe është blerë përfundimisht më 10 dhjetor 2007 në vlerën e 58.369 eurove. Për blerjen e kësaj pasurie, Mustafaj ka deklaruar tetë burime: dy kredi, një të marrë në BKT e shlyer plotësisht dhe një kredi nga “Raiffeisen Bank”; të ardhura familjare nga puna; të ardhura nga qiraja; të ardhurat nga shitja e një shtëpie me truall në Sarandë; hua nga kunati; të ardhura nga kurset e bashkëshortes dhe dhuratë nga të afërmit e saj.
Hetimi i këtyre burime financiare të deklaruara, veç pamundësisë financiare të Mustafajt për kryerjen e këtij investimi, ka identifikuar probleme edhe për pronat e tjera. Sipas Komisionit, Mustafaj nuk provoi burimin e dy huave në vlerën totale 2 milionë lekë të marra nga vëllai i bashkëshortes dhe të ardhurat e krijuara nga kjo e fundit nga kurset jashtëshkollore në shumën 850 mijë lekë. Gjithashtu, nuk është arritur të provohet as ligjshmëria e burimeve financiare që kanë shërbyer për ndërtimin e objektit 1+1 në Sarandë me sipërfaqe ndërtimore 120 m2.
Sipas KPK-së, vëllai i bashkëshortes së gjyqtarit ka qenë në pamundësi për dhënien e huasë në vlerën 1 milion lekë në vitin 2004, që është deklaruar prej Mustafajt si një prej burimeve të apartamentit në Tiranë.
Për të provuar ligjshmërinë e burimit të kunatit, gjyqtari Mustafaj ka depozituar dokumentacione që, sipas tij, vërtetojnë disa punësime të huadhënësit, konkretisht si agjent doganor në agjencinë detare dhe spedicioneve; mekanik në tragetin e një shoqërie greke që kryente linjën e udhëtarëve Korfuz-Sarandë; inxhinier mekanik dhe kryeinxhinier në Ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime sh.a., Sarandë si edhe një punësim tjetër part-time.
Komisioni i quan si prova të njënashme deklaratat noteriale të kapitenit dhe marinarëve të tragetit të linjës Korfuz-Sarandë, të cilët kanë deklaruar se huadhënësi ka punuar në periudhën janar 1998 – maj 2001 në këtë anije.
“Aktet e depozituara nga subjekti duket se synojnë të provojnë në mënyrë indirekte punësimin e huadhënësit me pagë mujore 150.000 dhrahmi greke (rreth 75.000 lekë sipas kursit mesatar të Bankës së Shqipërisë në vitin 1998), por nuk dokumentohet dhënia e kësaj shume nga punëdhënësi dhe po ashtu duket se nuk provohet edhe pagimi i detyrimeve tatimore”, konstaton trupi gjykues, duke vendosur të mos përfshijë të ardhurat e siguruara nga ky punësim në analizën financiare për burimet e ligjshme të huadhënësit.
Gjithashtu, trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë bindshëm dhe me dokumentacion ligjor, burimin e ligjshëm të të ardhurave në shumën 850 mijë lekë, që ka deklaruar se janë përfituar prej bashkëshortes nga mësimdhënia e kurseve jashtëshkollore.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar gjithashtu se bashkëshortja e Mustafajt e ka paguar tatimin në burim në masën 15 % në gusht të vitit 2018. Komisioni nuk e ka marrë në konsideratë pagesën e tatimit në burim në vitin 2018, duke argumentuar se ky veprim duhej të ishte kryer vite më parë, kur kishte ndryshuar legjislacioni.
Trupi gjykues vlerëson se Mustafaj e ka pasur gjithë mundësinë për ta pasqyruar në deklaratën e vitit 2003 vlerën 850 mijë lekë të pretenduar si të përfituar nga bashkëshortja prej kurseve të matematikës, gjë që nuk e ka bërë.
Mustafaj i ka kërkuar KPK që të pranojë pagesën e tatimit të këtyre të ardhurave, ashtu si ka vepruar në rastin e pagesës së tatimit me vonesë, në vitin 2014, të të ardhurave nga qiraja e përfituar në vitet 2004 − 2006 prej apartamentit në Sarandë.
Por, sipas trupit gjykues, situata nuk është e njëjtë, si nga mënyra e deklarimit të këtyre të ardhurave, ashtu edhe për faktin se tatimi i qirasë është paguar para daljes së Ligjit për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ndërsa për të ardhurat nga kurset është kryer pas plotësimit të deklaratës veting.
Komisioni hetoi edhe lidhur me ligjshmërinë e krijimit të shumave të dhuruara bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit nga familjarët e saj. Gjatë procesit të rivlerësimit, Mustafaj ka deklaruar se shumat e dhuruara bashkëshortes para martesës janë 200 mijë dhrahmi dhe 1.898 USD.
Në vendim thuhet se prindërit e bashkëshortes së Mustafajt, nga viti 1996 kanë qenë në pension dhe se të ardhurat e tyre rezultojnë në nivel minimal për të përballuar shpenzimet e jetesës dhe KPK konsideron se nuk kanë pasur mundësi për dhurimet e kryera në vlerat 200 mijë dhrahmi dhe 1.898 USD.
Për këto arsye, Komisioni nuk ka përfshirë në analizën financiare të likujdimit të shumës 58.369 euro, huanë e marrë nga kunati në vlerën 1 milion lekë; çmimin e shitjes së shtëpisë me truall në Sarandë në shumën 1.8 milionë lekë si edhe të ardhurat nga kurset e mësimdhënies së bashkëshortes dhe dhurimet e familjarëve të saj. Në përfundim, analiza financiare e vitit 2004 ka rezultuar me një balancë negative në vlerën 2.7 milionë lekë
Apartamenti në Sarandë
Përveç blerjes së apartamentit në Tiranë, KPK arsyeton në vendim se gjyqtari Mustafaj nuk arrin të justifikojë edhe blerjen e një apartamenti prej 54 m2 në Sarandë për 22 mijë euro në vitin 2003.
Sipas KPK ai nuk ka justifikuar dot burimin e ligjshëm të shumës 1.7 milionë lekë marrë hua nga shtetasi Gj. D., një pjesë e së cilës ka shërbyer edhe për ndërtimin e objektit 1+1 po në Sarandë. Gjithashtu nuk janë konsideruar në analizë një pjesë nga të ardhurat e bashkëshortes para martesës, pasi nuk është provuar ligjshmëria e tyre.
I pyetur në lidhje me burimin e të ardhurave të huadhënësit, Mustafaj ka deklaruar se shtetasi Gj. D. ka pasur dhe ka aktivitet privat në fushën e prodhimit të brumit dhe pastiçerisë.
Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se shtetasi Gj. D. në periudhën 2002 – 2003 kur është dhënë huaja ka marrë disa kredi. “Nga të dhënat e pasqyruara, duket se huadhënësi ka qenë në vështirësi financiare, pasi brenda tri (3) viteve ka marrë tri kredi në total në shumën 3.100.000 lekë,” citohet në vendim.
Trupi gjykues nuk ka marrë në konsideratë dokumentet e administruara për vlerësimin e të ardhurave të huadhënësit dhe bashkëshortes së tij, pasi Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Dega Sarandë ka konfirmuar listëpagesa që nuk përkojnë me periudhën e huadhënies. Po ashtu, konstatohet se edhe pagesat e sigurimeve shoqërore nuk janë në vazhdimësi, por me periudha kohore të shkëputura.
Hetimit administrativ i është nënshtruar edhe ndërtimi i një objekti 1+1 në vitin 2003 në Sarandë, i cili është shitur më pas në vitin 2004 në vlerën e 1.8 milionë lekëve. Sipas trupit gjykues, Mustafaj nuk arriti të shpjegojë bindshëm dhe të provojë me dokumentacion justifikues vlerën e shpenzuar për ndërtimin e objektit dhe për pasojë ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me këtë pasuri.
Komisioni identifikon mospërputhje mes deklarimeve të subjektit, i cili pretendon se e ka shitur këtë objekt të papërfunduar në vitin 2004 për vlerën 1.8 milionë lekë, ndërkohë që sipas aktit të kolaudimit rezulton që ndërtesa të ketë qenë e përfunduar në të tri katet.
Vlera e përftuar nga shitja e këtij objekti është deklaruar prej Mustafajt si një prej burimeve të blerjes së apartamentit në Tiranë, por që nuk është konsideruar prej Komisionit në analizën financiare për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar Mustafaj ka blerë tokën me sipërfaqe 304 m2 në vlerën 145.920 lekë nga seksioni i financës në Bashkinë Sarandë dhe në gusht të 1999-ës është miratuar edhe numri dhe funksionimi i kateve të ndërtimit mbi tokë.
Komisioni konstaton se, sipas vërtetimit hipotekor të vitit 2003 të depozituar nga Mustafaj, banesa cilësohet me numër katesh 1+1, me sipërfaqe ndërtimi 120 m2, ndërsa në aktin e kolaudimit të po atij viti cilësohet se objekti është ndërtuar konform projektit me një garazh nëntokësor 120 m2 dhe tre kate sipër me sipërfaqe të njëjtë, ku kati i parë shërben si lokal dhe dy të tjerët si banesë. Në vendim theksohet se, në këtë akt është pasqyruar fakti se është përgatitur në praninë e investitorit, gjyqtarit Mustafaj.
Pas kalimit të barrës së provës për këto mospërputhje, subjekti i ka qëndruar deklarimit të tij se objekti ka qenë i papërfunduar dhe se është shitur në atë gjendje.
Ai ka këmbëngulur se në vitin 2003, në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë është regjistruar gjendja faktike, sipas verifikimit të kryer në vend edhe nga punonjësit e kësaj zyre.
“Këto rrethana janë sqaruar prej meje edhe në vitin 2005 në ILDKPKI, ku në datën 15.11.2005 kam paraqitur në ILDKPKI edhe sqarimin me shkrim nga ZVRPP-ja Sarandë, të datës 7.11.2005, në të cilin thuhet: ‘… për sa i takon katit të dytë dhe të tretë sipas lejes nuk janë ndërtuar dhe nuk janë regjistruar në këtë zyrë,” ka shpjeguar Mustafaj.
Ai ka sqaruar se emërtimet e funksioneve të kateve në aktin e kolaudimit për pjesën që ishte ndërtuar, janë bërë thjesht sipas emërtimeve të tyre në projekt, pasi as nuk kanë qenë të banueshme dhe as nuk janë vënë në funksion ndonjëherë prej tij. Sipas Mustafajt, edhe ndërtimi faktik 1+1, që u regjistrua ka qenë i papërfunduar dhe në gjendje karabina.
“Lapsusi i lejuar në aktin e kolaudimit datë 20.10.2003 nuk ka sjellë asnjë pasojë në regjistrim dhe në fitimin e pronësisë nga ana ime, për shkak se edhe me kërkesën time, ndërtimi është verifikuar në vend nga ZVRPP-ja Sarandë dhe është regjistruar sipas gjendjes faktike”, ka pohuar Mustafaj, i cili ka pretenduar se edhe kolaudatori ka ndryshuar shënimet e tij.
Por trupi gjykues nuk është bindur, pasi ka konstatuar mospërputhje të tjera mes deklarimeve dhe fakteve. Për të kundërshtuar konstatimet e Komisionit, gjyqtari Mustafaj ka depozituar edhe disa pamje satelitore prej vitit 2003, kohë në të cilën ka nisur dhe përfunduar ndërtimi i objektit 1+1 e deri në vitin 2016, për të provuar se ky ndërtim nuk ka qenë i përfunduar prej tij dhe se nuk kanë qenë ngritur të gjithë katet. Ai ka pretenduar se nga imazhi satelitor i Google Earth, ngritja e kateve të tjera ka ndodhur nga viti 2010 e në vazhdim.
Edhe ky pretendim i Mustafajt është rrëzuar prej Komisionit që konstaton se ekspertët nuk kanë konkluduar nëse ndërtimi ka qenë ose jo i përfunduar. Trupi gjykues çmon se, në raport me deklarimet e subjektit ndër vite, apo palëve, në referencë edhe të aktit vlerësues – konkurrojnë provat, siç është kontrata e shitjes së pasurisë si dhe regjistrimi përkatës të cilët pasqyrojnë përfitimin e pasurisë dhe regjistrimin e objektit 1+1 të përfunduar. /BIRN/