Nga fazat e para të shpërthimit të koronavirusit, teoritë e konspiracionit për origjinën dhe shkallën e sëmundjes, u përhapën në platformat online.
Midis këtyre ishin pretendimet e rreme se virusi ishte pjesë e një programi “të fshehtë të armëve biologjike” kineze, dhe një pretendim i pabazë se një ekip spiun kanadezo-kinez kishin dërguar koronavirus në Wuhan.
Pretendimi se virusi ishte prodhuar nga njeriu është shtyrë nga grupe të shumta konspirative në rrjetet sociale dhe madje ka gjetur hapësirën në TV shtetërore Ruse.
Disa muaj pas shpërthimit, jo vetëm që këto teori nuk janë venitur, por pretendime të reja, të paverifikuara janë promovuar nga zyrtarë të qeverisë, politikanë të vjetër dhe media në Kinë dhe SHBA.
“Dyshimet”
Zhao Lijian, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, ka promovuar në mënyrë të përsëritur idenë – pa prova – që Covid-19 mund të kishte origjinën në SH.B.A.
Më 12 mars, ai tha në një cicërimë se mund të ketë qenë ushtria amerikane ajo që solli virusin në Wuhan.
Një ditë më vonë, ai cicëroi një artikull nga faqja e internetit Global Research me titull “Dëshmi të mëtejshme që virusi kishte origjinën në SH.B.A.”, dhe u bëri thirrje përdoruesve që ta lexojnë dhe ta ndajnë atë. Artikulli është fshirë që atëherë.
E përditshmja kineze “Global Times” i bëri jehonë qëndrimit së Zhao. Ndërsa theksonte se diplomati e kishte bërë deklaratën si një “qëndrim personal”, vërejtjet e tij rezonuan “me dyshime të ngjashme të ngritura nga publiku kinez”, thuhej në artikull.
Pretendimet e Zhao janë përforcuar gjithashtu nga një numër i ambasadave kineze dhe përdoruesve të mediave sociale në pjesë të ndryshme të botës.
Specialisti i Monitorimit të BBC Monitor në Kinë, Kerry Allen tha se ndërsa Z. Zhao është i njohur si një figurë e hapur – posaçërisht në median sociale – ai është një personazh i ndryshëm brenda Kinës kontinentale dhe jo domosdoshmërisht përfaqëson gjithmonë pamjen e udhëheqjes.
E themeluar në vitin 2001 në Kanada, Global Research, është faqja e internetit e Qendrës për Kërkime mbi Globalizimin. Sipas PolitiFact, një uebfaqe e pavarur për kontrollimin e fakteve me bazë në SH.B.A., Global Research “ka avancuar teori specifike të konspiracionit mbi tema si 9/11, vaksinat dhe ngrohja globale”.
Artikulli që Zhao shpërndau u shkrua nga kontribuesi i rregullt Larry Romanoff, i cili rithekson përfundimin – tani i fshirë – se virusi nuk kishte origjinën në Kinë.
Por hulumtimet dhe artikujt kinezë në revistën Science që ai citon në fakt nuk e vënë në dyshim Kinën si vendin ku filloi pandemia. Përkundrazi, ata sugjerojnë vetëm se konkretisht tregu i kafshëve në Wuhan mund të mos ketë qenë origjina e koronavirusit të ri.
Romanoff gjithashtu pretendon se shkencëtarët japonezë dhe tajvanezë “kanë përcaktuar se koronavirusi i ri mund të kishte origjinën në SHBA”.
Por përfundimi duket se bazohet në një raport televiziv japonez dhe pretendimet e bëra në TV Taiëanese nga një profesor i farmakologjisë, i kthyer në një politikan me një parti pro-Pekinit, të cilin z. Romanoff gabimisht e përshkruan si një “virolog të shquar”, në përmendjen e parë .
Romanoff gjithashtu pretendon – pa prova – se laboratori i mikrobeve ushtarake amerikane në Fort Detrick, Maryland, mund të ketë qenë burimi origjinal i virusit. Ai shton se “kjo nuk do të ishte surprizë” pasi objekti ishte “plotësisht i mbyllur” vitin e kaluar për shkak të “mungesës së masave mbrojtëse për të parandaluar rrjedhjet patogjene”.
Në fakt, siç raportoi New York Times në atë kohë, objekti nuk ishte mbyllur, por vetëm pezulloi kërkimet e tij, dhe një zëdhënëse tha se nuk kishte “rrjedhje të materialit të rrezikshëm jashtë laboratorit”.
Romanoff e identifikon veten si “konsulent në pension të menaxhimit dhe biznesmen” dhe “profesor i jashtëm në Universitetin Fudan të Shangait, duke paraqitur studime të rasteve në çështje ndërkombëtare në klasa të larta të EMBA”.
Sipas Wall Street Journal, zyrtarët në dy programet e MBA të universitetit ishin të panjohura me z. Romanoff.
BBC News i kërkoi Universitetit Fudan të konfirmonte nëse Z. Romanoff kishte ndonjë lidhje me të si një profesor, por nuk mori një përgjigje.
Një kontribues i shpeshtë në Global Research, shumica e shkrimeve të tij duket se janë kritike për SHBA dhe përkrahës të Kinës, duke përfshirë një artikull në të cilin ai përshkroi protestat e studentëve të Sheshit Tiananmen të vitit 1989 si një “revolucion me ngjyra të nxitur nga Amerika”.
BBC News iu drejtua z. Romanoff për komente, por nuk mori asnjë përgjigje.
‘Arratiset aksidentalisht’
Pretendimet nga elementë në Qeverinë kineze dhe media për SHBA-në si një vend origjine të mundshme të virusit nxitën një përgjigje nga Presidenti amerikan Donald Trump i cili i referohej Covid-19 si një “virus kinez”. Dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo kërkoi që Kina të ndalojë përhapjen e “dezinformatave”.
Presidenti Trump kohët e fundit njoftoi se ai do të ndalonte fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH), duke e akuzuar atë si “shumë të përqendruar në Kinë”. Si përgjigje, Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se “nuk ishte koha” për të shkurtuar fondet për agjencinë.
Por një numër i politikanëve dhe komentatorëve amerikanë kanë bërë gjithashtu pretendime të pabaza në lidhje me origjinën e virusit.
Tucker Carlson i Fox News citoi një studim që rrit mundësinë që koronavirusi “aksidentalisht shpëtoi nga një laborator në Wuhan”.
Dhe senatorët republikanë Tom Cotton dhe Ted Cruz të dy kanë ngritur të njëjtin dyshim.
Studimi u botua në fillim të shkurtit si një “para-shtypje”, ose një draft i hershëm, nga dy studiues kinezë – Botao Xiao dhe Lei Xiao nga Universiteti i Teknologjisë së Kinës së Jugut Guangzhou – dhe nuk u shqyrtua zyrtarisht nga kolegët. Ai arriti në përfundimin se “koronavirusi vrasës ndoshta kishte origjinën nga një laborator në Wuhan”.
Por zoti Xiao ka thënë në Wall Street Journal se spekulimet për origjinën e mundshme në u bazuan në dokumente të botuara në media dhe nuk u mbështetën nga prova direkte”.
Washington Post raportoi në mes të prillit se dy diplomat shkencorë nga ambasada amerikane kryen disa vizita në Institutin e Virologjisë Wuhan në vitin 2018 dhe paralajmëruan Uashingtonin për “siguri të papërshtatshme në laborator, i cili po kryente studime të rrezikshme për koronaviruse nga lakuriqët”.
Jeremy Konyndyk, i cili drejtoi reagimin e qeverisë amerikane ndaj shpërthimit, në përgjigje të raporteve në lidhje me një rrjedhje laboratorike aksidentale thotë “shkenca nuk rrëzon origjinën laboratorike, por tregon se është pak e vështirë.” /BBC Monitoring-Pershtati Boldnews.al/