Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një paketë prej afro gjysmë trilion dollarësh të enjten, për të mbështetur me fonde spitalet dhe për të ndihmuar biznesin e vogël të goditur rëndë nga koronavirusi.
Kjo masë, e cila mori votën e 388 prej anëtarëve të Dhomës tani do të përcillet në Shtëpinë e Bardhë për firmën e presidentit, i cili ka sinjalizuar se do ta firmosë.
Papunësia në SHBA arriti nivele të papara që nga Depresioni i Madh i viteve 1930, pasi 1 ndër 6 amerikanë është pushuar nga puna si rezultat I koronavirusit.
Mbi 4.4 amerikanë që kanë humbur punën paraqitën kërkesë për ndihma sociale javën e kaluar, njoftoi qeveria të enjten. Rreth 26 milionë amerikanë, ose popullsia e dhjetë qyteteve më të mëdha amerikane të marra së bashku, kanë bërë brenda pesë javësh kërkesë për ndihma papunësie. Kjo situatë ka shkaktuar një debat të ndezur se kur mund të rihapet aktiviteti ekonomik.
Gjashtë javë shpenzime rekord të qeverisë amerikane nuk kanë qenë të mjaftueshme për të frenuar dëmin që pandemia i ka shkaktuar ekonomisë së vendit dhe sektorit të shëndetit publik.
Bllokimet e qyteteve për të përballuar koronavirusin kanë detyruar miliona amerikanë që të aplikojnë për pagesë papunësie, ndërsa pronarët e bizneseve të vogla ndodhen përballë pikëpyetjes nëse do t’i rihapin ndonjëherë dyert.
Në Shtetet e Bashkuara, numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi është rreth 843 mijë dhe i të vdekurve mëse 46,700.
Ndërkohë ka prova që çojnë në përfundimin se mbi 2 milion banorë të shtetit të Nju Jorkut mund të jenë infektuar nga koronavirusi. Kjo shifër është disa herë më e lartë se shifrat zyrtare.
Një test i rastësishëm me 3000 vetë tregon se 14% e tyre ishin të infektuar ose kishin anti-trupa që dëshmojnë se kanë qenë të infektuar nga koronavirusi.
Papunësi e thellë e varfëri e papritur në mbarë globin nga koronavirusi
Në shkallë globale, zbatimi i masave ndaj epidemisë po ndryshon. Disa vende si Bangladeshi, Malajzia dhe Greqia kanë zgjatur izolimin, ndërsa vende si Vietnami, Zelanda e Re dhe Kroacia kanë filluar të zbusin masat e izolimit.
Në Afrikë rastet me COVID-19 pësuan një rritje prej 43% javën e fundit. Këto shifra shoqërohen me thirrjet e OBSH se virusi mund të vrasë deri në 300 mijë vetë në Afrikë dhe të shtojë radhët e afrikanëve në varfëri me 30 milionë të tjerë.
Koronavirusi shton radhët e të varfërve
Radhë të gjata janë formuar pranë qendrave që ofrojnë ushqim falas që nga El Paso e Teksasit e deri në Paris të Francës. Por kontinenti afrikan e ka ndjerë më rëndë goditjen.
Bashkimi Evropian është zotuar të ofrojnë 33 miliardë dollarë ndihma për komunitetet më të goditura në shkallë globale.
Protesta në SHBA
Mbyllja e aktivitetit ekonomik është pasuar me thirrje të revoltuara për heqjen e masave. Edhe Presidenti Trump është shprehur i paduruar ndaj kufizimeve të vëna.
Disa guvernatorë kanë filluar të zbusin masat e izolimit, megjithëse autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se është ende herët për t’u kthyer në normalitet. Në shtetin Xhorxhia, palestrat, sallonet e bukurisë dhe biznese të tjera argëtimi do të rihapen të premten. Në Teksas janë rihapur parqet shtetërore.
Të paktë janë ekonomistët që besojnë se situata e papunësisë në SHBA do të jetë e krahasueshme me Depresionin e Madh kur papunësia përllogaritej në 14% nga 1931-1940, duke arritur deri në 25% në një periudhë. Por gjithsesi parashikohet një papunësi e lartë për vitin e ardhshëm dhe ndoshta edhe më gjatë. Parashikohet gjithashtu që niveli i papunësisë të kalojë nivelin prej 10% të periudhës së recesionit të 2008-2009.
Janet Simon, e cila ka humbur punën si kamariere në një restorant në Majami, thotë se ka vetëm 200 dollarë në bankë dhe se e ka pushtuar ankthi se nuk e di si do të kujdeset për tre fëmijët. Ajo bëri kërkesë për asistencë papunësie muajin e kaluar, por ende kërkesa e saj është “në rishikim”.
“Ngushtë shumë”
Corey Williams, 31 vjeç, humbi punën në një magazinë në Miçigan një muaj më parë dhe shihte se si po mblidheshin faturat e papaguara për qeranë, ujin, dritat, sigurancat, megjithëse ndihma sociale ishte vonuar. Kur mori çekun e asistencës për 1700 dollarë ai pagoi menjëherë faturat.
“Jam shumë ngushtë, shumë ngushtë, Kam kaluar ditë të mbushura me stres”.
Megjithëse kriza është zbutur në vende si Italia, Spanja dhe Franca, ekspertët thonë se kërcënimi i një keqësimi tjetër mbetet i pranishëm.
Kancelarja gjermane Angela Merkel kritikoi disa shtete gjermane se po nguten me rihapjen e shpejtë.
“Nuk jemi në fazat e fundit të epidemisë, jemi në fillim. Sa keq sikur të kemi marrë hapa të parakohshëm dhe të ndëshkohemi për këto vendime,” tha zonja Merkel./VOA