Nga FATOS LUBONJA
Juristët e Presidentit Meta, të cilët para disa kohësh kanë kthyer mbrapsht, me argumentime mjaft të detajuara dhe bindëse, një pjesë të mirë ligjesh të hartuara nga juristët rilindës, nuk u shfaqën kësaj here kur Presidenti miratoi ndryshimet në Kodin Penal të aprovuara në situatë të jashtëzakonshme, megjithë kritikat e shumta për këtë edhe nga Avokati i Popullit.
Shpjegimi politik që na erdhi është se jemi në gjendje të jashtëzakonshme, që kërkon një pozicion sa më të përgjegjshëm ndaj qeverisë; shpjegimi juridik: se maxhoranca i mori parasysh vërejtjet e Presidentit lidhur me këto amendamente. Por ne nuk mund të kemi kujtesë aq të shkurtër, sa të harrojmë se në fazën e parë të kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, Meta i bëri karshillëk të hapur Ramës. Po ashtu, ne dimë se procedura kërkon që ligjet t’i shkojnë Presidentit pasi aprovohen nga Parlamenti, kurse në këtë rast Presidenti u soll sikur të ishte këshilltar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ndoshta e kam gabim, kur bashkohem me ata që mendojnë se (edhe) miratimi kësisoj i këtyre ndryshimeve në Kodin Penal na çon te dyshimet e përfolura për një pakt jotransparent Rama–Meta, por gjithsesi, do të doja t’u drejtoja disa pyetje juristëve të Presidentit me shpresë se do të m’i davarisnin këto dyshime.
Kodit Penal i janë shtuar dy nene: ai 242/1 dhe ai 89/b). Për sqarim të lexuesit, neni 242 i Kodit Penal ka të bëjë me mosbindjen ndaj urdhrit të ligjshëm të Policisë, kurse neni 242/1 është për: “Moszbatimin e masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”. Neni 89 ka të bëjë me plagosjen me dashje, ndërsa 89/b ka të bëjë me “Përhapjen e sëmundjeve infektive.
Një vërejtje është se, nga sa e njoh Kodin Penal, fraksionet zakonisht kanë një lidhje organike me nenin që ka po atë numër bazë, kurse këto fraksione më duken pak si një trup i futur jo në vendin e duhur. Por nuk është kjo më e rëndësishmja. E vura në dukje, sepse për mua kjo flet për ngutshmëri dhe mungesë profesionalizmi, ndërkohë që Kodet Penale nuk janë gjëra që bëhen sot për nesër, por dokumente që mbeten e flasin për seriozitetin e një shteti.
Por le të kaloj te problemet kryesore që shoh tek këto amendamente.
Në paragrafin e parë të nenit 242/1 thuhet: “Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj”.
Kushdo që ka një minimum arsyeje, nënkupton se në “aktet ligjore apo nënligjore […] në funksion të gjendjes së epidemisë” duhet të hyjnë edhe karantina, edhe ndalimi i ushtrimit të aktiviteteve të ndryshme e shumë të tjera si këto. Mirëpo, ligjvënësit tanë nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kanë shtuar një paragraf të dytë që thotë:
“Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 (dy) vjet”.
I pyes juristët e Presidencës: Pse duhet veçuar aktiviteti tregtar në këtë nen? Ka edhe aktivitete të tjera që nuk lidhen me tregtinë, që mund të vënë në rrezik jetët e njerëzve në një gjendje epidemie: p.sh. kur dikush mund të bëjë një festë ditëlindjeje dhe të mbledhë të gjithë miqtë, të organizojë një ndeshje futbolli, të bëjë një meshë apo predikim në xhami, të vazhdojë të mbajë hapur një aktivitet jofitimprurës etj., si këto? Megjithatë, edhe kjo vërejtje mbetet tek ato, që për mua tregojnë mungesë serioziteti. Ajo që më godet për qëllimshmëri të mbrapshtë dhe antiligjore është ballafaqimi i këtyre dy paragrafëve me paragrafin e tretë, ku kanë futur karantinimin:
“Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 3 (tre) vjet”.
Dy gjëra vihen re kur bën këtë ballafaqim:
Së pari, a nuk kemi këtu një kontradiktë brenda të njëjtit ligj? Imagjinoni një person që ka dalë nga shtëpia për të hedhur plehrat jashtë orës që i ka përcaktuar Policia për të dalë nga shtëpia. Për këtë krim, të parashikuar nga i njëjti nen 242/1, ai mund të dënohet me dy mënyra të ndryshme. Nëse gjyqtari vlerëson se karantinimi hyn në aktet ligjore dhe joligjore, duhet ta pyesë personin nëse ndaj tij është marrë më parë një masë administrative. Nëse përgjigjja është “jo”, duhet ta lërë të lirë dhe nëse është “po”, duhet t’i përcaktojë një masë dënimi nga gjobë, deri në 6 muaj burg. Kurse, nëse i referohet pjesës së fundit të ligjit, duhet ta dënojë direkt nga 2 deri në 3 vjet, pa pasur nevojë të dijë nëse ka marrë ndonjë masë administrative.
Së dyti: vini re mungesën e proporcionalitetit. Gjynahqarit, që kapet duke hedhur plehrat në kazanin e bashkisë jashtë orarit, i fillon dënimi minimal atje ku i mbaron maksimali (2 vjet) një personi apo grupi personash, të cilët hapin kundër një akti ligjor që ka të bëjë me epideminë restorantin apo kinemanë, duke rrezikuar jetën e shumë njerëzve.
Por ka edhe më keq për sa i përket mungesës së proporcionalitetit te këto amendamente.
Në paragrafin e parë 89/b thuhet: “Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes, apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) vjet”.
Vini re: gjynahqari që ka hedhur në kazanin e bashkisë plehrat e në orën e gabuar, mund të marrë gati të njëjtin dënim (2-3 vjet) me një person që vë në jetë planin makabër për të infektuar një grup njerëzish në një restorant, kinema a ku di unë (2–5 vjet).
Presidenti dhe juristët e tij kanë të drejtë kur na thonë se kanë miratuar një ligj(atë 89/b) në norma europiane për sa i përket masës së dënimit për krimin e përhapjes së epidemisë me dashje. Po ku qëndron lepuri në këtë histori, që Presidenti nuk e përmend? Sipas meje, kjo paçavure juridike është bërë për të futur sa më shpejt në Kodin Penal atë pjesën e nenit 242/1, që dënon nga 2 deri në 3 vjet qytetarët që dalin pa lejen e Policisë nga arresti shtëpiak i imponuar pa asnjë vendim gjykate, i cili, sipas meje, është edhe në shkelje të Kushtetutës. Mos harroni se një mendje e sëmurë rilindëse propozoi që ky dënim të shkonte deri në 15 vjet. Edhe kërkesa e Shqipërisë për dalje nga detyrimet që i përcakton Këshilli i Europës, për mua ka të bëjë me ligje, akte ligjore e nënligjore kësisoj, që po miratohen duke shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme.
Uroj që juristët e Presidentit të më bindin se kam gabuar, por deri tani vazhdoj të mendoj se këtë vërejtje që bëra nuk vjen nga mungesa e profesionalitetit në mbrojtje të Kushtetutës, por nga vullnete politike jotransparente ndaj publikut.
/Marrë nga Panorama.al/