Nga Taulanda Jupi
Rreziku është qartësisht i konturuar. Këto javë të mbyllur, le të shpresojmë që kanë vlejtur të paktën për një reflektim social. Është koha të ndalim, të shohim njëri-tjetrin në sy edhe pse në këtë distancë, dhe të pyesim:
Kaq pak vlen jeta në këtë vend? Kaq pak vlen liria jonë?
Është momenti për të kujtuar 50 vite të errët të diktaturës gjatë të cilëve 6.027 persona janë vrarë, 34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike. 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi ku 7.022 prej tyre kanë humbur jetën nën një prej regjimeve më të errëta diktatoriale. Dhunimi, ndalimi dhe frustrimi i lirisë gjatë asaj periudhe pasqyron sot remineshencat e veta në ndërgjegjen tonë qytetare dhe marrëdhënien e diskutueshme që kemi me të qenit I LIRË.
Prej javësh tashmë në emër të jetës jemi të mbyllur, të ngujuar, të izoluar, të mbuluar nga paqartësia, mungesa e transparencës dhe fatkeqësisht mbetemi forcërisht të detyruar, të dëgjojmë togfjalësha “ jemi në luftë”, “armiku i padukshëm” , “sakrifica” “mbijetesa”, “ varre” “kalvar vdekjesh”, “ katastrofë” e pafund elemente dhe simbole të një retorike dramatike. Frika për jetën po përdoret si streha dhe rrugëzgjidhja e vetme e shpëtimit dhe këtë qëllimshëm na e pingulin në mendje çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë me bërtitje boshe, kërcëllitje dhëmbësh, buzëqeshje të shtitura e të jargavitura apo hakërrime nga facebook-u.
Përtej kësaj e gjithë situata që na rrethon mbetet një manipulim perfekt që i ngjan një teatri marionetash ku gjithmonë është MJESHTRI që i luan fijet , që nga të dhënat shkencore, nga numri i të infektuarve, nga numri i të testuarve, të shpëtuarve apo deri tek hamendësimet groteske se sa shumë do të kishin ikur nga kjo botë po të mos ishte ai. E gjithë kjo retorikë dramatike është pjesë ose më saktë themeli i një strategjie të vetme : nga njëra anë të “shkarkojë” mbi supet e gjithsecilit qytetar të gjithë sakrificat, detyrimet , përgjegjësinë morale dhe financiare të kësaj përballje të fortë dhe të vështirë me pandeminë COVID-19, ku ndihma e shtetit duhet të ishte dinjitoze dhe reale, dhe në anën tjetër të përdori gjithë këtë situatë të etiketuar “një sakrificë të përbashkët”, si një pidestal ku i vetëm shpëtimtar i gjithpushtetshëm mbetet ai, MJESHTRI.
Duhet thënë me zë të lartë , madje duhet bërtitur fort se frika, dhuna, terrorri dhe propaganda janë mjete të preferuara dhe fatkeqësisht efikase në duar të liderëve autokratë, të cilët po fshihen më së miri pas emergjencës dhe luftës ndaj pandemisë. Realiteti shqiptar është një model tipik i kësaj strategjie. Propaganda, mekanizmi i cili përdoret në mënyrë të shfrenuar duke targetuar jo vetëm shqiptarët por veçanërisht faktorin ndërkombëtar, është kthyer në të vetmin mekanizëm funksional mbi të cilin po drejtohet dhe menaxhohet kjo emergjencë shëndetësore në Shqipëri.
Virusi nuk është një ushtri dhe evokimi i luftës për të justifikuar masat shtypëse, ndryshimet në Kodin Penal, përdorimin demonstrativ të ushtrisë, rrezikon që në një të ardhme të afërt ta shndërrojë këtë krizë shëndetësore në një krizë të demokracisë, të lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut. Demokracia nuk mund të pushojë së ekzistuari apo vendoset “stand by” se në një moment po përballemi me këtë fatkeqësi. Demokracia mbart në vetvete mekanizma të cilat balancojnë njëri-tjetrin për një funksionim real të sistemit, edhe kur ka të tilla emergjenca.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi në një deklaratë të para disa ditëve se: “masat emergjente nuk duhet të merren në kurriz të parimeve dhe vlerave tona themelore. Çdo masë urgjente duhet të kufizohet në atë që është e nevojshme dhe rreptësisht proporcionale. Ato nuk duhet të zgjasin pafundësisht.”
Rreziku se e përkohshmja mund të kthehet në të përhershme konturohet më qartë përmes faktit se Shqipëria e ka parë të domosdoshme dhe ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga neni 8 dhe 11 i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Me anë të një note verbale të dërguar pranë Këshillit të Evropës, Shqipëria e ka arsyetuar këtë veprim me shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e cila ka sjellë kufizime në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Nga deklarata e KE vërehet se asnjë nga vendet e Europës Perëndimore të cilët kalojnë sot të njëjtën situatë nuk kanë ndërrmarë një tërheqje të tillë, por kanë aplikuar parimet e balancës së të drejtave dhe detyrimeve.
Çdo shqiptar sot, përtej asaj që duket, është i braktisur nga qeveria por unë besoj të jemi aq të kthjellët dhe të vetëdijshëm sa të kuptojmë se nuk është frika por ndërgjegjësimi, streha e vetme e shpëtimit tonë. Ne të gjithë duhet të kuptojnë se ka disa të vërteta që po e mbajmë si një mallkim mbi shpinë :
Sot në Shqipëri nuk ka ndarje dhe balancë të pushteteve, përkundrazi ato ndodhen sot më shumë se kurrë, në duar të një njeriu të vetëm.
Sot parlamenti ilegjitim, miraton ligje antikushtetues dhe ndryshime në Kodin Penal, që kanë vetëm një qëllim: forcimin e pushtetit të një njeriu të vetëm.
Sot në Shqipëri “barazia para ligjit” është një koncept juridik larg realitetit, sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur madje institucione të rëndësishme të tij, si Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë jofunksionale, duke krijuar hapësira dhe mekanizma që shkojnë në favor të pushtetit të një njeriu të vetëm.
Sot në Shqipëri, liria e shtypit dhe medias, shprehja e fjalës dhe mendimit të lirë ka bërë hapa të dukshëm prapa.
Një e vërtetë tjetër e hidhur është se gjatë shtatë viteve të fundit politika, nga një përballje platformash, idesh apo vizionesh për zhvillim të qëndrueshëm ekomik dhe social, është kthyer në një retorike false, përçarëse, frustruese, bulliste, kërcënuese, ku gjithmonë dikush është armiku dhe fajtori i radhës, tek i cili MJESHTRI var mëkatet e dështimit tij.
Në fakt sot qeveria duhet të ndihet e turpëruar dhe përgjegjëse pse varfëria është kthyer në një status social, që shqiptarët i kushtëzon të mendojnë për bukën e gojës dhe jo për lirinë apo të drejtat e tyre si qytetarë.
Të shpresojmë se izolimi, karantinimi i gjatë dhe distancimi social do të prodhojë ndonjë efekt pozitiv në mbrojtje ndaj COVID-19 dhe sakrifica e të gjithë shqiptarëve nuk do të ketë shkuar dëm, pavarësisht se situata është e paqartë dhe e panjohur realisht si pasojë e testimeve të pakta, gjurmimit pothuaj inekzistent dhe mostransparencës për situatën reale. Por, kur situata e emergjencës pandemike të jetë normalizuar, a do të mundemi dot të marrim gjithsecili vendimet e duhura për të ringritur jetët tona, për të rigjetur ekuilibrin tonë social-ekonomik? A do të jemi të lirë të bëjmë zgjedhjet tona?
Hapja graduale do të kërkojë strategji dhe parashikime të matura, për të cilat duhet një vullnet i drejtë politik në shërbim të qytetarëve dhe jo të propagandës. Vendimmarrja dhe strategjitë e drejta në momentin e duhur dhe me hapat e duhur jo vetëm shpëtojnë jetë dhe ulin rrezikun e përhapjes së #COVID-19, por mundësojnë një rikthim fuksional të jetës sociale e sidomos rivitalizimin i sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë përmes përshtatjes me rrethanat e diktuara. A do të jetë e aftë qeveria Shqiptare ta bëjë këtë?
Jeta jonë vlen më shumë se uni yt i “vetkënaqun” deri në delir për gjunjëzimin, nëpërkëmbjen, zhvatjen, talljen, përbuzjen, mashtrimin që na hedh çdo ditë si ushqim duke na zhbërë si individë dhe duke na shndërruar në turmë që duhet vetëm të bindet dhe të mos reagojë.
Shqiptarët janë të braktisur, shqiptarët janë të vjedhur, të munduar, të lodhur, të duruar por… Mos luaj me durimin e tyre dhe mos harro, se durimi i vënë në provë disa herë, kthehet në zemërim.