Shkencëtarët britanikë kanë kritikuar një model të ri të koronavirusit që parashikon se Britania e Madhe do të jetë vendi më i goditur në Evropë, nga pandemia, me një numër viktimash nga Covid 19 më i lartë nga ç’është menduar deri më tani.
Parashikimi i zymtë ka ardhur nga instituti për metrikën e shëndetit dhe vlerësimin në universitetin e Uashingtonit. Sipas këtij parashikimi 66314 persona mund të humbin jetën si pasojë e Covid 19 në Britaninë e Madhe deri në fillim të gushtit.
Plani i qeverisë britanike për të luftuar epideminë, është mbështetur tek një studim i Imperial College of London, që thotë se izolimi dhe masat e distancimit social, me shpresë, do të kufizojnë numrin e viktimave nga 20 në 30 mijë. Por tani, shumë shkencëtarë në vend, po shprehin shqetësim për modelin e ardhur nga përtej oqeanit.
Sipas tyre, modeli bazohet në prezumime për mënyrën se si epidemia do të avancojë. Ai është i bazuar kryesisht tek eksperienca në vende të tjera dhe jo tek një modelim i vetë epidemisë. Metoda të tilla – thonë ata – janë ekstremisht të ndjeshme dhe mund të ndryshojnë në mënyrë dramatike me ardhjen e informacioneve të reja. Modeli i fundit ndërkohë parashikon rreth 60 mijë viktima të koronavirusit në shtetet e bashkuara po ashtu.