Xhixho: Akti normativ nuk ka asnjë efekt mbi kontratat e qirasë, sjell konflikt

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho shprehet se akti normativ i qeverisë për qiratë nuk zgjidh asnjë problem ekonomik të qytetarëve. Në rrjetin social “Facebook” Xhixho ka bërë një analizë ligjore ku edhe shpjegon arsyet që sipas saj ky akt do të krijojë konflikte mes qytetarëve.

Nënkryetarja e LSI-së thekson se akti normativ i qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk ka asnjë bazë ligjore të zbatueshme.

Situata e vështirë e shkaktuar nga COVID-19 ka bërë që qeveria të marrë masa drastike për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Ndërkohë që qeveria u detyrua të shpallë gjendjen e emergjencës, Xhixho është ndalur tek Akti Normativ për Kontratat e Qirasë, ndërsa thekson se është antiligjor.

Statusi: 

Mbi Aktin Normativ për Kontratat e Qerasë…

Kjo situatë e pazakontë e shkaktuar nga Covid-19 e detyroi qeverinë të shpallë gjëndjen e emergjencës civile por e shoqëruar me paligjshmëri të aktit normativ nr .12 datë 2.04.2020 .

A nuk përmbante ky akti normativ i nxjerr nga qeveria një paligjshmëri?

Akti normativ i cili në një nga pikat e tij detyron qiramarrësin të mos paguajë qeranë për muajt prill, maj 2020 , ndërkohë detyrimin e tyre ta shlyej në mënyrë proporcionale pas muajit maj është një vendimarrje nonsens , antiligjore, antikushtetuese dhe për këto arsye është padyshim nul dhe nuk mund të ketë pasoja juridike për palët.

Duke ju referuar nenit 116 te kushtetuës i cili parashikon hierarkinë e normave juridike:

“1. Aktet normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë:

a) Kushtetuta;
b) marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara;
c) ligjet;
ç) aktet normative të Këshillit të Ministrave.”

Kuptohet qartë që kodi civil i cili është një ligj në vetvete , miratohet me 3/5 e votave në Parlament prevalon mbi aktin normativ të Këshillit të Ministrave.
Nëse do të kishim Gjykatë Kushtetuese funksionale padyshim ky akt do të ishte pezulluar e më pas hedhur poshtë gjatë gjykimit duke u mbeshtetur në këtë arsyetim juridik të cilin çdo qytetar i thjeshte vetëm duke lexuar këtë nen të kushtetutes e kupton qartë.

Por a mundet gjendja e emergjences të perligj ndërhyrjen e qeverise në një mardhenie kontraktuale të rregulluar me një ligj tjeter i cili quhet Kodi civil ? Dhe a mundet që ky akt të afektoje në kontratat e privateve të rregulluara tashmë nga Kodi Civil neni 659 e ne vijim të tij?

Qiraja është kontrata me të cilën njëra palë (qiradhënësi) detyrohet t’i japë palës tjetër (qiramarrësit) një send të caktuar, në gëzim të përkohshëm kundrejt një shpërblimi të caktuar , referuar nenit 801 të Kodit Civil.

LEXO EDHE  Brataj: Me hapjen, rritet numri i të infektuarve. Virulenca e Covid-19 ka rënë

Kodi në vetvete është ligj që rregullon marrdhëniet ndërmjet personave privat.

Kontratat përpilohen dhe nënshkruhen para noterit dhe shkeljet adresohen në gjyq, dhe në keto kushte secila palë mban përgjegjësitë e veta.

Ky akt është nul dhe nuk merret fare për bazë pasi nuk mundet që me aktin normativ qeveria të ndërhy në dispozitat e Kodit civil të cilat janë në fuqi dhe padyshim ky akt smund të ketë fuqi prapavepruese pasi këto kontrata janë në fuqi dhe janë të rregulluara tashmë me Kodin Civil.

Sipas Kodit Civil në kontratat parashikohen edhe pasojat që mund të sjellin fatkeqesitë natyrore , gjendja e luftes ose situatave të ngjashme të cilat janë objektive dhe të cilat nuk mund të parashikoheshin nga palët në momentin e përpilimit të kontratës , por ato si pjesë e kontratës janë në diskrecionin e palëve për të vendosur se si do t’i adresojnë.

Duhet të kuptojmë që marrdheniet kontraktuale midis privateve marrin fuqi ligjore për palët në momentin e shprehjes së vullnetit , e duke u mbeshtetur në parimin e lirisë kontraktuale vet qiradhënësi e qeramarrësi mund të detajojnë vetë të drejtat e detyrimet e tyre në këtë marrdhënie detyrimi dhe pas nënshkrimit të kontratës të fillojnë t’i zbatojnë.

Pas ketij momenti nuk ka fuqi tokësore ose jo që të mund të ketë kompetencë në ndryshimin e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata perveçse vet palët me vullnetin e tyre të lirë.

Akti normativ nuk ka asnjë efekt mbi kontratat e qerasë sepse vet qeveria nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë në këtë marrdhenie midis privatëve.

E vetmja gjë që mund të bëjë qeveria është që në kontratat ku shteti është palë në qiradhënie tja fali qytetarëve qeratë. E këtë duhet ta bëj patjetër.
Ose padyshim kompesimi i qiradhënësit si dem i shkatuar nga gjendja e emergjencës civile kjo e parashikuar në nenin 41 të ligjit “ Për mbrojtjen Civile”.

Ky akt normativ perveç konfliktit që mund të nxisë midis qyetetarëve nuk sjell asnjë pasojë juridike dhe nuk zgjidh asnjë problematikë.

Ndaj e vetmja zgjidhje e problematikës së shfaqur si pasojë e pandemisë për qiramarrësit e qiradhënësit mund të zgjidhet vetëm me mirëkuptim midis tyre e këtë uroj shumë ta bëj kushdo.

Ju bëj thirrje të gjithë atyre të cilët janë në një marrdhenie kontraktuale të mos heqin dorë nga detyrimet të cilat ju njeh kjo kontratë.