Administratori i OSHEE-së Adrian Çela dha mbrëmjen e djeshme detaje mbi kategoritë dhe numrin e përfituesve prej vendimit që fal kamatëvonesat e energjisë të krijuara deri në 31 Dhjetor të vitit 2019.
“Përfitojnë në total 227 568 abonentë, prej të cilëve 205 228 janë familjarë dhe 22 340 konsumatorë biznes. Shuma totale e falur e kamatëvonesave arrin në 15,8 miliardë lekë ose mbi 135 milionë USD”, u shpreh Çela, gjatë një interviste televizive.
Kategoria e parë e përfituesve janë ata të cilët kanë një borxh të vjetër dhe janë aktualisht në një aktmarrëveshje me OSHEE për shlyerjen e këtij detyrimi me këste, përkrah faturës mujore. Më tej, Çela u ndal në disa raste konkrete, për të ilustruar më qartë mënyrën e përfitimit dhe shumat përkatëse në rastet e familjarëve, bizneseve të vogla dhe pensionistëve të përfshirë në këtë kategori.
Shembulli 1
Abonenti pensionist kryefamiljar nga Burreli me numër kontrate 8630. Sot, në sistem ai ka në total një borxh të trashëguar prej 2 milionë e 630 mijë lekë të vjetra. Kësti i tij mujor është 1800 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 290 mijë lekë të vjetra. Për pjesën e mbetur për të shlyer, kësti mujor i zbritet në 1000 lekë.
Shembulli 2
Abonenti familjar nga Lushnja me numër kontrate 45061. Sot, në sistem ai ka në total borxhin prej 2 milionëe 460 mijë lekësh të vjetra. Kësti i tij mujor është 2800 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 233 mijë lekësh të vjetra. Për pjesën e mbetur për të shlyer, kësti mujor i reduktohet në 2000 lekë.
Shembulli 3
Subjekti privat biznes i vogël që ushtron aktivitetin në Elbasan dhe ka numër kontrate 29010. Aktualisht ka në sistem një borxh të mbartur prej 2 milion e 67 mijë lekësh të vjetra. Kësti i tij mujor është 4690 lekë. Nga vendimi i marrë, këtij abonenti i falet shuma prej 1 milion e 167 mijë lekësh të vjetra.
Kategoria e dytë e përdituesve janë ata të cilët kanë një borxh të vjetër energjie por nuk kanë të nënshkruar një aktmarrëveshje me OSHEE. Kushti që ata të përfshihen në skemën e faljes së kamatës është nënshkrimi i një aktmarrëveshjeje prej tyre brenda 30 Qershorit 2020.
Por a përfitojnë njësoj në vlerë financiare edhe këta abonentë? Sërish, administratori i OSHEE solli dy shembuj ilustrues, një familjar dhe një biznes të vogël.
Shembull 1
Abonenti familjar nga Shkodra me numër kontrate 88685. Aktualisht ai nuk ka një aktmarrëveshje me OSHEE por ka një borxh në sistem prej 2 milion e 134 mijë lekësh. Ai mund të përfitojë nga vendimi vetëm nëse brenda datës 30 Qershor nënshkruan një AKM. Në këtë rast ai përfiton faljen e 1 milion e 84 mijë lekëve të vjetra. Detyrimin e mbetur e paguan më tej me këst prej 2000 lekë/muaj.
Shembulli 2
Abonenti biznes i vogël nga Fushë Kruja me numër kontrate 76979. Aktualisht ai nuk ka një aktmarrëveshje me OSHEE por ka një borxh në sistem prej 2 milion e 260 mijë lekësh të vjetra. Ai mund të përfitojë nga vendimi vetëm nëse brenda datës 30 Qershor nënshkruan një AKM. Në këtë rast ai përfiton faljen e 1 milion e 282 mijë lekësh të vjetra. Detyrimin e mbetur e paguan më tej me këst të reduktuar prej 5491 lekë/muaj.
Çela u shpreh se në këtë situatë emergjence kombëtare, OSHEE po bën pjesën e saj të sakrificës. Duke qartësuar në detaje për konsumatorët se si do të përballohet kjo situate, ai kërkoi që askush të mos përfitojë nga ky moment për të abuzuar me pagesën e konsumit të energjisë.
“Konsumi i familjarëve këto kohë izolimi ka barazuar e diku ka tejkaluar konsumin e bizneseve të mbyllura. Është e natyrshme që kjo të ndodhë, por në rastet që konsumatorët kuptojnë se nuk kanë fuqi paguese, duhet të jenë të kujdesshëm me konsumin sepse rrezikojmë të gjithë nga mungesa e energjisë. Ne e kemi bërë pjesën tonë, kemi çliruar një pjesë të madhe nga borxhi dhe atë pjesë të mbetur përsëri kemi dhënë mundësi ta shlyejnë me një faturë minimale. Duhet të jemi të përgjegjshëm të gjithë për sakrificën që na takon. Siç jemi ne duhet të jenë dhe qytetarët”, nënvizoi Çela.