Ylli Chelsea, Pedro, ka folur për situatën e vështirë në të cilën ndodhet, ku ai është i bllokuar në Londër, ndërsa e gjithë familja e tij ndodhet në Spanjë.
Në një intervistë në faqen e klubit të Chelsea, Pedro, ka folur për gjendjen e keqe që po kalon Spanja dhe mallin dhe shqetësimet që ka për familjarët e tij me të cilët aktualisht nuk ka kontakte fizike.
“Është një situatë shumë delikate, komplekse. Një situatë kritike sepse ka pasur shumë raste infektimi, veçanërisht në Madrid dhe Katalonjë, të cilat janë ndoshta rajonet më të prekura, por tani është përhapur në të gjithë Spanjën”.
“Ata janë në mbyllje totale në shtëpitë e tyre, kështu që po kalojnë një situatë krize. Është gjithashtu një krizë ekonomike, natyrisht, por në këtë moment është dytësore. Gjëja më e rëndësishme është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi me familjet e tyre”.
“Policia dhe ushtria atje (Spanjë) janë në rrugë dhe situata është ndoshta më e kontrolluar se këtu në Mbretërinë e Bashkuar, por ne po jetojmë në një situatë kaosi dhe krize për shkak të kësaj pandemie”.
“Është e vështirë të mos shohësh familjen, prindërit, vëllezërit dhe motrat tuaja, duke mos i pasur ata afër në një kohë të komplikuar, të vështirë për të gjithë ne. Ne jemi në kontakt të përhershëm në telefon, duke mbajtur kontakte në përpjekje për të qenë sa më afër”.
Pedro gjithashtu bën thirrje botës sportive që të reagojë, ndërsa thekson që fondacioni i tij në Spanjë, është vënë në ndihmë të njerëzve.
“Unë mendoj se i gjithë komuniteti sportiv mund të ndihmojë, jo vetëm futbolli, dhe ka shumë fusha ku është e mundur të ndihmosh në një farë mënyre”.
“Është e qartë se ka pasur shumë njerëz në futboll dhe sport duke bërë donacione si Leo Messi, Cristiano Ronaldo, Robert Lewandowski dhe lojtarë të tjerë që kanë kontribuar dhe kanë dhënë para, jo vetëm në Spanjë, por në mbarë botën”.
“Unë po bëj gjithashtu thirrje me fondacionin tim në Spanjë, për të parë se si mund të ndihmojmë njerëzit me atë që po kalojnë”.