Ish-ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka në një lidhje skype me Fax News ka komentuar masat e marra nga qeveria Rama për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ndoka tha se prej ditësh shteti nuk është më funksional, ndërkohë që mjekët janë nxjerrë jashtë loje, dhe u kërkohet që të mos flasin, për mungesat me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme.
“Sistemi shëndetësor është gjetur në gjendje të papërgatitur, masat e marra duhet të ishin më të shpejta, dhe jo vetëm kjo për izolimin e njerëzve në shtëpitë e tyre. Në një kohë kur sistemi shëndetësor është jo i mirë, padyshim që izolimi është masa më efikase që mund të merret.
Qeveria duhet t’iu kishte bërë thirrje edhe mjekëve që janë jashtë vendit, të cilët mund të jepnin kontributin e tyre në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi. Po ashtu është shumë e nevojshme që të rikthehet roli i fortë i mjekëve të familjes, pasi ata janë në vijën e parë të kontaktit me njerëzit, që mund të jenë edhe të prekur, duhet të kenë patjetër armët e nevojshme.
Bluzat e bardha i kanë futur në luftë pa armët e nevojshme, kjo është e pafalshme, pasi po rrezikojmë atë që është pjesa më e domosdoshme në këto ditë. Unë kam kontakte me shumë prej tyre, dhe e shoh që janë të detyruar që të heshtin përballë mungesave me të cilat përballen”, u shpreh Ndoka.
Ndërkohë që ish-ministri foli dhe për spitalin karantinë që pritet të ndërtohet në ambientet e ish-Universitetit Kristal, që sipas tij është një zgjedhje e gabuar, dhe duhet të ishte zgjedhur një nga repartet ushtarake që janë larg qendrave të banuara.
“Spitalet duhet të ishin mundësuar në një zonë që është larg qendrave të banuara, mund të ishte shfrytëzuar reparti ushtarak në zonën e Zall Herit, pasi është një infrastrukturë gjysmë e ngritur, dhe tashmë kjo është një gjendje lufte”, vijoi ish-minsitri.
Ndoka e quajti të papranueshme faktin që qeveria nuk zhvillon mbledhje të rregullta, pasi sipas tij qytetarët kanë nevojë për masa të menjëhershme ndihmëse, dhe në një numër të vogël ministrash, nuk rrezikohet përhapja e virusit, nëse respektohen distancat.
Po ashtu ai e quajti tepër të vonuar fondin e dhënë së fundi për blerjen e paisjeve mjekësore, duke thënë se tashmë ne jemi në luftë, dhe nuk mund të kërkojmë as ndihmë nga shtete të tjera që përballen me të njëjtën situatë.
Ai apeloi qytetarët që të qendrojnë në shtëpi, pasi kjo është e vetmja mënyrë që të mbrohen.