Perspektiva e zymtë ekonomike globale

Nga Ilir Kalemaj

Ka të dhëna të mjaftueshme deri tani që shoku financiar dhe pasojat ekonomike globale si rezultat i koronavirusit do të jenë më të forta se kriza financiare globale e 2008-ës. Nëse kjo e fundit nisi në SHBA dhe pati pasoja serioze në disa vende europiane si Finlanda, Irlanda dhe Islanda që u rikuperuan shpejt dhe mandej Europa Jugore ku vençarisht u godit Greqia, kriza e tanishme e parë në pikëpamje të tsunamit financiar, po godet nga vendet në zhvillim të cilat deri tani kanë parë një largim kapitali (capital flight) të paprecedentë, te motorë ekonomie botërorë si SHBA dhe Kina, respektivisht fuqitë numër një dhe dy në nivel prodhimi të përgjithshëm bruto, deri te BE-ja në tërësi si tregu më i madh global. Pra askush nuk del imun sikurse edhe ndaj vetë virusit i cili përveç shtrirjes globale tregon që nuk diskriminon në bazë gjinie, race apo pasurie.

Disa autorë së fundmi e kanë krahasuar Covid-19 dhe efektet shkatërrimtare në ekonominë amerikane dhe atë botërore jo vetëm me Recesionin e Madh të 2008-ës, por edhe me Depresionin e Madh të 1929-ës dhe kanë gjetur që efektet janë më të forta (deri tani) në rastin e paralizës thuajse të plotë që ka shkaktuar koronavirusi, për shkak se efektet i ka dhënë në një kohë shumë të shkurtër dhe jo në harkun e rreth tre vjetëve në rastin e dy krizave më të mëdha të mëparshme. Kolapsi i menjëhershëm i rreth 35 përqind të bursave të cilat kanë humbur çfarëdolloj fitimi të katër viteve të fundit dhe rritja e menjëhershme që do të ketë papunësia, e cila mendohet të shkojë në një mesatare rreth 20 përqind në nivel botëror por kuptohet do thellohet në vende që kanë një papunësi strukturore vençarisht te të rinjtë, janë këmbana të forta alarmi për marrjen e masave të guximshme, vizionare dhe në përputhje me specifikat e cilido vendi. Ndërkohë që ka nevojë emergjente edhe për një qasje globale ndoshta të facilituar nga organizata ndërkombëtare financiare si FMN, BB apo OBT.

Analistë të tregjeve financiare si i mirënjohuri Nouriel Roubini që qe ndër të parët (në mos i pari) që predikoi krizën e 2008-ës, ka paralajmëruar kësaj here që rënia do të jetë jo si modelet e mërpashme në firmë V-je apo U-je që do të thotë një rënie e pasuar nga stanjacion por një I: një linjë vertikale drejt humnerës financiare. As në luftën e dytë botërore apo përgjatë depresionit, nuk u mbyllën tregjet menjëherë dhe as u izoluan kufijtë brenda natës sic ka ndodhur kësaj here dhe që më e keqja është se nuk dihet sa do të zgjasë. Jo më kot, Presidenti Trump në daljen e tij të fundit mediatike u përpoq të jepte shpresë duke thënë që synimi është hapja e tregjeve dhe rifutja në normalitet jo në një peirudhë prej 3-4 muajsh por shumë më shpejt duke u përpjekur t’i japë ndonjë nxitje tregjeve si dhe të ndalojë rënien e vazhdueshme të aksioneve dhe bursës. Por jo vetëm këto të fundit nuk janë ndaluar në 24 orët e fundit, por duket që ndryshueshmëria e shpeshtë e qëndrimeve të liderëve anembanë botës më shumë po i çakordon sesa i qetëson tregjet.

Ngelet të shpresojmë që liderë politikë do të ndjekin më tepër shembullin e vendeve si Koreja e Jugut apo Izraeli që kanë treguar maturi dhe strategji të qarta dhe të qëndrueshme në përballimin e pandemisë, të arrijmë të shmangim konfliktet në nivel global në kushtet ku bashkëpunimi është më arma më e fortë, apo konflite banalë politikë si rasti i Kosovës së fundmi, ku përparësi po marrin llogaritë meskine politike dhe jo fronti i përbashkët ndaj një armiku jashtëzakonisht të rrezikshëm. Gjithashtu liderët duhen të vet-frenohen nga prirjet populiste apo tundimet autokratike, të zgjasin dorën dhe të marrin ide edhe nga kundërshtarët politikë kur lipset, të thërrasin pranë ekspertë, të përditësojnë infrastrukturën digjitale dhe të mbështesin fort financiarisht dhe me ndihma materiale mjekët, epidemologët dhe këdo që është në vijën e parë të frontit.