Kryetari i PD-së Lulzim Basha mirëpret vendimin e qeverisë për disbursimin financiar për familjet në nevojë. Në një intervistë me skype për gazetaren Sonila Meço në emisionin “Tempora” transmetuar mbrëmjen e sotme, Basha tha se ishte hap i mirë por se duhet patjetër që kjo pagesë të bëhet në fund të muajit, nëse jo, familjet nuk do të kenë mundësi të jetojnë.
Sonila Meco: Sot kryeministri doli dhe premtoi se do të paguajë direkt të vetëpunësuarit me dyfishin e rrogës së deklaruar mujore si dhe të dyfishojë pagesën mujore për familjet në ndihmë ekonomike, si e komenton kryetari i PD-së?
Lulzim Basha: Është një hap i parë i mirë të cilin e përshëndes por është një hap i pamjaftueshëm. Prej dy javësh i kemi kërkuar të veprojë pa vonesë, sepse cdo ditë që kalon në këto kushte ku bëhet fjalë për dhjetra mijëra biznese të mbyllura kemi rënie në pikiatë të konsumit që dëmton shëndetin e ekonomisë dhe i përcjell efektet e kësaj sëmundje të ekonomisë në cdo familje.
Më në fund paketa ka ardhur por është e paplotë. Mirëpres hapin e parë për ndihmë ekonomike për 30 mijë familje por nëse kjo ndihmë nuk u shkon kjo llogari në fund të muajit, të 30 200 familje në fund të muajit ata nuk do të kenë mundësi të përballojnë muajin tjetër. Prandaj duhet të kalohej nga fjalët tek veprat. Duhet patjetër që kjo pagesë në fund të muajit të përfundojë tek 30 200 familjet.
Sa i takon mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur dje nga Presidenti Ilir Meta, Basha tha se e ka pranuar ftesën në emër të opozitës së bashkuar për të dhënë kontributin maksimal për kapërcimin e situatës së vështirë për të gjithë shqiptarët.