David Ho po udhëheq një ekip shkencëtarësh të rinj në garën agresive për të mposhtur koronavirusin. Ho, studiuesi më i famshëm i AIDS-it në botë, është përfshirë tashmë në kërkime. Ai e ka ndryshuar frontin e punës të dhjetëra shkencëtarëve të tij në Aaron Diamond Center AIDS, dhe siç thotë ai: “po vjedhin Pjetrin për të paguar Palin”, duke e ndryshuar drejtimin e fondeve të destinuara për studimet e laboratorit për HIV. Ndwrkohw ka marrë 2.1 milion dollarë nga fondacioni Jack Ma në Hangzhou, Kinë, pa harruar edhe 6 milion dollarë shtesë nga donatorë të tjerë privatë, midis tyre sipërmarrës shumë të shqetësuar.
Në fund të dhjetorit, kur Ho gjurmonte raportet e disa rasteve të pneumonisë së pashpjegueshme në Vuhan, ai nuk e kishte të qartë nëse do ishte i nevojshëm. “Ne po i kushtonim vëmendje, por nuk menduam se do të përfshiheshim. Dukej diçka larg,” thotë ai. Në fillim të janarit, kur laboratori i tij ndryshoi pronar nga Universiteti Rockefeller në Universitetin Columbia ai u transferua në Manhatanin e Sipërm, ndërkohë situata në Ëuhan u përkeqësua më tej. Ho ende nuk ishte i sigurt nëse duhej të përfshihej. “Shkencëtarët në Kinë po bënin shumë,” thotë ai. Shumë nga ata shkencëtarë, në Pekin, Hong Kong dhe Shanghai, janë ish-studentë të tij. “Ata e njohin shumë mirë atë punë.”
Ai gjithashtu kishte parë se financuesit e humbnin interesin për sëmundje që shfaqen me panik të menjëhershëm, pak kohë pas shpërthimit. Sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes, SARS, për shembull, ishte përmbajtur relativisht shpejt në 2002, dhemenjëherë pas kësaj edhe paratë shteruan. Laboratori i Ho kishte zhvilluar antitrupa që mund të ishin përdorur për të ndjekur trajtime për SARS, një koronavirus i ngjashëm, por tepër vonë – ai nuk mund të mblidhte 20 milion dollarë. “Askush nuk dukej i interesuar,” thotë ai. “Kjo ishte zhgënjyese. Nëse ai do t’i kishim gjetur ata para, ka mundësi që sot të ishim më afër një trajtimi për koronavirusin e ri”, thotë ai. Nga mesi i janarit madhësia e epidemisë u bë e qartë. Qeveria kineze planifikonte karantinën e qytetit Ëuhan, dhe në katër vende të tjera u raportuan raste infeksioni. Shkencëtarët kishin identifikuar virusin dhe kishin ndarë sekuencën e genit të tij. Ho e dinte se këtë radhë qeveria kineze do të sigurojë fonde për kërkime të qëndrueshme. “Ata kanë nxjerrë mësime,” thotë ai. Kështu vendosi të përfshihej.
Pandemia
Tetë javë më vonë, virusi pushtoi botën. Numërimi i të sëmurëve dhe llogaritja e shkallës së infeksionit dhe vdekjes janë ushtrime ditore. Shtohen orët e panikut. Pandemia e gripit të vitit 1918 vrau të paktën 50 milion njerëz. Pandemia e HIV deri më tani ka infektuar 75 milion dhe ka vrarë 32 milion. Shkalla e vdekjes për Covid-19 duket të jetë shumë më e ulët — megjiëse kjo është e pasigurt — por sëmundja përhapet lehtësisht. Nëse arrin vetëm 1% të popullsisë globale, kjo do të nënkuptonte se 75 milion njerëz do të infektohen, dhe në normat aktuale të vdekshmërisë, 1 milion do të vdesin.
Shkencëtarët në laboratorin e Ho-së ashtu si në Johnson&Johnson, Pfizer, Regeneron, dhe të paktën 10 kompani të tjera farmaceutike dhe të bioteknikës, po punojnë sa më shpejt që të munden për të identifikuar trajtimin. Ky virus është pjesë e një familje që ata e njohin. Ata po nxitojnë të provojnë përbërjet e vjetra edhe kur hartojnë programe për të krijuar vaksina të reja. Më përpara është Gilead Sciences Inc., që po teston remdesivir, një ilaç antiviral i provuar te pacientët me Ebola. Gilead pret që të raportojë rezultatet fillestare në prill.
Shkencëtarët thonë se mund ta mposhtin këtë koronavirus. Varest se sa shpejt do të ecin. Mund të duhet një vit ose më shumë deri tek gjetja e trajtimit specifik për Covid-19. Deri atëherë do të duhet të mbajmë distancë, të përdorim sapunin dhe ilaçet që kemi tashmë. Por edhe pasi ta kemi një trajtim, është e mundshme që Covid-19 të jetë me ne për gjatë. Ho e thotë qartë: “Vetëm një virus i tillë është zhdukur: në një sëmundje të vogël. U deshën plot 20 vjet”.
Në Laborator
Një mëngjes të këtij marsi, para se Nju Jorku të mbyllej, Ho gjeti ca kohë për të folur për punën që po bëhet në laboratorin e tij. Ai ka qenë ndër të parët që drejtoi një kombinim të fuqishëm të ilaçeve për të sulmuar HIV-in. Kjo është arritur me një qasje jokonvencionale që u bë standardi i kujdesit dhe që ndihmon për të shpjeguar se HIV është një sëmundje kronike, por jo domosdoshmërisht një vdekjeprurëse. Kjo shpjegon pse Ho ka qenë mjeku i parë që ka marrë “Njeriu i Vitit” nga revista Time, në 1996, dhe pesë vjet më vonë Medaljen Presidenciale. Pllaka varet në murin në atë të tryezës së tij.
Ho është 67 vjeç, i matur dhe i përqendruar. Është epiqendra e një rrjeti ish kolegësh dhe studentësh, të cilët e kanë ditur se po vinte një moment si ky: një pandemi që mund të ishte kërcënimi më i madh viral për njerëzimin që nga shfaqja e HIV-it në vitet ’80. Ho ka nisur një përpjekje ambicioze dhe të përshpejtuar për ilaçin e koronavirusit. Një punë që zakonisht zgjat nga 5 deri në 10 vjet, ai mendon se është e mundur të jenë gati për testimin e kafshëve vetëm në një vit. Shpresa e tij është të krijojë një pilulë të vetme që mund të trajtojë këtë koronavirus dhe të tjetrët që do të vijnë më pas. “Me siguri do të ketë një tjetër,” thotë ai. “Ky është shpërthimi i tretë në dy dekada.” SARS filloi në Kinë dhe përfundimisht vrau gati 800 njerëz; sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme u shfaq në vitin 2012 ka vrarë më shumë se 850 në disa shpërthime sporadike që nga atëherë. “Ne po zbulojmë fakte të çuditshme për virusin,” thotë Ho. “Lakuriqët përbëjnë një të pestën e gjitarëve në planet. Ky është detaj që nuk e dinim. Lakuriqët sjellin kaq shumë viruse – SARS dhe Ebola dhe mbase edhe këtë koronavirus, që nuk është i pari dhe nuk do të jetë i fundit.”
Ho tani është drejt një pune serioze. Reagimi mjaft i mirë i Jack Ma, njeriut më të pasur në Azi qe i mjaftueshëm për Zhi Hong, drejtuesi i BriiBiosciences, që të fuste gjithashtu 2 milion dollarë. Hong një ish ekspert i sëmundjeve infektive në GlaxoSmithKline Plc e njeh Ho prej vitesh. “David ka krijuar një program të shpejtë, por shumë të arsyeshëm,” thotë Hong. Nëse laboratori i Ho e gjen ilaçin, kompania e madhe farmaceutike do ta prodhojë atë. Ende nuk ka ndonjë marrëveshje zyrtare. Nuk është koha për avokatë. “Tani për tani ne thjesht po investojmë në besimin dhe reputacionin e Davidit,” thotë Hong. “Thjeshtë kemi dhënë para.”
Hapi i parë qe mbarjtja e qelizave të bardha specifike të gjakut, të quajtura qeliza B të kujtesës, nga pacientët që janë rikuperuar nga Covid-19. Këto qeliza, quhen kështu sepse mbajnë mend një virus me dekada, dhe bëjnë që trupi të gjenerojë me shpejtësi antitrupa ndaj virusit. Në fund të janarit, Ho u bëri thirrje miqve të tij në Hong Kong për të marrë mostra gjaku nga dy pacientë. Stafi i tij në Nju Jork kaloi ditë me radhë duke marrë leje nga qeveritë dhe rregullimin e transportit. Qelizat u pastruan, u vendosën në shishka të vogla, të ngrira në azot të lëngshëm në minus 150 C dhe u dërguan në laboratorin e Ho-së nga një shërbim i specializuar postar. Ata mbërritën aty në fund të shkurtit.
Sapo morën qelizat, laboratori Ho shkoi të punojë për të renditur qelizat B, duke nxjerrë ARN-në, duke bërë ADN për antitrupa të shumtë antikoronavirus. “U nisëm për peshkim,” thotë Ho. “Dhe përgatitëm karemat.” Karremi është proteina që lidhet me sipërfaqen e virusit — ose, në këtë rast, antivirusi i krijuar. Sa më i ngushtë ky antitrup të lidhet me proteinën e virusit, aq më mirë. “Ne provojmë shumë, krahasojmë aktivitetin dhe zgjedhim më të mirën,” thotë ai. “Ne pastaj mund të ndryshojmë pjesë të antitrupave për ta bërë atë të përshtatet edhe më mirë.” Shanset që ky hulumtimi të japë një trajtim janë relativisht të larta. Strategjia funksionoi për Ebolan. Regeneron Pharmaceuticals Inc., e cila zhvilloi një trajtim të suksesshëm të antitrupave për Ebolan, po punon gjithashtu në një “koktej” antitrupi koronavirus dhe thotë se provat në njerëz mund të fillojnë nga fillimi i verës. Por një ilaç i tillë do të duhej të injektohej, dhe ka të ngjarë të kërkojë mbajtjen në frigorifer nga mjekët – të gjitha këto e kufizojnë përdorimin e tij. Nuk është idealja. Por është mjaft e mirë si fillim.
Bashkëpunëtorët
Hulumtimi i hershëm i Ho për HIV-in u përqëndrua në një enzimë të rëndësishme të quajtur proteazë, e cila vepron si një lloj gërshërë molekulare, duke prerë proteinat virale që përsëriten. Ai e testoi këtë te pacientët me HIV më 1990. Ai shpreson kështu të identifikojë frenuesit e mundshëm të proteinave të koronavirusit. “Edhe nëse proteaza është e ndryshme, ka ngjashmëri të mjaftueshme për të zbatuar njohuritë tona,” thotë ai.
Alejandro Chavez, një asistentprofesor i patologjisë dhe biologjisë në Columbia, po e ndihmon Ho-në në këtë pjesë të hulumtimit. Laboratorët tradicionalë në ndërmarrjet farmaceutike testojnë përbërës të mundshëm ilaçesh në një lidhje virale në një kohë. Chavez ka krijuar një sistem ekzaminimi rrënjësisht të ndryshëm që i lejon atij të provojë njëkohësisht dhjetra komponime në një lidhje — dhe nëse del me sukses, vaksina do të funksionojnë jo vetëm në Covid-19, por edhe në koronaviruse të tjera.
Chavez, 37 vjeç, drejton laboratorin e tij në Columbia, që ndodhet një rrugë përtej nga Ho. Ai paketon tufa informacioni në çdo lidhje. Në zyrën e tij të vogël, tryeza e punës sipër është mbushur me letra dhe një kavanoz të madh me karamele të lirë. Në janar, Chavez dhe Debbie Hong, një nga studentet e doktoratës që punon në laboratorin e tij, po lexonin për koronavirusin si të gjithë të tjerët. Kur gjenomi i tij u postua në një uebfaqe të shëndetit publik, ata e shkarkuan sekuencën, gjetën gjenin proteazë dhe paguan një kompani të biologjisë rreth 80 dollarë për ta sintetizuar atë.
Menjëherë pas kësaj, ata morën një telefonatë nga Ho. “Ho bëri një skuadër,” thotë Chavez. Ai shtoi Stephen Goff, nga Columbia në përpjekjet e tij kërkimore. Kështë Chavez, Hong, dhe disa të tjerë u bënë bashkë në laborator. Ho ishte i impresionuar se sa shpejt po i kontrollonin molekulat që mund të pengojnë të gjitha llojet e enzimave proteazë të koronavirusit. “Ai dëshiron të ecim përpara sa më shpejt që të jetë e mundur,” thotë Chavez.
Chavez fillon të shpjegojë metodën e tij. “Unë e kam prezantuar këtë vetëm një herë. Unë jam përpjekur të qëndroj i heshtur. OK, thjesht do ta zbuloj.” Një prej problemeve me ilaçet shqyrtuese kundër më shumë se një proteazë virale në të njëjtën kohë, është vështirësia për të thënë cili ilaçe bllokon cilën proteaza. Chavez e zgjidhi këtë problem duke krijuar ato që ai i quan etiketat e emrave për secilën prej qelizave. “Vendos secilën prej etiketave të emrave dhe shikoj se çfarë bën, Bobi e çfarë Xhoni”- dhe nëse shoh se proteaza është e fikur ja vlen, e nëse nëse proteaza është e ndezur, atëherë përbërja nuk ndikoi.”
Chavez po flet hipotetikisht. Ai ende po bën kontrollet. Chavez pret që të fillojë testimin e komponimeve aktuale në fillim të prillit. Njëkohësisht ai ka marrë një molekulë të kuruar për të parë proteinën-penguese nga një kompani kërkimore në Shanghai e quajtur ËuXi AppTec Co. Themeluesi i saj është një mik i Ho-së i doktoruar në kimi në Columbia. Të mos kishte qenë Ho, molekula do të ishte ende në Kinë.
Mund të duhen tre deri në gjashtë muaj që Chavez të zbulojë komponimin e duhur për të
bllokuar proteazat e koronavirusit. Më pas Ho do ta lidhë atë me kimistë të cilët, në disa muaj, do të rrisin fuqinë e komponimeve nga 100%, ndoshta deri në 1.000%. “Ne e dimë se kjo mund të bëhet,” thotë Ho. Është një hap i rëndësishëm, ndonëse herët në krijimin e një ilaçi që do të ndalonte jo vetëm një proteazë virale por proteazat e shumë koronaviruseve. Tani të gjithë e dimë, për këtë janë ata atje. Robert Langreth dhe Susan Berfield/BloombergBusinessWeek