Nga Boldnews.al
Drejtuesit e lartë politikë nxituan të përshëndetin një premtim që është ende “lugë bosh”, të njoftuar nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, lidhur me “një fond të premtuar nga Qeveria e SHBA në vlerë 100 milionë dollarë për Shqipërinë dhe vendet mike”, me qëllim luftën kundër korona-virusit.
Ambasadorja Kim, në një njoftim të shpërndarë pasditen e së Premtes, e përfshiu Shqipërinë në listën e vendeve përfituese nga fondi i USAID, vetëm një ditë pas kryeministri Edi Rama e bëri të qartë se Europa i kishte mbyllur vendit tonë dyert për ndihmë financiare.
Yuri Kim e kishte shoqëruar njoftimin e saj me një lidhje (link) të Agjencisë Amerikane për Ndihmë, USAID, në të cilin gjenden informacione për veprimtarinë e deritanishme të kësaj strukture në luftën kundër pandemisë Cov-19.
“Boldnews.al” kreu një verifikim në të dhënat e deritanishme të USAID, nga ku rezultoi se ky institucion ka dhënë fonde për një numër vendesh, kryesisht të Afrikës dhe Azisë Juglinodre. Në këtë listë mungonte Shqipëria.
Gjithësesi, ambasadorja Kim, është treguar e kujdesshme, kur ka shënuar se “Shtetet e Bashkuara kanë premtuar….”, duke e bërë të qartë se ndihma ende nuk është akorduar.
Gjithashtu, ambasadorja Kim është treguar tërësisht e mjegullt, kur ka deklaruar se fondi 100 milionë dollarë do të ndahet për Shqipërinë dhe vende të tjera mike, pa saktësuar më së paku se sa është shuma që pritet t’i vendoset në dispozicion Shqipërisë.
Por, gjithësesi, ambasadorja Kim, nëpërmjet këtij njoftimi, arriti të bëhet lajm në median shqiptare, pavarësisht se deri më tani ka njoftuar për “një lugë bosh”.
Diplomatja amerikane zgjodhi që të bëhej lajm, para se lajmi i vërtetë dhe i mirëpritur nga shqiptarët, pra alokimi i fondit, të shndërrohej në realitet.
Megjithatë, Kim arriti të kapë vëmendjen e palëve politike shqiptare, të cilat, për arsye të ndryshme, nxituan të përshëndetnin njoftimin e shpërndarë nga Yuri Kim.
Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte i pari që lëshoi falenderimin për deklaratën e Kim. “Faleminderit Ambasadës Amerikane në Tiranë për mbështetjen dhe vëmendjen në këto ditë të vështira për ne, për ju dhe gjithë globin…”, shkruan ndër të tjera Balla në rrjete sociale, duke shprehur mirënjohjen për Ambasadën.
Pas dështimit për sigurimin e një pakete financiare nga interlokutorët europianë, maxhoranca socialiste ndihet shumë e kënaqur, edhe me një premtim, pa ditur kohën se kur mund të realizohet, si edhe se sa mund të jetë fondi i pritshëm për Shqipëri.
Për Taulant Ballën dhe Partisë Socialiste qeveritare mjafton vetëm një sinjal mbështetjeve, qoftë edhe premtim “me lugë bosh” për momentin.
Pas Ballës, reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një koment të shkurtër, Basha ka falenderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne nuk jemi vetëm. Faleminderit për miqësinë dhe ndihmën në ditë të vështira”, deklaron Basha, i cili duket më i përmbajtur, për të mos dhënë detajet të “premtimit” apo ‘fondit 100 milionë” në tekstin që mban autorësinë e tij.
Për Bashën, ndihma ekonomike e pritshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket edhe si një lloj reagimi i autoriteteve ndërkombëtare, pas kërkesës që ai personalisht u ka drejtuar për t’i ofruar ndihma Shqipërisë në këtë situatë pandemie.
Presidenti Ilir Meta kishte “një falenderim të veçantë për solidaritetin e SHBA-së me vendin tonë në momente kritike. Një mik në nevojë është një mik që të duhet pranë”, shkruan Meta, i cili kujdeset të mos përmend ambasadën dhe as ambasadoren Kim.
Ka një detaj interesant në të gjithë këtë histori. “Zëri i Amerikës”, një emiment mediatik i financuar nga Departamenti i Shtetit dhe që raporton me detaje për ngjarjet që lidhin vendimmarrjen në Shtetet e Bashkuara për Shqipërinë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka raportuar asnjë zhvillim mbi këtë premtim të deklaruar nga ambasadorja në Tiranë, Yuri Kim.
Natyrisht, diplomatja në Tiranë ka akses më të madh në zyrat vendimmarrëse të Uashingtonit se sa gazetarët. Por, gjithësesi, lëvrimi i mundshëm të një fondi 100 milionë dollarësh nuk duket se përbën sekret shtetëror, aq më tepër kur mendohet të jetë për ndihmë dhe solidaritet.