Ndërkohë që përdorimi i dezinfektuesve të duarve është rritur që nga shpërthimi i koronavirusit, ata duhet të jenë të paktën me 60% alkool për të vrarë shumicën e viruseve. Shumë më tepër mikrobe mund të hiqen duke larë duart me sapun dhe ujë të ngrohtë për 30 sekonda, shkruan një lektor në Mikrobiologjinë Mjekësore.
Nga Manal Mohammed
Që nga shpërthimi i COVID-19, shitjet e dezinfektuesve të duarve janë rritur. Ai është bërë një produkt aq i kërkuar, saqë farmacitë dhe supermarketet kanë filluar të kufizojnë sasinë e tyre që njerëzit mund të blejnë njëherësh. Madje, Nju Jorku ka njoftuar se do të fillojë prodhimin e dezinfektuesit të tij për duart për të përmbushur kërkesën. Edhe pse dezinfektuesit e duarve mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut tonë për të marrë infeksione të caktuara, jo të gjithë dezinfektuesit e duarve janë njësoj të efektshëm kundër koronavirusit.
Ashtu si me infeksionet e tjera respiratore virale – si ftohja dhe gripi i zakonshëm – koronavirusi i ri (i quajtur SARS-CoV-2) përhapet kryesisht kur spërklat e ngarkuara me virus nga goja ose hunda e një personi transferohen te njerëzit e tjerë. Megjithatë, një studim i kohëve të fundit ka sugjeruar se ai mund të përhapet gjithashtu edhe nëpërmjet feçes.
Përveç thithjes nëpërmjet hundës së spërklave, mund të prekeni nga viruse të tjera respiratore, duke përfshirë edhe SARS-CoV-2, edhe duke prekur çdo gjë të kontaminuar me virusin dhe më pas duke prekur fytyrën tuaj, në veçanti gojën ose hundën. Ne e prekim fytyrën tonë pa e kuptuar që e bëjmë këtë. Një studim nga Neë South Ëales zbuloi se njerëzit e prekin fytyrën e tyre rreth 23 herë në orë.
Larja e duarve me ujë të ngrohtë dhe sapun mbetet standardi i artë për higjenën e tyre dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive. Larja me ujë të ngrohtë (jo me ujë të ftohtë) dhe sapun largon nga duart tona yndyrnat që mund të mbajnë mikrobet.
Por edhe dezinfektuesit e duarve mund të mbrojnë kundër mikrobeve që shkaktojnë sëmundje, sidomos në situatat kur sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm. Ata janë provuar gjithashtu të jenë efikas në zvogëlimin e numrit dhe llojit të mikrobeve.
Ka dy lloje kryesore dezinfektuesish për duart: ata me bazë alkooli dhe ata pa alkool. Dezinfektuesit e duarve me bazë alkooli përmbajnë sasi dhe lloje të ndryshme alkooli, shpesh midis 60% dhe 95% dhe zakonisht alkool izopropil, etanol (alkool etilik) ose n-propanol. Alkooli dihet se është në gjendje të vrasë shumicën e mikrobeve.
Dezinfektuesit e duarve pa alkool përmbajnë diçka që quhet komponime amoniumi kuarternare (zakonisht klorur benzalkonium) në vend të alkoolit. Këto mund të reduktojnë mikrobet, por janë më pak efikas sesa alkooli.
Dezinfektuesit e duarve me bazë alkooli është zbuluar se janë efikas në vrasjen e shumë lloj bakteresh, duke përfshirë MRSA dhe E coli, por ata janë gjithashtu efikas kundër shumë viruseve, përfshirë virusin e gripit A, rinovirusin, virusin e hepatitit A, HIV, dhe MERS-CoV.
Shkatërrimi i viruseve
Alkooli sulmon dhe shkatërron proteinën që mbështjell disa viruse, duke përfshirë koronaviruset. Kjo proteinë është jetike për mbijetesën dhe shumimin e një virusi. Por një dezinfektues duarsh duhet të ketë të paktën 60% alkool në mënyrë që të vrasë shumicën e viruseve.
Dezinfektuesit e duarve me më pak se 60% alkool u zbulua gjithashtu se ishin më pak efikasë në vrasjen e baktereve dhe kërpudhave dhe se thjesht mund të reduktojnë rritjen e mikrobeve sesa t’i vrasin ato plotësisht.
Madje edhe dezinfektuesit që përmbajnë 60% alkool nuk mund të heqin të gjitha llojet e mikrobeve. Studimet kanë zbuluar se larja e duarve është më efikase sesa dezinfektuesit e duarve në largimin e norovirusit, Cryptosporidiumi-t (një parazit që mund të shkaktojë diarre) dhe Clostridium difficile (baktere që shkaktojnë probleme të zorrëve dhe diarre).
Mungesa e dezinfektuesve të duarve po i shtyn njerëzit të përpiqen t’i bëjnë vetë këto të fundit, por është gjithashtu e rëndësishme të dini se këto mund të mos jenë aq efektive sa produktet komerciale që janë në dispozicion.
Nëse duart janë dukshëm të pista, larja e tyre me sapun dhe ujë është më efikase sesa përdorimi i dezinfektuesve me bazë alkooli. Hulumtimet kanë zbuluar se efekti pastrues i sapunit dhe fërkimi i larjes punojnë së bashku për të zvogëluar numrin e mikrobeve në duar, si dhe papastërtitë dhe materialet organike.
Teshtitja ose kollitja duke vendosur dorën para hundës ose gojës kërkon shumë më tepër sesa pak dezinfektues në duar për t’i dezinfektuar ato. Kjo sepse nëse duart tuaja janë të ndotura me mukozë, dezinfektuesi mund të mos funksionojë gjithashtu sepse mukoza vepron për të mbrojtur mikrobet.
Si rezultat, mënyra më e mirë dhe më e qëndrueshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit – dhe zvogëlimin e rrezikut tuaj për kontraktim nga ai – mbetet të lani duart me sapun dhe ujë si zgjedhja e parë, dhe të shmangni prekjen e fytyrës tuaj sa më shumë që të jetë e mundur.
Por dezinfektuesit me alkool (me të paktën 60% alkool) janë një alternative praktike kur sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm. Nëse jeni duke përdorur dezinfektues duarsh, ashtu si kur i lani ato me sapun dhe ujë, duhet të siguroheni që të fërkoni të gjitha pjesët e duarve (mes gishtave, kyçin e dorës, pëllëmbët, pjesën e prapme të duarve dhe thonjtë), duke i fërkuar ato plotësisht për të paktën 20 sekonda, në mënyrë që të jetë vërtet efikase.