Koronavirusi ka përfshirë gjithë Italinë. Janë regjistruar 475 viktima në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2.978. Janë rreth 35.713 të infektuar në të gjithë Italinë. Ndërkohë, sipas mjekëve italianë nuk dihet ende nëse bllokimi i kufijve po funksion me të vërtetë, pasi numri i viktimave dhe të prekurve shtohet çdo ditë e më shumë.
Dr. Giorgio Palù, profesor i Virologjisë dhe Mikrobiologjisë së Universitetit të Padovës, tha për CNN se shpreson që këto ditë të shohë ndonjë ndryshim.
“Nga dje presim ndonjë ndryshim pas pothuajse 10 ditëve të kësaj mase të re (izolim total), por është akoma në rritje. Kështu që unë nuk mendoj se mund të bëjmë një parashikim sot.”
Palu u shpreh se nuk ka asnjë alternative tjetër përveç bllokimit. Sipas tij izolimi duhet të ishte më i gjerë dhe më i ashpër kohë pare.
“Ne duhet të kishim bërë më shumë teste diagnostikuese në Lombardi. Nuk ka kuptim të përpiqesh të shkosh në supermarket një herë në javë. Duhet të kufizosh kohën tënde, izolimi është gjëja kryesore”.
Ai thotë se qeveria italiane ka mbetur në fillim. “Ishte dembele që në fillim. Ishte një propozim për të izoluar njerëzit që vinin nga Kina. Pastaj u pa si racist, por ata ishin njerëz që vinin nga vendi i shpërthimit. Kjo çoi në situatën aktuale, shkatërruese.”,- tha mjeku.
Ndërkohë, Dr.Alessandro Grimaldi, drejtor i sëmundjes infektive në Spitalin Salvatore në L’Aquila, sapo ka testuar negativ pas trajtimit të një pacienti me koronavirus dhe do të jetë në gjendje të kthehet në punë shpejt, pas karantinës.
“Në Lombardi, nga ku jam unë, sistemi i kujdesit shëndetësor është në kolaps. Nuk ka mjaftueshëm pajisje. Ata zgjedhin të shpëtojnë më të riun, atë që ka më shumë shanse të jetojë.”,-tha ai për CNN.
Grimaldi shton se: “Sot Italia është në duart e mjekëve dhe infermierëve. Është një ekip në vijë të parë që po lufton për pacientin. Ne jemi ushtarë që luftojmë për vendin tonë. Nëse ne mund t’i japim fund epidemisë këtu në Itali, ne mund të ndalojmë epideminë në Evropë dhe në botë. Të luftosh një armik si ky është e vështirë për të gjithë. Kina tregoi se ju duhet të ndërmerrni masa drastike. Italia ishte e para që ndaloi fluturimet për në Kinë, vendi i parë në Evropë që bëri bllokimin.”
Alessandro Vergallo, një specialist në anestezi dhe kujdes intensiv, tha se ai shqetësohej që Bashkimi Evropian vonoi reagimin për të shpëtuar ekonominë. “Sigurisht, qeveria e Italisë u përgjigj më shpejt dhe më mirë se shumë vende të tjera evropiane. Tani, masat e kontrollit që kanë hyrë në fuqi do të ndihmojnë në zvogëlimin e përhapjes. Nuk është koha për polemika. Ne po mbledhim të gjitha të dhënat e nevojshme që nga fundi i vitit 2019 për të analizuar sjelljen e institucioneve si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare përballë kësaj pandemie. Për të kuptuar nëse gjithçka funksionoi kur duhej ose për të kuptuar se kush dështoi.”,- tha ai. Vergallo paralajmëroi se për kthimin në normalitet do të duhen muaj.
“Dje po mundoheshim të interpretonim kur do të ndodhte ulja e kurbës. Meqenëse është një virus i panjohur, është e vështirë të interpretohen të dhënat. Shpresojmë që deri më 26 mars, të kemi një rënie të numrave. Unë mendoj se institucione të ndryshme të BE-së kishin frikë se dëmtimi i ekonomisë evropiane do të ishte më i madh se ai i virusit. Tani jo vetëm Itali, por edhe vende të tjera evropiane po paguajnë një çmim të madh njerëzor dhe ekonomik.”,– përfundoi ai.