Nga Ted Regencia
Ndërsa pandemia e koronavirusit vazhdon të përhapet me shpejtësi në mbarë botën, disa ekspertë pretendojnë se pranvera më e ngrohtë sesa stina e dimrit, si dhe rritja e temperaturave në verë, mund të sjellin një lehtësim, duke ngadalësuar përhapjen e infeksionit.
Dr.Stefan Baral, ekspert i epidemiologjisë në Universitetin Xhon Hopkins në SHBA, tha për “Boston Herald” se se ai pret “një rënie natyrale” të përhapjes së virusit, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të kalojnë në një mot të ngrohtë. AccuWeather, qendra e njohur e parashikimit të motit në SHBA, citoi dr.Xhon Nikols, profesor i patologjisë në Universitetin e Hong Kongut, të thotë se koronavirusi ka problem 3 gjëra:rrezet e diellit, temperaturën lartë dhe lagështinë.
“Drita e diellit e dëmton aftësinë e virusit për t’u zhvilluar, para diellit ai reziston vetëm 2 minuta e gjysmë, ndërsa në errësirë rreth 13-20 minuta. Drita e diellit, është vërtetë e mirë për të vrarë viruset”-tha Nikols.
Ndërkohë, “Deutsche Welle” citoi Tomas Pietshman, virolog nga Qendra për Kërkime të Infeksioneve Klinike, të thoshte se koronavirusi është “jo shumë i qëndrueshëm ndaj nxehtësisë, çka do të thotë se virusi shpërbëhet kur rriten temperaturat”.
Sipas AccuWeather , pranvera në SHBA do të mbërrijë në SHBA më 19 mars, ndërsa Weather-Data.org po parashikon që temperaturat në kryeqytetin italian Romë të rriten në 16-17 gradë Celcius, kur në Evropë të mbërrijë më 20 mars Ekuinoksi i Pranverës.
Nevruzi, viti i ri sipas kalendarit persian që shënon fillimin e pranverës, pritet të mbërrijë në Iran po më 20 mars. Ndërkohë, në vendet e hemisferës jugore, parashikohet që temperaturat ditore gjatë kësaj periudhë të luhaten midis 30 gradë në Xhakarta të Indonezisë, deri në 35 gradë Celcius në Kuala Lumpur të Malajzisë.
Rrëzimi i miteve
Ndërsa ekspertët e shëndetit puiblik, bien dakord se moti i ngrohtë është një faktor në kontrollin e pandemisë, ata theksojnë se rezultati i reagimi të secilit vend, mund të varet nga fakti se sa e fortë është infrastruktura e tij e kujdesit shëndetësor, sa shpejt vihen në përdorim këto mjete, dhe sa proaktivë janë qytetarët.
Ata thonë se ekzistojnë edhe variabla të tjerë thelbësorë, që duhen marrë parasysh në luftimin e infeksionit, duke paralajmëruar se mbështetja vetëm tek modelet e motit, pa respektuar masat paraprake të sigurisë dhe protokollet e tjera shëndetësore, vetëm sa i shton rreziqet.
Edhe pse moti në hemisferën veriore po ngrohet gradualisht, sipas një studimi më të fundit në Gjermani, të publikuar nga “Journal of Hospital Infection”, koronavirusi mund të mbijetojë për ditë me radhë në temperatura deri në 25 gradë.
Studimi tregoi se një koronavirus njerëzor, mund të jetojë për 5 ditë në temperaturën 21 gradë mbi një sipërfaqe tefloni, qeramike ose çeliku. Sa për krahasim, sindromi i rëndë i frymëmarrjes akute (SARS-CoV), mund të rezistojë në një sipërfaqe plastike për më shumë se 5 ditë, në një temperaturë midis 22-25 gradë Celcius.
Dr.Edsel Salvana, drejtor në Institutin e Biologjisë Molekulare dhe Bioteknologjisë në Universitetin e Filipineve, tha për “Al Jazeera” se lidhja e drejtpërdrejtë midis vendeve më të ngrohta dhe përhapjes më të ngadaltë të virusit, “është një mit”.
”Temperatura e lartë, mund të deaktivizojë virusin më shpejt nëse ai gjendet në sipërfaqe, por ajo nuk do të ketë ndikim tek njerëzit që sëmuren nga thithja e pikëlave të shpërndara andej-këtej nga kollitja apo teshtitja e dikujt”- tha Salvana, që është ndërkohë ndihmësprofesor për “Global Health” në Universitetin e Pittsburgut në SHBA.
Higjiena personale, mbrojtja e duhur
Dr.Majkëll Çan, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Hong Kongut, vë në dukje se ndërsa aktiviteti viral “është pak më i vogël në vende me temperatura relativisht më të ngrohta” siç janë Indonezia, Filipinet apo edhe India, kjo gjë nuk do të ndikojë realisht në transmetimin e virusit, që po përhapet përmes ajrit.
Sipas raporteve më të fundit, deri të mërkurën në Indonezi kishte 26 raste të konfirmuara me koronavirus me një viktimë; 49 në Filipine, po ashtu me një të vdekur; dhe 44 raste në Indi pa vdekje dhe asnjë transmetim lokal deri tani. Pavarësisht se sa është temperatura, thotë Chan, më e rëndësishme është që individët të respektojnë higjenën personale dhe mbrojtjen e duhur “e cila ndikon vërtet mbi rezultatin e infektimeve”.
Çan, që ka studiuar epideminë e SARS-it të vitit 2004 , theksoi se në krahasim me Italinë, që ka më shumë se 12.000 raste dhe afro 1 mijë të vdekur, qyteti i Hong Kongut ka arritur të frenojë përhapjen e virusit në një mënyrë relativisht më efektive, nëse kihet parasysh afërsia e tij me Kinën kontinentale.
Që nga data 10 mars, në rajonin e veçantë kinez të Hong Kongut kishte vetëm 115 raste, me 1 të vdekur. Përveç temperaturave të larta në Hong Kong, Çan tha se shumë qytetarë mbajnë vazhdimisht maska mbrojtëse disa herë gjatë vitit, dhe sidomos në këtë periudhë që është kulmi i problemeve të shkaktuara nga alergjitë.
“Unë di disa vende në Evropë dhe Amerikë, që nuk kanë shumë alergji në popullatën e përgjithshme. Prandaj ata mbajnë maska, të cilat mund të ndalojnë transmetimin e këtyre viruseve”- thotë ai për “Al Jazeera”. Çan shton se situata në Itali, është aktualisht ”shumë e rëndë”, teksa thekson se ai është i shqetësuar për numrin në rritje të rasteve me koronavirus edhe në SHBA.
Vapa dhe lagështia
Ndërkohë, dr.Abdul Gafur, specialist i sëmundjes infektive në qytetin indian të Chenait, thotë se në krahasim me popullsinë e tij prej 1.3 miliardë banorësh, në Indi janë konfirmuar deri tani vetëm dhjetëra raste me koronavirus, që “nuk janë një numër shumë i madh”.
Ai shprehet se vapa dhe lagështia në vend, “mund të jenë një nga arsyet” se përse koronavirusi nuk po përhapet më shpejt në vendin e tij, pasi moti e kufizon virusin që të udhëtojë “më gjatë ose më shpejt”. “Nuk është vetëm temperatura ajo që po e vret virusin, por edhe lagështia. Lagështia e zvogëlon transferueshmërinë e koronavirusit”- deklaroi ai për “Al Jazeera”.
Në rastin e Indisë, qeveria po kryen testimin e pasagjerëve të huaj në aeroporte. Në rajone me mot më të ftohtë si ato në Evropë dhe në pjesë të SHBA-së, thatësia e përgjithshme e ajrit e lejon koronavirusin të udhëtojë më larg dhe të përhapet më shpejt, për shkak të temperaturës më të ulët, tha ai.
Në Iran, ku temperatura mesatare është rreth 0-10 gradë Celcius gjatë kësaj periudhe të vitit, qeveria ka raportuar deri tani më shumë se 9.000 raste koronavirus dhe 354 të vdekur deri të mërkurën. Por, ndërsa moti po bëhet më i ngrohtë edhe në këto vende, Gafur thotë se nuk pret që koronavirusi “të largohet plotësisht”.
“Ai mund të bëhet endemik të paktën në disa vende”-paralajmëroi ai, duke shtuar se vendet me një sistem më të mirë të kujdesit shëndetësor, mund të jenë në gjendje ta kontrollojnë më shpejt epideminë. “Nëse sistemi i kujdesit shëndetësor është i dobët, kontrolli do të jetë i ngadaltë”- deklaroi ai. /“Al Jazeera” – Bota.al/