Nga BoldNews.al
Kur vjen diskutimi tek statistikat, njerëzit e Shkencës e gjejnë veten në terrenin e tyre më të përshtatshëm.
Por mjekja e njohur Mira Rakacolli, sot në postin e zv.ministres së Shëndetësisë, është e detyruar që të zhveshë petkun e shkencës dhe të justifikojë politikisht numrin e ulët të testeve për korona-virusin që po zhvillohen së fundmi në Shqipëri.
Në një konferencë për media mesditën e së Hënës (16.03), Rakacolli konfirmoi se testimet bëhen vetëm për personat që ka dyshime reale se janë prekur me korona-virus. Në fjalë më të thjeshta, testet po kryhen vetëm tek një numër i kufizuar personash.
Sipas Rakacollit, “marrja e tamponave nuk është dëshirë e qytetarit. Në rastin e pandemisë përzgjidhen ato persona që janë të dyshuar dhe ky vlerësim bëhet nga ekspertët në bazë të kritereve të OBSH”.
Por, një praktikë e tillë duket se shkon në të kundërt të rezultateve të suksesshme, në menaxhimin e pandemisë, si edhe dëshmon për kapacitetet fare të ulta që ka mjekësia shqiptare për mjete elementare, siç janë tamponët dhe preparatet për kryerjen e testimeve.
Korea e Jugut po shënon arritje mbresëlënëse në parandalimin e përhapjes së virusit, falë një qasjeje tërësisht të ndryshme nga ajo që përcjellin autoritetet shqiptare, nëpërmjet zv.ministres Rakacolli.
Autoritetet koreane kanë aplikuar teste për një numër shumë të madh personash, jo vetëm ata që konsideroheshin kontakte të afërta me pacientët e prekur.
Në këtë mënyrë, Korea e Jugut ka arritur të sigurojë një panoramë më të qartë të përhapjes së virusit, ka marrë masat për karantinimin dhe izolimin e tyre dhe, në përfundim ka arritur që të ketë vdekshmërinë në nivele minimale.
Statistikat shqiptare
Në bazë të të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë, nga 1 Marsi e deri në momentin e këtij shkrimi, 16 Mars, autoritetet shëndetësore kanë kryer në total 563 teste, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 51 raste.
Rastet e pacientëve që kanë rezultuar pozitiv përbëjnë një shifër relativisht të lartë, 9.03 përqind e totalit të testimeve.
Por, në një moment kur autoritetet shqiptare presin që rastet të shtohen, në mënyrë paradoksale, numri i testeve vijon të ulet.
Në 1 Mars 2020, Ministria e Shëndetësisë nisi raportimin periodik mbi testet e kryera për korona-virus. Deri në atë moment, ishin kryer 29 testime, të gjitha me rezultat negativ.
Deri në 9 Mars, ritmi i kryerjes së testimeve varione në 2-6 persona në ditë. Pas identifikimit të dy rasteve të para, në 8 Mars, konstatohet një rritje e testeve.
Ditët më intensive për laboratorët e testeve kanë qenë datat 12-13 Mars 2020, me konkretisht 145 dhe 159 teste, nga të cilat po shënohej edhe rritja e rasteve të personave të prekur me COV-19.
Në tre ditët vijuese, intensiteti i testeve u ul ndjeshëm. Në periudha 14-16 Mars 2020, janë kryer mesatarisht 35-40 teste në ditë, ndërkohë që numri i të prekurve nga virusi shënonte rritje.
Ekspertët e shëndetësisë parashikojnë se progresioni rritës pritet të vijojë me intensitet të lartë në dy javët e ardhshme. Ndërkohë, ulja e numrit të testeve duket se do të krijojë një situatë jo-reale të numrit të të prekurve, duke u kufizuar vetëm tek ata pak që do t’i nënshtrohen më shpejt testimit.
Pjesa tjetër, persona që mund të jenë infektuar, por që nuk kanë dijeni apo nuk kanë shenja në momentin e parë, qëndrojnë jashtë skemës së testimit, duke sjellë një shtrirje në kohë të virusit, si edhe një përhapje gjithnjë e më të gjerë.
Suksesi i Koresë dhe dështimi i Italisë
Portali ndërkombëtar “worldmeter” raporton në kohë reale për statistikat globale mbi pandeminë. Në bazë të të dhënave, rezulton se vendi më i suksesshëm është Korea e Jugut dhe vendi më i dëmtuar është Italia.
Të dy vendet kanë shënuar rastin e parë me korona-virus në fund të Janarit 2020.
Tashmë, Korea e Jugut shënon 8236 raste në total, me vetëm 75 të vdekur, me një marzh vdekshmërie prej 0.9 përqind.
Ndërsa Italia shënon 24747 raste në total, me 1809 të vdekur, me marzh vdekshmërie prej 7.3% ose rreth 8 herë më shumë se sa Korea e Jugut.
Agjencia “Reuters” ka bërë një analizë të gjatë, në të cilën ka krahasuar sjelljen e autoriteve në Korenë e Jugut dhe Itali përballë epidemisë COV-19.
Në bazë të të dhënave të agjencisë prestigjioze, Korea e Jugut ka kryer rreth 220 mijë teste, pjesa më e madhe persona që nuk kishin asnjë shenjë apo kontakt të dukshëm me të infektuar nga koronavirusi.
Testet masive dhe të shpejta konstatuar se vetëm 3.7% e të testuarve ishin prekur nga korona-virusi.
Falë të dhënave të gjera, autoritetet koreane krijuan një panoramë të plotë të trendit të përhapjes dhe morën masa të menjëhershme, duke reduktuar ndjeshëm rritjen e numrit të të infektuarve dhe rastet fatale.
Italia zhvilloi një qasje tërësisht të ndryshme, një model që po e aplikojnë edhe autoritetet shqiptare.
Nga fundi i Janarit 2020 e deri më tani, Italia ka kryer në total rreth 73 mijë testime, ose rreth 3 herë më pak se Korea e Jugut.
Autoritetet italiane u fokusuan kryesisht tek rastet e dukshme, duke anashkaluar një testim të gjerë në një kohë të shpejtë. Dhe, shifrat dëshmojnë se ata vepruan gabim. Nga totali i testimeve të kryera ngadalë, kanë rezultuar rreth 24747 të infektuar ose rreth 34 përqind e totalit.
Testimet në shifra të ulta sollën si pasojë që persona të infektuar, por pa shenja të dukshme, kanë shpërndarë virusin tek të tjera, duke rritur numrin në shifra alarmante në Itali.
Pikërisht, këtë model aspak pozitiv kanë vendosur të aplikojnë edhe autoritetet shqiptare, të cilat kanë vendosur që të testohen vetëm “të dyshuarit real”.
Ndërkohë që ekziston mundësia që të prekurit me shenja të fshehura të shpërndajnë COV-19 tek persona të tjerë, pa dijeninë e tyre.