Nga Erl Kodra
– Dystopi-
Romanet dhe filmat dystopian përshkruajn një shoqëri në depresion të thellë (zakonisht shtypëse), ku dominon propaganda dhe mbizotëron një rend shoqëror utopik. Në krye të rendit, gjithmonë gjenden njerëz që kanë ngritur një botë sipas vizioneve të sëmura të liderit. Në veprat dystopiane qeniet njerëzore janë numra pa vlerë nominale si individ, ku ndergjegja nuk luan asnjë rol në shoqëri, sepse vet shoqëria fuknsionon si një organizëm gjigand, gjithmon sipas vullnetit të liderit.
Pavarësisht faktit se këto lloj veprash nuk janë ndërtuar mbi fabula reale, në të vërtetë, rende të tilla kanë ekzistuar dhe ekzistojnë: komunizimi dhe fashizimi ishin shoqëri të modeluara sipas vizioneve haluçinante të disa individëve që e shpallën veten lider të pagabueshëm.
Shoqëria shqiptare u modelua sipas vizioneve të sëmura të një individi pervers, duke shqyer jetën e bashkëkombasve, pa keqardhje. Në këtë kuptim, shoqëria jonë ishte tipikisht një dystopi, që e tejkalon çdo fantazi shkrimtari dhe regjizori hollivudian. Është për keqardhje që deri më sot nuk është shkruar ndonjë vepër e tillë, pavarësisht se ngjarjet reale që kanë përjetuar shqiptarët, do të ishin skena perfekte për filmat dystopian.
***
Bota gjendet nën terrorin e Covid-19, një grimce vrastare që vërtitet mes nesh, duke sulmuar thelbin e marrëdhenieve humane. Armë më vrastare njerëzimi nuk kishte njohur më parë. Aeroportet e metropoleve të mëdha po mbyllen njëri pas tjetrit; po ndalojnë trenat dhe anijet transoqeanike. Dhe të mendosh se ne e njohim vetëm fillimin, por jo edhe fundin e terrorit Covid-19!
Vendi ynë me kohë është endur në një realitet të çuditshëm, ku një grup individësh ka uzurpuar median, politikën dhe ekonominë e vendit. Pjesa tjetër zvarritet në një lloj biznesi mbijetese, ndërsa rreth 500.000 mijë qytetarë janë në zgrip të ekzistencës.
Çdo lexues potencial i këtij teksti e kupton se çfarë është realiteti ynë; sepse shumica po e përjetojnë në lëkurë mbylljen brenda katër mureve, ditën për diell. Shumica e di se çfarë do të thotë kur të mbarojnë ushqimet në frigorifer, por disa mijëra të tjerë gjenden nëpër çadra, pa mure dhe çati. Shumë prej jush po bëjnë llogari të thjeshta, se sa ushqime ka në shtëpi, sa lekë ka akoma, dhe nëse do të marrë rrogën ditën e caktuar. Pas disa ditësh shumë prej jush mund të gjenden në kushtet e karantinës, pa ushqime, pa shpresë, pa zgjidhje. Tensioni do të rritet mes jush, brenda katër mureve, ndërsa në rrugë është e ndaluar të dalësh; Covid-19 dhe Cov-Ed-20 kërcënojnë ekzistencën tënde fizike.
Secili sipas mënyrës së tij të ndyrë.
Cov-Ed-20 i mëshon dhunshëm dominimit të gjithçkaje. Ai mendon se fjala e tij është vet rruga, e vërteta dhe jeta. Ndaj ai flet, bërtet, çirret, sakatoset, sikletoset për një popull pa mend, që nuk i kupton vizionet e tij për shpëtimin e popullit në këto kohë apokaliptike. Fundi i botës të duket edhe më i dhunshëm me këtë lider zgërhyell të gjatë, që flet për masa dragoniane.
Vetëm kaq.
Nga Kulla e Surrelit, “burri” mjekërbardh shpallë fermanet se si do të ndëshkohen vdekatarët e shkretë, që kapen duke thyer urdhërin e “hyjnisë”. Anipse pse uria mundet të të mposhtë arsyen racionale, dhe ke marrë rrezikun në sy nga Covid-19.
Asnjë fjalë, asnjë shpresë se Zoti i Shqipërisë nga Kulla e Surrelit do të hapë dyert e thesarit sekret, prej 800 milion euro*).
Dystopia ka pushtuar shpirtin dhe shtëpinë e njerëzisë, ndërsa rrugët e shkreta shkëlqejnë nga rrezet e diellit. Edhe sa ditë, javë apo muaj mund të durojmë pa shpresë?
Shpresë nuk ka.
Covid-19 është i pashpirtë, ndërsa Cov-Ed-20 është vet skëterra.