Një nga mjekët më të njohur në Britaninë e Madhe, ka publikuar një analizë në gazetën Daily Mail, e cila duhet lexuar në këto ditë të vështira
Nga Karol Sikora
Në filmin ‘Stuhia perfekte’, aktori George Clooney portretizon një peshkatar të pamposhtur, që lundron me varkën e tij përmes një stuhie të egër vdekjeprurëse- mes një rrjedhe të çuditshme frontesh atmosferike, që sfidojnë çdo përpjekje për parashikim, le më të flasësh për kontroll.
Sot, sistemi ynë i kujdesit shëndetësor është në të njëjtën pozitë të rrezikshme si varka e brishtë e Clooney në atë film.
Koronavirusi është shumë ngjitës, dhe i mbështetur te ndërlidhja globale, ai po infekton shumë njerëz.
Është e drejtë të thuhet se perspektiva është e errët dhe se rreziku për jetën e njeriut është serioz. Megjithatë, situata nuk është dëshpëruese.
Në fakt, nëse të gjithë sillemi në mënyrë të arsyeshme, besoj se kriza do ketë përfunduar në fund të qershorit dhe atëherë, të qetësuar se kjo mbaroi, ne mund edhe të habitemi se sa shpejt u zhduk virusi.
Që kjo të ndodhë, megjithatë, ne duhet të shmangim një tjetër forcë vdekjeprurëse- ky është paniku.
Kjo për shkak se reagimi i tepruar dhe deformimi i përparësive tona mund të bëjë dëm për mijëra njerëz, që janë tashmë të varur nga shërbimi shëndetësor. Shanset e tyre për mbijetesë do rrezikohen ose do të shkatërrohen nëse trajtimi i tyre do të ndërpritet. Kjo është arsyeja se përse unë mbështes qasjen e qëndrueshme të ndërmarrë deri më tani nga qeveria jonë.
Disa sugjerojnë se duhet të kishim ndërmarrë një veprim drastik më herët- duhej të kishim mbyllur shkollat dhe kufijtë dhe të mbylleshim brenda. Por pas një jete në mjekësi, kam parë shumë kriza të vijnë dhe të shkojnë dhe e di se ndërhyrja me kokën e gabuar mund të shkaktojë po kaq dëme sa problemet që supozohet të kurojë.
Më lejoni të jem më i qartë: nëse nxitojmë të ‘veprojmë’ vetëm për shkak se duhet vepruar, të jemi të sigurt se mund të dënojmë njerëzit me vdekje të parakohshme.
Kjo nuk është për të nënvlerësuar rëndësinë e situatës.
Ndërsa për shumicën e njerëzve kjo do të jetë një sëmundje e lehtë- do ketë shumë të tjerë për të cilët do jetë serioze.
Koronavirusi është një makineri e vogël dhe efektive, e cila i mbyt qelizat thellë në qeskat e vogla të ajrit të mushkërive, u rrëmben atyre mekanizmin e kontrollit dhe komandës, i vret dhe ‘vjell’ gjithmonë e më shumë virus infektues. Njerëz të ndryshëm veprojnë në mënyra të ndryshme.
Disa, veçanërisht ata me probleme në zemër dhe mushkëri, nuk do marrin dot frymë. Disa mund të preken nga një pneumoni sekondare dhe do u dështojnë organet, veshkat, mëlçia, truri.
Por të tjerët duket se preken butë. Deri më tani, vetëm një në 20 persona të infektuar kërkon ndihmë mjekësore, shumica tjetër e merr veten brenda pak ditësh.
Në Britani kemi pasur një përgjigje të matur dhe deri më tani ka funksionuar mirë. Duke theksuar vetëizolimin dhe distancimin social, përgjigjia zyrtare ka qenë një ndërhyrje klasike e shëndetit publik, që synon të vonojë shkallën e infeksionit në mënyrë që sistemi ynë shëndetësor të mos kalojë në kolaps.
Megjithatë, askush nuk mund të ofrojë garancitë që duan njerëzit në këtë moment, dhe imazhet që vijnë nga bota janë të fuqishme: pacientë të shtrirë nëpër karroca, personel mjekësor i veshur rëndë, ushtarë që patrullojnë rrugët, dhe nisma ligjore që sjellin ndryshime të thella në jetën e popullatave të tëra.
Por frika është ngjitëse gjithashtu dhe ekziston rreziku, që duke folur kaq shumë për krizën, sistemet tona të kujdesit shëndetësor të përmbyten në pikën e kolapsit.
Për shembull, si duhet ta mbrojmë kujdesin rutinë të pacientëve me kancer dhe sëmundje kardiake- këtyre dy vrasësve të frikshëm të shekullit të 21-të?
Shërbimi Shëndetësor Britanik ka punuar në kapacitet, me pritje të gjata gjatë dimrit. Ne nuk mund të lejojmë që vëmendja të shmanget nga pacientët që janë tashmë të sëmurë, dhe për shkak se është e arsyeshme nga pikëpamja politike, t’i jepet përparësi koronavirusit.
Pastaj është tundimi për të ndërmarrë hapa që mund të bëjnë më shumë dëm, sesa mirë. Shkenca nuk është e saktë.
A duam vërtet që njerëzit të kufizohen në shtëpi, kur dihet se aty rreziku i infektimit është i lartë? Nëse mbyllim shkollat, a nuk do të thotë kjo që fëmijët do jenë në duart e të afërmve të moshuar- atyre njerëzve që po përpiqemi t’i mbrojmë?
Po për pasojat e mbylljes së ekonomisë dhe shkatërrimit të vendeve të punës? Edhe kjo në vetvete është e dëmshme për shëndetin e njerëzve, jeta e të cilëve do të shkatërrohet.
Vendimi i Trump për të mbyllur kufijtë e Amerikës nuk ka kuptim shkencor, edhe nëse duket i mirë për të zgjeruar bazën e votuesve.
Skanimi për shëndetin në kufinj po ashtu është i dyshimtë. Është e lehtë të masësh temperaturën, por është po kaq e lehtë të mashtrosh teknologjinë me nja dy aspirina për të ulur temperaturën.
Atëherë si duhet të mbrojmë personat vulnerabël nga virusi- të moshuarit dhe ata me probleme të tjera shëndetësore?
Unë besoj se duhet të kthehemi te një mentalitet më i vjetër, mentaliteti i fshatit, kur merrnim kohë për t’u kujdesur për njëri-tjetrin, të pasur dhe të varfër, të rinj dhe të moshuar.
Le të sillemi si familje të ngushta dhe të sigurohemi që askush nga ne nuk është i izoluar, i lënë vetëm për të luftuar virusin.
Ne duhet të marrim përgjegjësi për veten tonë dhe duhet të veprojmë sikur jemi të infektuar, duke u siguruar që nuk do ia ngjisim askujt tjetër.
Për fat, shkenca dhe teknologjia janë në anën tonë, me video-linqe të shkëlqyera që lejojnë ndjekjen e pacientëve dhe konsultimet- duke shmangur rrezikun e transmetimit.
Ndërsa është e vërtetë që të rinjtë janë më të dhënë pas teknologjisë, nuk është kurrë vonë për të mësuar.
Halla 90-vjeçare e gruas sime është një mjeshtre e internetit në shtëpinë e saj të kujdesit. Kompjuterët mund të ofrojnë monitorim të vazhdueshëm të pacientëve në rrezik dhe ndihmë vetëm kur është e nevojshme të veprohet.
Këto dhe të tjera zhvillime mund të sjellin ndryshime të mëdha në mënyrën se si funksionon shërbimi ynë shëndetësor.
Së shpejti do të ketë edhe një vaksinë. Ilaçet ekzistuese mund të jenë të dobishme gjithashtu. Farmacitë spitalore kanë ilaçe për trajtimet e kancerit, që mund të bllokojnë hyrjen e virusit në qeliza dhe të shmangin inflamacionin.
Studiuesit mjekësorë dhe shkencorë kanë publikuar një seri dokumentesh që nga Kina dhe Koreja, të cilat po ndihmojnë botën që të merret me këtë problem. Të gjitha janë të disponueshme në internet- një përgjigje fantastike.
Një hap i dukshëm përpara është përdorimi i kapaciteteve rezervë në sektorin e pavarur.
Në fushën time, kujdesi për kanceri, ka më shumë se 20 spitale private që mund të ndihmojnë me lehtësi.
Përkundër asaj që shihni në lajmet 24-orëshe, ka arsye të mira për të qenë optimistë dhe jo vetëm sepse ka mbërritur pranvera.
Ne do ia dalim së bashku dhe do të kalojmë të sigurt në port në anën tjetër të stuhisë.
Mbi të gjitha, ne nuk duhet të konsumohemi nga frika- pasi ky është armiku më vdekjeprurës nga të gjithë.