Nga Peter Frankopan*
Makthi është kaq real. Një burrë arrin në klinikë, duke u ankuar për dhimbje fyti, temperaturë dhe dhimbje koke. Një tjetër arrin pas tij, më pas një tjetër. Deri në drekë bëhen dhjetëra. Brenda një jave, qindra.
Muajt e dimrit zakonisht shohin një shfaqje të gripit. Por këtë herë po infektohen më shumë njerëz se normalisht.
Kjo nuk është e vetmja gjë e çuditshme. Zakonisht, virusi i grupit lulëzon te fëmijët dhe të moshuarit, që e kanë sistemin imunitar më të dobët. Por ata që shkojnë te mjeku janë nga 20 deri në 40 vjeç, të cilët zakonisht nuk e kanë problem një virozë sezonale.
Së shpejti bëhet e qartë se diçka po shkon tmerrësisht keq. Rezulton se njerëzit e sëmurë nuk po shfaqen vetëm në një spital në një qytet të vetëm, por kudo. Kudo! Anembanë botës. Një e katërta e popullsisë në botë raportojnë për simptoma. Më pas nisin të vdesin. Në një numër të madh.
Shkalla është e frikshme. Në SHBA, ku një e treta e popullsisë është prekur, qindra-mijëra po vdesin. India paguan një çmim të tmerrshëm pasi 18 milionë njerëz ndërrojnë jetë.
Ky nuk është një skenar filmi Hollivudi, që synon të fitojë sa më shumë bileta. Kjo është ajo që ndodhi 100 vjet më parë kur u shfaq gripi spanjoll.
Mes janarit të vitit 1918 dhe një viti më pas, 500 milionë njerëz ishin infektuar. Deri në fund të shpërthimit, ndoshta pesë përqind e njerëzve në planet kishin vdekur.
Vetëm një shekull më pas, nuk është çudi që zyrtarët e shëndetit janë kaq të shqetësuar për ‘2019-CoV’, një lloj i ri koronavirusi, që u shfaq në qytetin Vuhan të Kinës.
Nuk ka rëndësi nga e ka origjinën shpërthimi i një sëmundje infektive. Në botën tonë të ndërlidhur, një sëmundje mund të infektoja miliarda në pak javë.
Aeroplanët transportojnë njerëz të infektuar nga njëra anë e planetit te tjetra, më shpejt se kurrë në histori.
Londra lidhet me Vuhanin nga fluturime direkte tri herë në javë. Thuajse çdo qytet tjetër në botë është maksimalisht 18 orë larg.
Por, megjithëse numri i të vdekurve nga ky lloj i ri koronavirusi, ka qenë për fat i ulët, mësimet nga historia janë se pandemitë globale kanë goditur shumë herë, duke luajtur një rol kryesor në formësimin dhe fundin e qytetërimeve.
Ndoshta rasti më i famshëm është ai i Vdekjes së Zezë, që përfshiu nga Azia, në Lindjen e Mesme, në Europë dhe Afrikë në shekullin e 14-të.
Të infektuarit me këtë bakter kalonin një vuajtje të tmerrshme, teksa organet e tyre sulmoheshin me radhë, kurse qelbi dhe gjaku shpërthente nga nyjet limfatike, të cilat mund të rriteshin derisa të bëheshin sa një mollë.
Hemorragjia e gjakut të helmuar, që merrte ngjyrën e zezë, i dha emrin shpërthimit të murtajës.
Përhapjet në shkallë të gjerë të murtajës kanë qenë të ndërlidhura ngushtësisht me ndryshimet e klimës, çka nënkupton se sëmundja zhvendoset përtej habitatit të saj lokal dhe përhapet me shpejtësi.
Kjo ndodhi në vitin 540 Para Erës Tonë, kur Murtaja e Justinianit, e quajtur sipas perandorit bizantin, ishte aq shkatërruese sa thuhet se nuk kishte njerëz të mjaftueshëm sa për të varrosur të vdekurit në Konstandinopojë. Trupat u hodhën në disa kulla boshe dhe u lanë të kalbeshin, duke prodhuar një erë të tmerrshme nëpër qytet.
Murtaja vret shpejt: kur nuk mbetet askush, ajo zhduket, çka do të thotë se karantina është një strategji e dobishme kundër saj.
Izolimi i të infektuarve është përdorur rregullisht në Afrikë në dekadat e fundit për të kufizuar të tjera sëmundje shkatërrimtare.
I identifikuar në vitin 1976 për herë të parë, virusi i ebolas shkakton gjakderdhje, të vjella dhe diarre, dobësimin e mëlçisë dhe veshkave dhe shpesh e vret mbartësin brenda disa ditësh.
Është shumë infektues, duke kaluar përmes shkëmbimit të lëngjeve gjatë seksit, puthjeve, nga djersa, qumështi i gjirit ose ekspozimi ndaj një plage të hapur përmes mukozës në sy, gojë dhe hundë. Veshjet e kontaminuara me lëngje trupore nga dikush, gjithashtu mund të përhapin virusin.
Ka pasur shpërthime në Afrikë- më i fundit prej të cilëve në gusht të vitit 2018. Në 18 muajt e fundit, të paktën 1700 persona kanë vdekur, me situatën kaq alarmante, sa Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli emergjencën globale.
Për fat, masat parandaluese duket se e kanë penguar përparimin e ebolas, të paktën tani për tani.
Pak ekspertë kanë iluzione sesa afër stuhisë kemi lundruar dhe sa pak të përgatitur jemi për t’u përballur me një pandemi.
Një studim i universitetit ‘John Hopkins’ në SHBA, paralajmëroi vitin e shkuar se ekzistojnë dobësi të mëdha në aftësitë e vendeve për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar ndaj shpërthimeve të rëndësishme të sëmundjeve. Shumica e vendeve nuk kanë pothuajse asnjë sistem apo marrëveshje se si të bashkëpunojnë në rast të një pandemie serioze.
Kaq e shqetësuar është OBSH, sa ka identifikuar sëmundjet që kërkojnë vëmendje të veçantë.
Këtu përfshihet virusi Zika, i cili tërhoqi vëmendjen e publikut pas shpërthimit në vitin 2015. Kjo bëri që mjekët t’u bëjnë thirrje grave, të cilat donin të ngeleshin shtatzëna, që të prisnin, kaq i madh ishte kërcënimi i problemeve neurologjike dhe deformimeve nga sëmundja e transmetuar prej mushkonjave për fëmijët e palindur.
Sidoqoftë, më e frikshme është se krahas sëmundjeve të njohura, siç është sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (siç njihet koronavirusi SARS), OBSH përfshin edhe një tjetër vrasës të mundshëm potencial.
Kjo njihet edhe si Sëmundja X- një epidemi serioze ndërkombëtare, që mund të shkaktohet nga një patogjen aktualisht i panjohur si shkaktar sëmundjesh njerëzore.
Duket si një film distopik, por kjo mund të vijë nga një virus që ka kapërcyer pengesat e specieve nga kafshë dhe ka pësuar mutacion për të infektuar njerëzit, duke vrarë në numër të madh.
Ne jetojmë në një botë ku është shumë e lehtë dhe e lirë të prodhosh dhe modifikosh patogjenë të rinj në laboratorë, gabimisht ose me qëllim. Këto, natyrisht, mund të çlirohen me qëllim për të shkaktuar dëme- ndoshta nga një shtet që kërkon hakmarrje për poshtërimin ndërkombëtar ose nga ndonjë aktor tjetër joshtetëror si një akt terrorist. Sëmundjet mund të shpëtojnë edhe gabimisht dhe mund të dalin jashtë kontrollit. Të tillë skenarë sjellin pasoja të panjohura, por potencialisht shkatërrimtare.
Lajmi i mirë është se një shekull nga gripi spanjoll, aftësitë kërkimore, përfshi zhvillimin e antibiotikëve, si dhe përmirësimi i kushteve sanitare, higjienës dhe kujdesit mjekësor, do të thotë se kemi disa armë për t’u mbrojtur kundër një shpërthimi të madh të ndonjë sëmundje.
Interneti dhe kanalet e tjera moderne të përhapjes së informaconit po tregohen të rëndësishme- por po kaq e vërtetë është se në rast të një pandemie globale, autoritetet duhet të shpenzojnë shumë kohë për të kundërshtuar dezinformacionin online.
Në rast të Sëmundjes X, që shfaqet si murtajë e shekullit të 21-të, nuk është e pakonceptueshme që aeroportet dhe mbase edhe qytetet të mbyllen dhe të karantinohen- dhe nuk është e pamundur që ata brenda zonës së karantinës të paguajnë një çmim të tmerrshëm, vdekjeprurës.
Shpërthimi i virusit në Vuhan mund të jetë vetëm një dridhje tjetër. Por pak duhet të kenë dyshime. Problemi i maktheve është se ato janë reflektime të realitetit. Siç e tregon e shkuara, ndonjëherë ato bëhen realitet.
*Peter Frankopan është profesor i historisë globale në Universitetin e Oksfordit. Marrë nga Daily Mail