Nga Zef Preçi
Ditët e fundit, jo pa shqetësim është folur dhe shkruar gjerë e gjatë mbi kërcënimin që përbën vala e re e refugjatëve sirianë që po përpiqen me çdo mjet të kapërcejnë kufirin e jashtëm të BE (që në fakt është kufiri shtetëror midis Turqisë dhe Greqisë) për t’u drejtuar drejt BE në tërësi dhe Gjermanisë në veçanti. Në këtë kontekst është komentuar e kritikuar edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj këtyre zhvillimeve dramatike në kufirin greko-turk të mbuluara gjerësisht edhe nga masmedia botërore. Ajo që të bie më tepër në sy është lajmi i pakundërshtuar nga qeveria shqiptare se “në Shqipëri do të vendosen kampe për të strehuar 600 mijë azilantë”. Në të vërtetë, ky lajm ka qarkulluar disa herë qysh nga viti 2015 dhe madje edhe ka qenë hedhur poshtë nga drejtues të mazhorancës aktuale si i pavërtetë (2018), ndonëse rikthehet në skenë sa herë që vendi pret vendimmarrjen e radhës për çeljen ose jo të negociatave me BE-në dhe në masmedia përcillet si njëlloj shkëmbimi jotransparent për interesa politikë që Kryeministri Rama i bën marrjes së kësaj ftese me ofrimin e territorit shqiptar duke rrezikuar kthimin e tij në një rezervat për refugjatët ekstrakomunitarë (në rastin e fundit janë kryesisht qytetarë sirianë që prej vitesh jetojnë në Turqi). Le të përpiqemi ta shohim këtë problem pak më në detaje.
Së pari, mendoj se është krejt e natyrshme që autoritetet shtetërore shqiptare, me përmbushje të funksioneve të veta kushtetuese dhe ligjore, të marrin masa përgatitore për situata emergjente, për këtë ose për shkaqe të tjera. Ndërsa pritja dhe trajtimi i refugjatëve përbën një situatë të veçantë për vendin tonë. Kjo jo thjesht për humanizëm, as për faktin e njohur se Shqipëria është vetë një vend refugjatësh (rreth 1/3 e popullsisë jeton e punon jashtë territorit të Republikës), as për faktin se vendi ynë është nënshkrues i akteve ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve në situata të tilla. Përgatitja e infrastrukturës, ngritja e kapaciteteve menaxheriale përkatëse, sigurimi i rezervave, masat për sigurinë publike etj., janë detyrë e çdo shteti normal demokratik dhe ne duhet të mësohemi për të qenë në vijimësi të tillë.
Nëse shteti nuk funksionon me këtë mënyrë rrezikojmë që në rastin e një krize humanitare (përndryshe mbërritja e valës së refugjatëve në kufijtë tanë jugorë e juglindorë) të krijohet ajo situatë e turpshme që u krijua me rastin e tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit 2019, d.m.th. kur Agjencia përkatëse nuk ishte ngritur ende, kur mungonte fondi Financiar për emergjencat, kur infrastruktura përkatëse e sidomos mjetet e rënda deri edhe qentë e trajnuar mungonin… Ja përse qeveria ka detyrimin të jetë transparente me taksapaguesit duke bërë publike se çfarë kapacitetesh infrastrukturore, njerëzore dhe institucionale kemi për t’u paraprirë emergjencave apo flukseve të reja masive të migrantëve të parregullt, për koston e të cilave duhet të tregojmë mirëkuptimin tonë të gjithë qytetarët e vendit. D.m.th. kërkesa kryesore aktuale është rritja e transparencës së këtyre përgatitjeve, duke marrë në konsideratë gjendjen e përgjithshme të vendit, mundësitë reale të tij dhe detyrimin tonë për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës dhe shpëtimit të jetëve të qytetarëve të huaj të rrezikuara. Kuptohet se në këtë mënyrë, cilido mund të gjykojë mbi veprimet e ligjshme, të logjikshme dhe që kurrsesi nuk duhet të lejojmë që ky detyrim dhe qëndrim human i shtetit të mos përdoret si monedhë shkëmbimi, qoftë edhe për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, përndryshe çeljes së negociatave në muajt në vijim. Shumëkush ende mund të kujtojë se një pjesë e popullsisë ende beson se “humbëm shansin për te përfituar disamiliarda Euro ndihma Perëndimore në rastin e mundësisë për të sjellë dhe asgjësuar në vendin tonë armët kimike të Sirisë” vetëm disa vite më parë… Histori të tilla, sa naive aq edhe djallëzore, me sfond të pastër përfitimesh momentale politike, nuk duhen lejuar të ndodhin më.
Së dyti, në opinione të ndryshme të këtyre ditëve është shfaqur, jo pa baza, edhe shqetësimi se ardhja e një numri prej disa qindra mijëra vetësh në vendin tonë, rrezikon të krijojë çrregullime serioze sa i takon ekonomisë, rendit publik (sigurisë), deri edhe te mundësia e qëndrimit të përhershëm të tyre në vendin tonë duke u shndërruar në votues të qeverisë qe ju mundëson strehimin etj. Këtë opinion të fundit e ushqen edhe fakti se shqiptarët veçanërisht gjatë 4-5 viteve të fundit, mbeten ndër kombet me nivelin më të lartë të emigrimit dhe të kërkesave për azil në Europë.
Sipas mendimit tim, dhe duke gjykuar kalimin në vendet e BE-së, dhe mbi të gjitha nga numri i qytetarëve të huaj që hyjnë në territorin tonë në mënyrë të rregullt dhe të parregullt por që regjistrohen si kërkuespër azil, mund të arrihet në konkluzionin se këto rreziqe janë minimale, të paktën për këto javë të para të krizës në kufirin greko-turk. Më konkretisht të dhënat tregojnë se mungesa e zhvillimit në mjetet e transportit (mungesa e hekurudhave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera Europiane përlëvizjen e pasagjerëve) ka bërë që vendi ynë të mos jetë tërheqës për refugjatët sirianë apo nga vende të gjera që synojnë tëarrijnë vendet e BE-së dhe posaçërish tGjermaninë. Kjo mbart rrezikun që edhe pse ardhjet e refugjatëve supozohet se mund të jenë relativisht minimale, ekziston mundësia që të mbeten këtu për një kohë të gjatë, kohë gjatë sëcilës rritet presioni ndaj qeverisë për t’i strehuar në vendin tonë, por edhe joshja e vetë qeverisë për shkak të fondeve që zakonisht premtohen nga agjencitë e specializuara dhe qeveritë perëndimore në raste të krizave të tilla.
Është interesante të theksohet gjatë viteve të fundit shtypi ka raportuar rritjen e fluksit të imigrantëve të parregullt të ndaluar në Shqipëri. Kështu gjatë vitit 2018 janë ndaluar rreth 5.730 shtetas të huaj, pothuajse pesë herë më shumë se një vit më parë, rritje kjo e shoqëruar edhe me shtimin e numrit të kërkesave për azil – nga 307 kërkesa (2017) në 4,378 kërkesa (2018).Ndërsa një studim i mëvonshëm (2019) tregon se pavarësisht rritjes së numrit të migrantëve të parregullt që hyjnë në vendin tonë, kryesisht përmes kufirit jugor me Greqinë, për të vijuar më tej me Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë dhe me destinacion përfundimtar vendet e BE-së vetëm rreth 1% e tyre, mbeten të interesuar për të qëndruar në Shqipëri. Kjo për faktin se ata e zgjedhin Shqipërinë thjesht si një rrugë tranzite në Ballkan, por jo si destinacionin përfundimtar të tyre, pa folur për mundësinë e rikthimit në vendin e tyre të origjinës në të ardhmen (të paktën për sirianët).
Së fundi, situata potenciale e rritjes së numrit të emigrantëve që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë mendoj se duhet të sjellë në vëmendjen e agjencive ligjzbatuese nevojën e forcimit të vigjilencës në kufijtë detarë për të parandaluar rikthimin e kohës së skafeve. Kjo edhe për faktin se trafikimi i drogave për një kohë të gjatë ka krijuar përvojën, kontaktet dhe gjithçka tjetër të nevojshme për infrastrukturën e rrjeteve kriminale që operojnë në këtë rajon të botes. Janë të gjitha gjasat që trafiku detar mund të rifillojë dhe jo vetëm nërrugët detare, por edhe përmes transportit të brendshëm automobilistik drejt kufijve veriorë të vendit me Malin e Zi dhe Kosovën. Po kështu, janë shtuar rreziqet për akte të dhunshme kriminale ndaj vetë refugjatëve, të cilat sipas raportimeve të masmedias kanë filluar të shfaqen në formën e mashtrimit dhe braktisjes mbasi iu kanë marrë paratë për transportimin e tyre deri në kufijtë shtetërorë, dhunës seksuale etj.
Mendoj se nuk duhet nënvleftësuar edhe ndikimi i një fluksi të shtuar të emigrantëve në ekonominë e vendit dhe nëveprimtarinë e qeverisë shqiptare, e cila edhe pa këtë fluks vazhdon të jetë problematike për shkak të paqëndrueshmërisë dhe debatit politik të brendshëm. /Mapo/