Shqipëria mbetet e paprekur nga koronavirusi. Konfirmimi erdhi këtë të diel nga Eugena Tomini, përfaqësuese e Task-Forcës në Ministrinë e Shëndetësisë, për masat e marra për parandalimin e depërtimit dhe kontrollit të koronavirusit COVID-19. Në një deklaratë për mediat, Tomini tha se janë tentuar tre raste të reja të dyshuara, në laboratorin e virologjisë në ISHP dhe kanë rezultuar negative. Në total, janë testuar 29 raste, shtoi ajo.
“Nga periudha e shfaqjes së epidemisë në Kine e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 29 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit të sipërm respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthime komunitare”, tha Tomini.
“Nga survejanca e përforcuar në pikat kufitare ajrore detare dhe tokësore, po kryhet monitorimi i temperaturës në vijimësi për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë. Në 24 orët e fundit janë monitoruar për temperaturë 13,672 persona në pikat kufitare ajrore, tokësore dhe detare. Në 24 orët e fundit thirrjet në nr e Urgjencës Kombëtare 127 kanë arritur nivelin e 1485 telefonatave, nga të cilat 57 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksion viral respirator dhe histori udhëtimi me Italinë”, informoi.
Apeli
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon udhëtarët që vijnë nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmurë apo të dyshuar për COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore. MSHMS rekomandon qytetarët që kane udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenjat e infeksionit viral të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore”, apeloi Tomini.
LEXO EDHE:
Koronavirusi/ Rriten rastet e të infektuarve në fqinjët e Shqipërisë. Situata në Rajon