Muhamet Sallahi, 26 vjeç, është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës dhe është dënuar me 16 vite burgim me gjykim të shkurtuar për veprat penale: Vrasje me dashje dhe Plagosje e rëndë me dashje.
Për babin e dy fëmijëve, i arrestuar më 12 Nëntor 2018 dhe i gjykuar nën masës e sigurisë arrest me burg, Prokuroria kërkoi dënimin me 25 vite burgim dhe aplikimin e gjykimit të shkurtuar. Mbrojtja, ndërkohë, kërkoi një masë dënimi më të butë. I pandehuri Muhamet Sallahi pranoi akuzat dhe kërkoi mëshirë nga gjykata.
Sallahi, më 13 Tetor 2018 ka goditur me thikë Holdi Hajdarin, në banesën e këtij të fundit në Kombinat. 30-vjeçari ka ndërruar jetë më pas në spital.
Në vendimin e gjykatës, zbardhet dhe krimi që i mori jetën të riut. Referuar analizave mjekoligjore pas vrasjes, si autori dhe viktima kishin gjurmë të lëndëve narkotike në gjak dhe urinë.
Rreth një muaj para vrasjes, Muhamet Sallihi ka plagosur me kaçavidë 30-vjeçarin, të cilin siç ka deklaruar, “e kishte shok”. Në atë rast, Muhamet Sallihi ka dhënë dëshmi kontradiktore për autorësinë e krimit, ndërkohë që ka pranuar se konsumuar hashash.
Plagosja
Në vendimin e gjykatës sqarohet se së me datë 18 Shtator 2018, policia është njoftuar se në vendin e quajtur “Misto Mame”, shtetasi Muhamet Sallahi kërkonte ndihmë pasi shtetasi Holdi Hajdari, ishte goditur me kaçavidë. Është shkuar në vendin e ngjarjes dhe është konstatuar shtetasi Holdi Hajdar i plagosur dhe është dërguar me ambulancë në Spitalin Ushtarak. Është përpiluar procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, banesa e shtetasit Holdi Hajdar ku janë venë re njolla si ato të gjakut të shpërndara në mënyrë të çrregullt në banesë.
Është marre deklarim shtetasit Muhamet Sallihi në cilësinë e personit që zhvillohen hetime ka sqaruar se: “kishte debatuar me shtetasin Holdi Hajdari rreth orës 21:00 dhe kur atë e ka zënë gjumi rreth orës 01:00 është çuar nga shtrati dhe ka vajtur te dhoma ku flinte Holdi dhe e ka gjuajtur me kaçavide. Ai thekson se është përdorues i lëndëve narkotike dhe atë ditë kishte konsumuar hashash.”
I është marrë deklarim shtetasit Holdi Hajdari në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, ku sqaron se: në datë 18.09.2018 kur ishte duke fjetur në orët e para të mëngjesit, është zgjuar nga gjumi për shkak të zhurmave që ka dëgjuar dhe ka vënë re një person i cili ishte veshur me bluzë të zezë dhe me kapele me strehe në ngjyre të zeze dhe e ka qëlluar me kaçavide në trup dhe është larguar. Ka lajmëruar shokun e tij Muhamet Sallahi i cili e ka ndihmuar dhe ka marrë në telefon Policinë për ta ndihmuar.
Janë pyetur efektivet M.S., B.S. dhe A.M. që kanë deklaruar se: “Atë mbrëmje, kanë qenë me shërbim turn i tretë dhe rreth orës 04:10 kanë marrë njoftim nga Salla Operative se ishte një shtetasi plagosur ne rrogën ‘Bego Hoxha’. Menjëherë, kanë kaluar në adresën e dhënë dhe kanë konstatuar dy shtetas, njeri ishte i plagosur dhe i gjakosur që qëndronte i shtrirë në trotuar, ndërsa personi tjetër, po e ndihmonte dhe ju prezantua si shtetasi Muhamet Sallahi. Pas disa minutash erdhi dhe ambulanca e cila mori personin që ishte i dëmtuar, Holdi Hajdari ndërsa shtetasin Muhamet Sallahi e shoqëruan për në Komisariat. Kur e pyetem shtetasin Muhamet Sallahi se çfarë kishte ndodhur, ai ju përgjigj se ishte së bashku me shtetasin Holdi Hajdari duke fjetur te banesa e këtij të fundit dhe një person ishte futur në banesë dhe kishte qëlluar shtetasin Holidi Hajdari. Sipas Muhametit, personi qe kishte qëlluar Holdin ishte shtetasi E.K”..
Menjëherë patrulla bashke me specialistët e zonës kanë shkuar te banesa e shtetasit E.K., ku e kanë gjetur këtë të fundit duke fjetur gjumë. Ai ka sqaruar në dëshminë e tij se “nuk e njeh shtetasin Holdi Hajdari dhe ne date 18:09.2018 rreth orës 21:30 ka shkuar në banesën e tij ku jeton me familjen e tij dhe nuk ka lëvizur atë natë nga banesa dhe se nuk ka dijeni fare për plagosjen e shtetasit Holdi Hajdari”.
Vrasja
Ndërkohe që më datë 13 Tetor 2019, në bazë të materialeve hetimore të ardhura po nga i njëjti Komisariat, është riregjistruar procedimi penal që bën fjalë për ngjarjen e datës 11.10.2018, kur është njoftuar salla operative se në një banese në rrugën “Bego Hoxha” shtetasi Muhamet Sallahi pasi ka qenë se bashku në ambientet e kësaj banese me shtetasin Holdi Hajdari, e ka goditur këtë të fundit disa herë në pjesë të ndryshme të trupit me mjet prerës e shpues dhe pasi viktima është dërguar në Spitalin e Traumes, aty ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Nga të dhënat paraprake kishte dyshime se shtetasi Muhamet Sallahi, e ka goditur disa here viktimën me mjet prerës e shpues dhe si pasojë, ky i fundit ka gjetur vdekjen.
Në datë 12.10.2018 në orën 22:30, është kryer arrestimi në flagrancë i autorit Muhamet Sallahi i cili pasi është pyetur në prani të avokatit, ka pranuar dhe shpjeguar mekanizmin e ngjarjes duke pohuar dhe autorësinë e kryerjes së saj.
Ai ka shpjeguar se:“Në datën 11.10.2018 në orën 23:00 ka qëlluar me thikë shokun e tij Holdi Hajdari pasi janë grindur me njeri-tjetrin me fjalë dhe kanë qenë nën ndikimin e narkotikeve pasi kanë përdorur të dy heroine gjë të cilën e bënin shpesh së bashku. Atë ditë, ka shkuar në banesën ku qëndronte Holdi pasi ka kapërcyer nga avllia meqë dera e oborrit ishte e mbyllur dhe pasi kishte me vete heroinë të cilën e kishte blerë, e ka ftuar Holtin që ta përdornin bashkë. Pasi ka përgatitur heroinë, e ka injektuar me shiringe ndërsa Holdi e ka thithur me hundë. Pas kësaj, Holdi ka filluar ta shante nga nderi i familjes, nga motra, nga njerëzit e shtëpisë dhe Muhameti i kishte bërtitur. Holdi tentoi ta godiste dhe pas kësaj ai ka marrë një thikë të cilën e gjeti aty në një çante që sipas tij ishte thike buke dhe nën efektin e drogës së përdorur ka filluar ta godasë disa here në trup, dy herë në pjesën e barkut. Është larguar nga shtëpia, duke e lënë Holdin aty të gjakosur duke rënkuar dhe nuk e ka ndihmuar. Ditën e nesërme, është vënë në dijeni nga mediat se shtetasi Holti Hajdari kishte ndërruar jetë. Me pas, pasi ka kontaktuar me familjaret e tij ka vendosur të dorëzohet në polici. Mjetin e kryerjes se vrasjes, thikën ai e ka marrë me vete dhe me pas e ka hedhur gjatë rrugës për në ‘Misto Mane’”, por ajo nuk është mundur të gjendet, sikundër edhe kaçavida në rastin e plagosjes.
Analizat
Sipas aktit të ekspertimit toksikologjiko-ligjor rezulton se në mostrën e urinës objekt ekspertimi marrë shtetasit Muhamet Sallahi u zbulua prania e produkteve të metabolizmit te kanabinoideve, metadonit dhe benzodiazepinave. Ndërsa nga ekzaminimi toksikologjik në gjakun e viktimës u zbulua prania e metaboliteve të heroinës.
/BoldNews/