Vetingu për kryeprokuroren e Durrësit/ Të dhënat e “Boldnews.al” rrezikojnë karrierën e Anita Jellës

Nga BoldNews.al

Disa të dhëna, të publikuara më parë nga “Boldnews.al”, i kanë shërbyer si bazë vëzhguesit ndërkombëtar Teo Jacobs për të kërkuar shkarkimin nga detyra të drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, njëkohësisht prokurore e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK.

Trupa e Vetingut, e përbërë nga kryesuese Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Etleda Çiftja, vendosën konfirmimin në detyrë të subjektit Anita Jella, me vendimin e datës 10 Dhjetor 2019, i zbardhur në fillim të kësaj jave.

Në vendimin e saj, trupa e Vetingut ka marrë në analizë edhe të dhënat e publikuara në artikullin e “Boldnews.al”, me titull “Vetingu/ Anita Jella, dyshime për shpenzimet dhe “dështimet” me peshqit e mëdhenj të Durrësit”, publikuar në 4 Tetor 2019.

Në atë shkrim, “Boldnews.al” ngrinte dyshimin se disa veprime të drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, kishin penguar përkohësisht arrestimin e ish-kreut të Kadastrës së qytetit, Liridon Pula.

Komisioni i Vetingut, sipas vendimit të zbardhur, rezulton se ka analizuar të dhënat e artikullit dhe ka arritur në përfundimin se veprimet e drejtueses së Prokurorisë së Durrësit nuk ishin të atij niveli sa për ta shkarkuar nga detyra.

Por, një qëndrim tërësisht të kundërt për këtë rast ka vëzhguesi ndërkombëtar i seancës, Teo Jacobs. Ai ka shoqëruar vendimin e KPK-së me një “Opinion” të tijin, në të cilin kërkon shkarkimin nga detyra të Anita Jellës, ndër të tjera, edhe për faktet e publikuara nga “Boldnews.al”.

Verifikimet për Liridon Pulën
Në faqet 31-34 të vendimit për Anita Jellën, trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka marrë në shqyrtim dhe analizuar të dhënat e publikuara nga redaksia e “Boldnews.al”, mbi përplasjet e prokurorit Arjan Ndoja dhe drejtueses së prokurorisë së Durrësit, për arrestimin e ish-drejtuesit të Kadastrës, Liridon Pula.

Në atë artikull, “Boldnews.al” raportoi se kërkesa e prokurorit të çështjes drejtuar Gjykatës, u mbaj për rreth 5 ditë nga drejtuesja Anita Jella, pa kryer veprimin administrativ të nënshkrimit të shkresës përcjellëse.

Vetëm pasi prokurori i çështjes, në një komunikim zyrtar me drejtuesen, i kujtoi asaj se bllokimi i dërgimit të kërkesës në gjykatë përbën shkak për nisjen e hetimit për “shpërdorim detyre” ndaj Jellës, kjo e fundit e dërgoi rastin në gjykatë.

Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën për “arrest me burg” për Liridon Pulën, i cili u prangos në zyrën e tij”.

KPK i ka kërkuar sqarime zyrtare subjektit të rivlerësimit për këto të dhëna. Anita Jella, siç shkruhet në vendimin e KPK-së, ka dhënë sqarimet e saj nëpërmjet korrespondencës me e-mail, të datës 4 Tetor 2019.

Sipas dinamikës së prezantuar nga Jella, rezulton se prokurori i çështjes i ka dërguar asaj për siglim, kërkesën drejtuar Gjykatës së Durrësit, për caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për Liridon Pulën, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”. Kjo kërkesë i është dorëzuar drejtueses së Prokurorisë së Durrësit ditën e Enjte, në dt. 26 Shtator 2019, ora 15.00.

LEXO EDHE  Veliaj premtoi se mandatin do t'ia kushtonte fshatit dhe periferisë, banorët akuza kryebashkiakut

Sipas Jellës, ajo ka vendosur që ta shqyrtojë të nesërmen këtë kërkesë, pra, të Premten datë 27 Shtator 2019. Por, duke qenë se ishte e angazhuar me plotësimin e pyetësorëve për procesin e rivlerësimit, Jella ka vendosur që, për rastin konkret, të thërrasë një mbledhje ditën e Hënë, dt. 30 Shtator 2019, ku të ishin të pranishëm edhe shefi i seksionit të Krimit Ekonomik dhe prokurori i çështjes.

Në atë mbledhje, prokurori i çështjes nuk ka marrë pjesë dhe Jella ka nxjerrë një Udhëzim jo-detyrues për prokurorin, i cili nuk e ka pranuar. Në këto kushte, Jella e ka sigluar shkresën dhe e ka dërguar kërkesën në gjykatë.

Pas këtyre shpjegimeve, KPK ka konstatuar se mos-veprimet e subjektit Anita Jella, në cilësinë e drejtueses së Prokurorisë, nuk kanë cënuar vijueshmërinë e hetimit.

Qëndrimi “kundër” i Teo Jacobs
Për rastin e Liridon Pulës rezulton se ka kryer një verifikim paralel edhe vëzhguesi ndërkombëtar i seancës, Teo Jacobs, referuar të dhënave të publikuara nga “Boldnews.al”. Jacobs ka zhvilluar kontakte në Prokurorinë e Durrësit në 31 Tetor 2019.

Në përfundim të veprimeve verifikuese, vëzhguesi i ONM-së konstaton se nuk ka gjurmë që një mbledhje e mundshme të ishte shkak për shtyrjen për dërgimin e kërkesës për arrestimin e Liridon Pulës në gjykatë.

Po ashtu, Jacobs konstaton se “fakti që vendimi i gjykatës ka caktuar masën “arrest me burg” në bazë të kërkesës së prokurorit, pra, pa hetimin shtesë të kërkuar nga subjekti i rivlerësimit, znj. Anita Jella, me udhëzimin e saj “jo urdhërues”, është provë që provon se kërkesa e subjektit për prokurorin e çështjes ishte e panevojshme në këtë pikë”.

Pasi ka marrë “Opinionin” e vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka vlerësuar përfundimisht se rasti nuk ishte në nivelin e rëndësisë për shkarkimin nga detyra të prokurores Anita Jella.

Ndërkohë, vëzhguesi ndërkombëtar, Teo Jacobs, duke i vendosur në qëndrimin e tij.

Në ditën që KPK zbardh vendimin e konfirmimit në detyrë të Anita Jellës, e konkretisht në 10 Shkurt 2020, Jacobs i bashkëlidh “Opinionin” e tij, në konkluzion të të cilit shpreh mendimin se Anita Jella duhet shkarkuar nga detyra.

Megjithatë, vendimi për ankimimin ose jo të vendimit të konfirmimit në detyrë të Anita Jellës është në vlerësimin e institucionit të Komisionerit Publik, i cili ka dy javë kohë për të vlerësuar situatën.