Dyshimet, kandidati për shef të BKH, Ylli Pjetërnikaj, pagoi padrejtësisht burrin e Arta Markut?

Nga Boldnews.al

Një kërkesë rutinore e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, mund të nxjerrë në dritë një skandal abuzimi që përfshin Ylli Pjetërnikaj, ish-drejtuesin e komanduar të Prokurorisë së Shkodrës, aktualisht kandidat për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe bashkëshortin e ish-Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Pak ditë më parë, Çela ka kërkuar nga strukturat e varësisë që të dërgojnë pranë Prokurorisë së Përgjithshme statistikat mbi procedimet penale për vitin 2019.

Në raportin vjetor, ndër të tjera, përfshihet edhe ngarkesa e çdo prokurori dhe oficeri të Policisë Gjyqësore të seksioneve të prokurorive lokale.

Kjo kërkesë duket se ka vënë në një situatë të pazakontë Prokurorinë e Shkodrës.

Duke nisur nga viti 2018 e deri në korrik 2019, Prokuroria e Shkodrës është drejtuar nga Ylli Pjetërnikaj, i komanduar në kundërshtim me ligjin nga ish-kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku.

Gjatë mandatit të tij, ai ka pasur në varësi edhe oficerin e Policisë Gjyqësor, Erin Çaku, bashkëshort i Arta Markut, i cili kryente funksionet e tij prej disa vitesh në Shkodër.

Burime nga prokuroria e qytetit verior deklaruan për “Boldnews.al” se, të paktën në periudhën Janar-Korrik 2019, bashkëshorti i Markut, Erin Çaku, është paguar rregullisht nga Pjetërnikaj, megjithëse nuk është paraqitur në punë.

Burimet e redaksisë, duke ngritur dyshime të forta për “Shpërdorim detyre” me pasoja të rënda financiare nga Pjetërnikaj për këtë rast, deklarojnë se mungesa e oficerit të Policisë Gjyqësore Çaku verifikohet lehtësisht nëpërmjet kontrollit të sistemit elektronik të hyrje-daljeve në godinë, kamerave të sigurisë, por edhe punës konkrete mbi dosjet hetimore.

Sipas këtyre burimeve, Erin Çaku nuk ka kryer asnjë punë, megjithëse ka qenë i përfshirë edhe në grafikun e gatishmërisë për periudhë 6-mujore, Janar-Korrik 2019.

Për të sqaruar këtë situatë,” Boldnews.al” kontaktoi me drejtuesin e Prokurorisë së Shkodrës, Albert Murçaj, i cili është caktuar në këtë detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në fund të Korrikut 2019, pas ndërprerjes së komandimit të Pjetërnikaj.

LEXO EDHE  Kapen me 7 kg kanabis, arrestohen 4 persona

Murçaj deklaroi se “Prokuroria e Shkodrës, aktualisht, është duke përgatitur raportin vjetor për vitin 2019, ku përfshihet numri i procedimeve penale, si edhe ngarkesa në punë e prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ky raport statistikor është në fazën e përpunimit dhe pritet të mbyllet rreth fundit të muajit Shkurt”.

Insistimit të “Boldnews.al” lidhur me dyshimet për mungesën në punë dhe pagesën e rregullt të Erin Çaku, shefi i Prokurorisë së Shkodrës deklaroi: “Në përfundim të hartimit të raportit vjetor do të saktësohet ngarkesa për secilin oficer të Policisë Gjyqësore dhe shifrat e sakta të angazhimit në detyrë”.

Ylli Pjetërnikaj, prokuror me emërim në Lezhë, u caktua në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Shkodrës në Qershor 2018, me firmë të ish-Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, megjithëse nuk plotësonte kriterin ligjor të vjetërsisë në punë.

Pjetërnikaj qëndroi në krye të Prokurorisë së Shkodrës, si i komanduar, deri në Korrik 2018, kur, me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u caktua përkohësisht si prokuror i thjeshtë në Tiranë.

Gjatë të gjithë periudhës që drejtoi Prokurorinë e Shkodrës, në varësinë e tij kishte edhe oficerin e Policisë Gjyqësor, Erin Çaku, bashkëshort i Arta Markut.

Në fund të Korrikut 2019, në të njëjtën kohë me Ylli Pjetërnikaj, u largua nga Prokuroria e Shkodrës edhe Erin Çaku, i cili u caktua përkohësisht, me firmën e bashkëshortes së tij Arta Marku, në Prokurorinë e Durrësit.

Aktualisht, prokurori Ylli Pjetërnikaj është një ndër 18 kandidatët zyrtarë për të marrë postin e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ndërkohë që, nëse raporti vjetor i Prokurorisë së Shkodrës konfirmon se Pjetërnikaj ka abuzuar me detyrën, duke paguar padrejtësisht oficerin e Policisë Gjyqësor, Erin Çaku, kjo situatë mund ta vendosë atë në pozitën e personit të hetuar për “Shpërdorim detyre”.