Nga BoldNews.al
Pas testimit fizik, 18 kandidatët për drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të përballen me sfidën e vërtetë, atë të shqyrtimit të aftësive profesionale dhe integritetit të figurës, para se njëri prej tyre të marrë postin e rëndësishëm hetimor pranë Prokurorisë Speciale-SPAK.
Shumica absolute e kandidatëve të kualifikuar pas fazës së parë janë zyrtarë policorë, plot 17 të tillë. Kandidati i fundit i listës paraprake është një prokuror.
Pjesa më e madhe e kandidatëve janë prej vitesh në strukturat policore, gjë e cila i ka vendosur edhe përballë problematikave, të cilat mund t’i penalizojnë në garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Boldnews.al” ka bërë një përmbledhje mbi të dhëna publike dhe burimore, mbi karrierën dhe, sidomos, mbi pikat që mund t’i “djegin” gjatë konkurimit.
1. Adriatik Ago, aktualisht zv.Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Ministrinë e Brendshme. Ago është një oficer policie me karrierë shumë-vjeçare. Ago është mbi 61 vjeç dhe, në rast se do të zgjidhej si Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk do të arrinte të mbyllte mandatin 5-vjeçar për shkak të moshës së pensionit, duke krijuar vakancë.
2. Agim Ismaili, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, një prej njerëzve më të besuar dhe pompuar nga kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Nëse nuk i janë konstatuar ende shkelje penale, Ismaili është gjithësesi personi kryesor përgjegjës për shthurjen e administratës së Burgjeve, situatë kjo që ka ndikuar në lirimin e të disa të dënuarve me burgim të përjetshëm.
3. Ardian Çipa, ish-drejtues i lartë policie në kohën e Saimir Tahirit dhe zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nën drejtimin e Haki Çakos. Burime të “Boldnews.al” kanë deklaruar se ndaj Çipës është penalizuar me “vërejtje”, pasi ka lejuar emërimin oficer në Policinë e Shtetit një person, i cili akuzohej në Itali për trafik narkotikësh.
4. Artan Pjetërnikaj, ish-zyrtar policie, prej 6 vitesh i larguar nga drejtuesit e tij. Prej vitit 2013, Pjetërnikaj ka qenë në një konflikt civil me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas shkarkimit nga detyra.
5. Artan Shkëmbi, aktualisht drejtues i Task-Forces “Forca e Ligjit” në Policinë e Shtetit, e cila është konturuar si një “polici private” e Edi Ramës. Një oficer karriere, Shkëmbi u ndalua nga kolegët e tij në 1 Shtator 2015, pasi aksidentoi për vdekje një 18-vjeçar në autostradën Tiranë-Durrës. Hetimet policore që pasuan aksidentin, gjithësesi, nuk e gjetën elementë të veprës penale ndaj zyrtarit të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Sipas një dokumenti të publikuar nga Autoriteti i Dosjeve, rezulton se 3 zyrtarë policie kanë emrin në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Burime nga Autoriteti i Dosjeve deklaruan, në mënyrë konfidenciale për “Boldnews.al” se një prej këtyre emrave është edhe Artan Shkëmbi.
6. Artur Beu, zyrtar i Interpol-it. Karriera e tij ka nisur si përkthyes e më pas si oficer kontakti i Interpol Tiranë në Romë. Kandidati Beu nuk plotëson kriterin ligjor për shërbim për të paktën 5 vjet në luftën kundër krimit të organizuar, për shkak të specifikës strukturore.
Interpol Tiranë, në periudhën 4-vjeçare, 2014-2018, u përfshi në varësinë e Departamentit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Policinë e Shtetit. Duke qenë strukturë varësia e këtij Departamenti, edhe oficerëve të Interpol-it mund t’u llogaritet kjo periudhë si angazhim në luftën kundër krimit të organizuar.
Por, në vitin 2018, pas një riorganizimi të strukturës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Interpol-i doli nga varësia e Departamentit të Krimit të Organizuar.
Për këtë arsye, kandidati Beu, si punonjës i Interpol-it, mund të konsiderohet se ka dhënë vetëm 4 vjet kontribut në luftën kundër krimit të organizuar. Pra, ai nuk plotëson kriterin ligjor për të qenë Drejtues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili kërkon një përvojë minimalisht 5 vjet aktive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
7. Atnant Shehu, vëllai i ish-deputetit Sali Shehu. Oficeri i Policisë Shehu është aktualisht në proces Vetingu. Në këtë proces verifikimi është përfshirë edhe një familjar i afërt i tij, për ligjshmërinë e burimit të një prone në një qytet jugor të Shqipërisë.
8. Blerina Bajollari, specialiste e “Operacionit Forca e Ligjit”, strukturë që dyshohet nga opozita dhe analistë si “forcë policore e besuar e Edi Ramës”.
9. Endrit Hoxha, specialist i “Operacionit Forca e Ligjit”, strukturë që dyshohet nga opozita dhe analistë si “forcë policore e besuar e Edi Ramës”.
10. Gentian Hilla, specialist i “Operacionit Forca e Ligjit”, strukturë që dyshohet nga opozita dhe analistë si “forcë policore e besuar e Edi Ramës”.
11. Ervin Hodaj, ish-drejtori i Policisë së Tiranës, një prej njerëzve më të besuar të Saimir Tahirit. U shkarkua nga funksioni i kryepolicit të Tiranës në valën e “operacionit” të Fatmir Xhafaj për të pastruar policinë nga drejtuesit që kishin dëmtuar imazhin e Policisë së Shtetit gjatë periudhës së Tahirit.
Ish-oficeri i Policisë, Dritan Zagani, e ka akuzuar publikisht Hodajn se ka mbyllur sytë para trafikantëve Habilaj, gjatë kohës që drejtonte Policinë e Fierit
12. Gentjan Shehaj, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, u largua nga ky pozicion pas dështimit për zbulimin e ngjarjeve të rënda që ndodhën në këtë qytet. Njihet si një prej njerëzve të afërt të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Shehaj ishte në krye të Policisë së Vlorës, kur uniformat blu të këtij qyteti u angazhuan për të zbuluar se cili ishte “dëshmitari X” që akuzoi Agron (Geron) Xhafaj për trafik narkotikësh. Pas drejtimit të Policisë së Vlorës, e “transferuan” në Akademinë e Sigurisë.
13. Idajet Faskaj, drejtues i lartë në Policinë e Shtetit. Pak ditë më parë, një emision televiziv zbuloi kapi në korrupsion vëllain e tij pedagog. Por, SPAK, prokuroria kompetente për hetimin e korrupsionit, u tregua shumë e butë me vëllain e Faskajt, duke vendosur ndaj tij hetim në gjendje të lirë.
Tashmë, Idajeti synon të drejtojë Byronë e Hetimit, strukturë që ka për kompetencë hetimet e korrupsionit, vepër për të cilën dyshohet edhe vëllai i tij.
Faskaj është zyrtari i lartë policor, i cili, sipas një shkrese të zbuluar nga mediat, nuk mund të autorizonte forca vëzhguese për Çelajt në Elbasan, pasi i kishte angazhuar me hetimin e “hot-line”-eve.
14. Lindita Nushi, ish-drejtuese e Policisë Kufitare të Durrësit. U largua me urgjencë nga kjo detyrë, pas arrestimit të një numri të konsiderueshëm punonjësish policie, të akuzuar për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet e trafikantëve.
Pas këtyre ngjarjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nisi procedim disiplinor për Nushin.
15. Ylli Pjetërnika, prokuror në Lezhë, një prej të përkëdhelurve të ish-Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, e cila e komandoi në kundërshtim me ligjin në postin e drejtuesit të Prokurorisë së Shkodrës.
Aktualisht është prokuror i caktuar përkohësisht në Tiranë. Si prokuror, dhe aq më tepër si drejtues, ka “shkëlqyer” me paaftësinë profesionale. Tashmë, është i vetmi prokuror që ka kandiduar për t’u bërë polic.