Koncesioni për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale, i nisur prej 2016-s është objekt i kallëzimit penal në strukturën e sapo krijuar kundër korrupsionit (SPAK). “Faktoje” verifikoi se i njëjti shërbim në Itali dhe Gjermani është disa herë më i ulët krahasuar me Shqipërinë. Por veç çmimit të ulët, gama e instrumentave të përfshira në sterilizim në Gjermani dhe Itali është shumë herë më e lartë. Ndryshe nga çfarë ndodh në Shqipëri, faturën e energjise elektrike në këto vende nuk e paguan spitali por kompania që merret me sterilizimin.
Në 10 dhjetor të vitit 2015 Ministria e Shëndetësisë firmosi kontratën koncensionare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, me një kohëzgjatje prej 10 vitesh. Ideja për dhënien me koncesion të këtij shërbimi u prezantua nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në 2014-n dhe qëllimi sipas tij ishte ulja e infeksioneve spitalore, përfshirë edhe ato post-operatore për shkak të pajisjeve të vjetëruara. Partia Demokratike e ka denoncuar këtë projekt si aferë korruptive kur procedura e tenderit ishte kryer tashmë dhe pritej firmosja e kontratës koncensionare mes kompanisë fituese Sani Service dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Çfarë kanë përfituar shqiptarët deri më sot nga ky koncesion?
“Faktoje” komunikoi fillimisht me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojties Sociale ku sipas saj numri total i instrumentave kirurgjikalë që përfshihen në kontratë sipas Ministrisë së Shëndetësisë është 120,000.
Ndërkohë vetë sterilizimi i këtyre paisjeve është i ndarë në tre kategori të cilat përkojnë me llojet e ndërhyrjeve.
Sipas MSH në vitin 2016 kur nisi ky koncesion, shpenzimi i kryer nga buxheti i shtetit sipas tre kompleksiteve (i ulët, mesatar, i lartë) është 189,369,960 lekë. Në vitin 2018 shpenzimi është 2,078,891,040 lekë ose 12 mln euro, një shumë që ka shënuar rritje të theksuar vit pas viti.
Kostoja e sterilizimit disa herë herë më e lartë se në Itali dhe Gjermani
*Nga kërkimet e “Faktoje” rezulton se sterilizimi i një seti të kompleksitetit mesatar është thuajse i barabartë me pagën minimale mujore në Shqipëri 26000 lekë.
Për të bërë një krahasim, “Faktoje” pyeti sesa është kostoja e sterilizimit në Itali dhe Gjermani. Sipas shifrave të bëra publike nga “Qendra përgjegjëse për sterilizimin dhe paisjet mjekësore” e cila bashkëpunon me institucionin e “Sigurimit Shëndetësor Ligjor” në Gjermani, dezinfektimi (si proces i veçuar) i 1220 instrumenteve kirurgjikale në një muaj kushton 100 €. Ndërkohë midis të dhënave të tjera të siguruara nga kjo qendër shpenzimet për pastrim dhe dizinfektim në total së bashku me zëra të tjerë si tabaka për pastrues dhe dezinfektues apo dezinfektim i duarve përpara ndërhyrjeve përbënte një total prej 361 €/muaj.
Në rastin e Italisë “Assosistema” është shoqata tregtare që përfaqëson kompanitë që shesin shërbime të sterilizimit, ndër të cilat edhe spitale. Kostoja mesatare vjetore e parashikuar sipas kësaj kompanie për secilën ndërhyrje të vetme të sterilizimit e cila është është 48,35 €. Te dhënat për sterilizimin në Itali “Faktoje” i gjeti përmes kolegëve italianë të factchecking.
Kush paguan për energjinë elektrike të shpenzuar nga koncesionari i sterilizimit?
Nga kërkimet mbi PPP e sterilizimit “Faktoje” u informua se një ndër shpenzimet me peshë të konsiderueshme shkon për energjinë elekrike. Kërkuam informacion nga Ministria e Shëndetësisë se sa janë shpenzimet e kompanisë “Sani Service” për energjinë elektrike, por çuditërisht në 2 qytete kjo faturë paguhet nga buxheti i spitaleve. Sipas Ministrisë për periudhën 2016-2019 kompania “Sani Service” ka paguar për energjinë elektrike në QSUT në total 30,496,396 lekë .
Përgjigja nga Ministria e Shëndetësisë
Po sipas Ministrisë së Shëndetësisë pagesat për energjinë elektike për Durrësin dhe Lushnjën bëhen nga vetë spitalet.
Siç shihet nga tabela, vetëm spitali i Durrësit ka paguar thuajse 4.5 milionë lekë të reja në 2018-n për energjinë elektrike.
Spitali i Lushnjes rezulton të ketë paguar thuajse 3.5 milionë lekë të reja vetëm për 10 muaj të vitit 2019, ç’ka do të thotë se shifra në fund të vitit ka qenë edhe më e lartë.
Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë shkruhet se në spitalin e Lushnjës shërbimi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale filloi punën në shtator 2018 në zbatim të kontrates së lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Saniservice Sh.p.k .
Në sqarimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet: “Në qendrat e Back-up, përveç qendrës Back-up të QSUT-se, Autoriteti (dmth Spitali ne rastin tonë) i siguron Koncensionarit energji elektrike, ujë, avull, impiante, etj. me shpenzime në ngarkim të autoritetit.”
Në ambientet e Sterilizimit pranë Spitalit Lushnje kryhet përpunimi (sterilizimi i paketave) edhe për spitalet Fier, Berat, Korçë, Pogradec, Ersekë.
Po Gjermania sa paguan për energjinë elektrike
Nga të dhënat që “Faktoje” siguroi nga “Qendra përgjegjëse për sterilizimin dhe paisjet mjekësore” në Gjermani është se për sterilizimin e 1220 instrumenteve kirurgjikale në një muaj kostoja e energjisë elektrike është 120 €.
Çfarë ka gjetur KLSH për sterilizimin:
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2018 thuhet se nga auditimi për përmbushjen e përgjegjësise të FSDKSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) për PPP e sterilizimit vlera e shërbimit është rritur 954 milionë lekë ose 84% krahasuar me 2017-n. KLSH vëren se strukturat përgjegjëse nuk janë vënë në lëvizje për të analizuar faktorët që çuan në këtë rritje të paparashikuar të shpenzimeve, duke lënë një deyrim të prapambetur prej 306 milionë lekësh.
Ajo që duhet theksuar është fakti se numri i ndërhyrjeve gjatë periudhës 2015-2018 ka shënuar rritje.
Duke iu rikthyer qëllimit me të cilin qeveria justifikoi nismën për sterilizimin që po u kushton taksapaguesve, “Faktoje” bëri edhe një verifikim nëse ishte ulur numri i infeksioneve post-operatore, por verifikimi tregoi se ulja e numrit të infeksioneve ishte sa gjysma e pritshmërive dhe se shifrat e ministrisë së Shëndetësisë nuk bazoheshin në një regjistër, por në disa studime të cila kjo ministri ende nuk na i ka vendosur në dispozicion.
/Inva Hasanaliaj/ Faktoje.al