Arlind Hyseni alias Shpend Mazari, 34 vjeç, lindur në Pukë, është ekstraduar nga SHBA, njoftoi këtë të mërkurë Policia.
Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendim datë 02.06.2005 e ka dënuar me 25 vite burgim, për veprat penale “Vjedhja, me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Vrasja në Tiranë
Ngjarja për të cilën ai është dënuar, ka ndodhur më datë 12 korrik 2004, rreth orës 03:00. Sipas hetimeve, Arlind Hyseni me Florian Muçën, pasi janë marrë vesh më parë me njëri-tjetrin, kanë shkuar te shtëpia e të dëmtuarit Myrteza Sade dhe, pasi kanë vënë në kokë kapuçat, kanë kapërcyer murin rrethues dhe janë futur në oborrin e banesës private, në rrugën “Besa” në Tiranë. Florian Muça mbante në dorë një thes, ku kishte futur automatikun e tij, një copë litar, një thikë dhe një ngjitëse, të cilat ia kishte dhënë më parë Arlind Hyseni, ndërsa ky i fundit ishte i armatosur me një pistoletë. Pasi kanë lënë thesin në oborr, ata i janë drejtuar hyrjes së banesës dhe Arlind Hyseni, pasi ka hapur derën, ka hyrë në dhomën e gjumit, ndërsa Florian Muça me automatik në dorë ka qëndruar në korridor, ku po flinte viktima Genci Sade. Kur Arlind Hyseni ka hyrë në dhomën ku flinin të dëmtuarit Myrteza dhe Hatixhe Sade, personi tjetër pjesëmarrës në krim ka dëgjuar të bërtiturat e një gruaje, prej të cilave është zgjuar viktima Genci Sade, i cili ka kapur automatikun që mbante në dorë grabitësi.
Në kohën që Arlind Hyseni ka dalë nga dhoma e gjumit të çiftit Sade, duke u përleshur me to, bashkëpunëtori në grabitje ka mbushur automatikun dhe ka qëlluar, sepse viktima Genci Sade nuk po ia lëshonte armën. Më pas, Floriani ka dëgjuar të shtëna pistolete pranë vendit ku ishte parkuar makina e pronarëve dhe më pas ka parë viktimën Genci Sade që është rrëzuar përtokë. Pasi kanë kapërcyer murin rrethues të banesës, dy personat kanë dalë në rrugë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të bregut të lumit, ku kanë hedhur armët dhe kanë djegur rrobat, në mënyrë që të fshihnin gjurmët e krimit.
Gjatë rrugës, Arlind Hyseni i ka treguar bashkëpunëtorit tjetër se personat me të cilët ishte përleshur, i kishin hequr maskën, prandaj ai kishte qëlluar dhe në oborrin e shtëpisë i kishte mbetur njëra atlete, ndërsa Floriani i ka treguar të akuzuarit tjetër se thesin që kishte me materiale e kishte lënë në oborrin e banesës. Të nesërmen, i gjykuari Florian ka shkuar në Elbasan te shtëpia e xhaxhait të tij, ku edhe është arrestuar, ndërsa Arlind Hyseni iu fsheh drejtësisë, për tu arrestuar vitë më pas në SHBA.
Policia ka marrë njoftim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në korrik 2004 dhe, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, ka rezultuar se nga kjo ngjarje e rëndë ka mbetur i vdekur viktima Genci Sade, është plagosur rëndë i dëmtuari Myrteza Sade dhe është e plagosur lehtë e dëmtuara Hatixhe Sade. Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka dërguar në gjyq Florian Muçën dhe Arlind Hysenin, duke i akuzuar ata për veprat penale të vjedhjes me pasojë vdekjen të kryer në bashkëpunim, vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Për këto akuza, ata u dënuan respektivisht: Arlind Hyseni u dënua me burg përjetë, por nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 25 vjet, kurse Florian Muça u dënua me 25 vjet heqje lirie.
Grabitjet në SHBA
Para ekstradimit në Shqipëri, Arlind Hyseni ka vuajtuar një dënim me burg në SHBA. Në vitin 2013, ai u dënua me nëntë vjet heqje lirie në një burg federal në SHBA. Vendimi u dha nga Gjykata e North Jersey.
Arlind Hyseni, 31 vjeç, pranoi se ka grabitur dy degë bankash amerikane në fund të vitit 2011, njërën në Clifton dhe tjetrën në Wallington në SHBA. Pranimi i akuzave nga shqiptari u pohua edhe nga avokati i Hysenit, J. Paul Fishman, raportonte asokohe gazeta e qytetit “Northjersey”.
Sipas prokurorëve, shqiptari që njihej edhe me emrin Shpend Mazari, në datën 2 nëntor 2011 përvetësoi 286 mijë dollarë nga grabitja në njërën bankë. Më vonë, më 30 dhjetor 2011, shqiptari akuzohet se ka grabitur edhe 182 mijë dollarë nga banka tjetër në Wallington.
Avokati i Arlind Hysenit tha se klienti i tij ka përdorur një maskë gjatë këtyre ngjarjeve dhe një pistoletë. Gjykata vendosi ndaj tij një gjobë 25 mijë dollarë, ndërsa shuma tjetër e parave ishin gjetur në shtëpinë e tij.
Shtetasi shqiptar u arrestua në SHBA, fillimisht si person i kërkuar nga Interpoli me një vendim gjykate nga Shqipëria, që e ka dënuar atë me 25 vjet burg për vrasjn e ndodhur në Tiranë, në vitin 2004.
Pas përfundimit të dënimit me nëntë vjet burg në SHBA, për grabitjen e bankave, Arlind Hyseni u esktradua në Shqipëri.