Partizani-Tirana/ Policia publikon masat, rrugët që do të bllokohen dhe itinerari për grupet e tifozëve

Në lidhje me derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, Policia e Tiranës nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditura masat e marra për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, e cila zhvillohet ditën e sotme, ora 19:00.

Në këtë njoftim Policia njofton bllokimin e disa rrugëve pranë stadiumit ku do të luhet edhe ndeshja, si dhe ka zbuluar itinerarin që do të ndjekin dy grupimet e tifozëve të skuadrave respektive.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Tiranë
“Masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes sportive “Derbi” që do zhvillohet në stadiumin “Air Albania”. Në zbatim të ligjeve të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit në aktivimin sportiv futbollistik Partizani – Tirana që do të zhvillohet në datën 13.12.2019, ora 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, në të gjithë territoret jashtë stadiumit dhe në të gjitha rrugëkalimet. Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e qarkullimit të mjeteve nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, në segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara:
• Sheshi “Nënë Tereza”;
• Pjesë të segmentit të rrugës “Lek Dukagjini”;
• Rruga “Dervish Hima”;
• Përreth stadiumit “Air Albania” ;
• Do të kufizohen rrugëkalimet gjatë kohës së kalimit të tifozëve të Partizanit dhe Tiranës.

Po kështu kërkon mirëkuptimin e tifozëve të Sport Klub Partizanit dhe Sport Klub Tirana që të zbatojë kërkesat e mëposhtme:

  1. Tifozët e Sport Klub Partizanit do të grumbullohen tek 21 Dhjetori dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga:
    • 21 Dhjetori;
    •ura “Vasil Shanto”;
    •kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit”,
    • rruga “Sulejman Delvina”;
    • Libri Univeristar;
    • Presidenca drejt për tek COIN;
    • Hyrjet tek tribuna N dhe E të stadiumit dhe anasjelltas;
  2. Tifozët e Klub Sport Tirana do të grumbullohen te Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga;
    • Ministria e Brendshme, Pedonalja;
    •rruga “Xhorxh Bush”;
    •Ura e Elbasanit, rruga e “Elbasanit”;
    • Ambasada e SHBA-së;
    • Kthim në rrugën “Dervish Hima;
    • Kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari”;
    • Tribuna “S” dhe kthim anasjelltas;

Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ.

Ndaj shkelësve do të zbatohen me korrektësi dhe përgjegjësi kërkesat e akteve ligjore në fuqi”.

 

LEXO EDHE  Rama ngatërron punët dhe në Malin e Zi, takon Nikë Gjeloshajn/ Zbardhen detajet