Nga Boldnews.al
Olsian Çela mori një mandat të fortë si Prokuror i Përgjithshëm, me 101 vota deputetësh, nga maxhoranca socialiste dhe një pjesë e konsiderueshme e “opozitës së re” parlamentare. Ai është zyrtari i parë, i zgjedhur në mënyrë të përpiktë sipas parashikimeve të Reformës në Drejtësi.
Çela merr drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme në një kohë shumë të vështirë për institucionin e Akuzës, për shkak i procesit të rrëmujshëm e të gjatë të Vetingut, si edhe keq-adminstrimit nga Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku.
Olsian Çela prezantoi platformën më bindëse para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, krahasuar me dy rivalet e tij, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj. Megjithatë, sfidat reale të tij do të jenë gjatë ushtrimit të mandatit 7-vjeçar.
Sfida 1-“Refuzimi” i politikës
Reforma në Drejtësi parashikoi një seri mekanizmash, për të shmangur sa më shumë ndikimin e politikës në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Qëllimi final ishte pikërisht shmangia e drejtuesit të institucionit të Akuzës nga presioni politik.
E, pikërisht, kjo është sfida e parë dhe kryesore e Olsian Çelës në krye të institucionit. Historia e pluralizimit ka treguar se Prokurorët e Përgjithshëm, si produkt politik, e kanë pasur të vështirë të veprojnë të pavarur nga klasa politike.
Në ato raste kur ish-Prokurorët e Përgjithshëm kanë vendosur që të zbatojnë rigorozisht ligjin për persona të veshur me imunitet dhe pushtet politik, aty ka nisur edhe rënia e tyre.
Tashmë, mekanizmat e Reformës në Drejtësi, kanë reduktuar kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, por nga ana tjetër kanë krijuar siguri për të vijuar punën i pashqetësuar nga politika.
Fryma e institucionit të Prokurorisë, në çdo kohë dhe në çdo vend, është ajo e titullarit. Ndaj, Olsian Çela, me një mandat të fortë dhe me siguri më të madhe në ushtrimin e detyrës, ka si sfidë primare pikërisht garantimin e prokurorëve për “refuzimin” e politikës në hetimet konkrete.
Mbajtja larg e politikës, sidomos presioneve të saj, u jep më shumë frymëmarrje dhe hapësirë prokurorëve që të hetojnë lirshëm e të vendosin para përgjegjësisë penale këdo zyrtar të përfshirë në abuzimin me pushtetin.
Reforma në Drejtësi ka krijuar një ndarje mes prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm, nën kompetencën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorisë Speciale-SPAK, e cila ka për kompetencë hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.
Megjithatë, pavarësisht kësaj ndarjeje, Prokuroria me juridiksion të përgjithshëm ka sërish mundësi për t’u përballur me politikën. Kompetenca e “juridiksionit të përgjithshëm” janë abuzimet në tendera e prokurime publike, në tatime, në dogana, në Kadastër, shëndetësi, arsim, e në shumë fusha të tjera që qarkullojnë financa publike.
Në çdo hetim për këto raste, nuk është aspak çudi që prokurorët e “juridiksionit të përgjithshëm” të përballen me eksponentë politikë, për sa kohë që administrata publike karakterizohet nga “militantizmi” dhe “emërimet me bazë partiake”.
Pra, sfida primare e Prokurorit të Përgjithshëm është ajo e “refuzimit” të politikës në hetime, është një element vendimtar për ecurinë e hetimeve.
Dhe një “provë zjarri” personale e Olsian Çelës, në drejtimin e zyrës, pritet të jetë qasja e tij përballë paketën kontroverse “Anti-KÇK” (Kap Çfarë të Kapësh), e prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama.
Paketa “Anti-KÇK”, në formatin e publikuar në media, ka problematika shumë të theksuara dhe bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale e ligjin “Antimafia”, si edhe rrezikon të kthejë Shqipërinë në një “shtet policor”.
Prokurori i Përgjithshëm, brenda kompetencave të tij, ka të drejtën e nxjerrjes së Udhëzimeve për të gjithë prokuroritë e “juridiksionit të përgjithshëm”. Në rast miratimi të paketës “Anti-KÇK” në formatin aktual, do të vendosë Çelën para dilemës nëse duhet ta pranojë atë apo të orientojë prokurorët për të zbatuar parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.
Çela njihet si profesionist në radhët e Prokurorisë. Por, vendosja në postin e Prokurorit të Përgjithshëm, mund ta vendosë shpesh në dilema, si kjo e “Anti-KÇK”.
Sfida e dytë-mbështetje prokurorëve
Procesi i Vetingut dhe mandati i përkohshëm i Arta Markut ka krijuar një amulli të konsiderueshme në radhët e Prokurorisë.
Kjo situatë i ka shndërruar prokurorët, në rastin më të mirë, në “vulnerabël” para presioneve dhe në rastin më të keq “të bindur” ndaj kërkesave jo-ligjore të titullarëve apo palëve të treta jashtë sistemit të drejtësisë, përfshirë politikën dhe krimin e organizuar.
Aktualisht, Prokuroria, megjithë problemet e saj, ka nën hetimin shumë dosje delikate, përfshirë ato që pritet t’i kalojnë SPAK-ut, por edhe shumë të tjera që lidhen me abuzimet e pushtetarëve, ku mund të përmendet edhe ajo e Unazës së Re.
Gjatë mandatit të përkohshëm të Arta Markut, prokurorët që po ndiqnin dosje të rëndësishme, nuk gjetën mbështetje prej saj. Madje, në disa raste, një pjesë e tyre janë “penalizuar” me transferime apo nisje procedimesh disiplinore e penale.
Prokurori i Përgjithshëm, megjithëse nuk ka kompetencë për të ndërhyrë në çështje konkrete, ka të gjithë mundësitë për të mbështetur prokurorët, si me mbrojtje institucionale përballë presioneve të jashtme, ashtu edhe me infrastrukturë, logjistikë e ekspertizë, të cilat mundësojnë kryerjen e hetimeve të shpejta e të plota për çështje komplekse e me impakt publik.
Olsian Çela, në fjalën e tij prezantuese para stafit të Prokurorisë së Përgjithshme, përmendi, ndër të tjera, se “do të jetë prioritet ndjekja e hetimeve për ngjarjet e ndodhur në fund të nëntorit 2019), duke iu referuar pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit 2019.
Disa prokurori lokale, në qarqet e dëmtuara më rëndë nga lëkundjet sizmike, kanë nisur hetimet, sidomos për cilësinë e ndërtimeve. Në terma më të thjeshtë, këto hetime mund të prekë edhe atë që konsiderohet rëndon si “mafia e ndërtimit”.
Veprimet proceduriale kundër të ashtëquajturës “mafia e ndërtimit”, natyrisht, do të hasin në pengesa, por pse jo edhe presione të natyrave të ndryshme. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm, ka një rol shumë të rëndësishëm për mbështetjen e hetimeve të plota dhe të shpejta.
Sfida e tretë-politika penale
Olsian Çela, në prezantimin e tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, deklaroi se “prokuroria është treguar e fortë me më të dobëtit”. E, në fakt, politika penale ndjekur nga institucioni i Prokurorisë është treguar e rreptë me ata që vjedhin energjinë elektrike, që bëjnë ndërtime pa leje, për drejtim mjeti pa patentë.
Është treguar e rreptë ose të paktën i ka trajtuar në mënyrë të barabartë si personat që kapen me 5 gram hashash, ashtu edhe ata që arrestohen me qindra kilogramë drogë.
Kjo qasje, aspak komode, e prokurorisë ndër vite, u konsiderua nga vetë Çela si ndër prioritetet e tij. Tashmë, pritet për t’u evidentuar në praktikë se cilat do të jenë Udhëzimet e tij për politikën penale të dënimit, por sidomos edhe të masave të sigurisë, në një kohë që ambjentet e paraburgimit janë mbipopulluar me individë, për të cilët mund të aplikoheshin penalitete alternative.
Sfida e katërt-raportet me median
Olsian Çela, si prokuror i Krimeve të Rënda, njihet si person i hapur me median, brenda hapësirës që mund t’i lejonte sekreti hetimor. Kjo qasje e tij personale, me shumë mundësi, do të vijojë edhe në ushtrimin e detyrës së re, në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.
Aktiviteti i Prokurorisë, për shkak të specifikës së punës së saj, ka një interes të shtuar në opinionin publik.
Prokuroria nga ana e saj, ka qenë gjithnjë nën “traun e ekuilibrit” mes sekretit hetimor dhe interesit publik, sidomos për çështje sensitive. Gjatë dy viteve të mandatit të përkohshëm të Arta Markut, tendenca e institucionit ishte drejt mbylljes së kanaleve të komunikimit.
Komunikimi zyrtar institucional me median, e më tej me publikun, u bunkerizua. Gjithësesi, mbyllja e ndërveprimit prokurori-media nuk i ka penguar gazetarët që të sigurojnë informacion dhe të raportojnë jo vetëm për çështje hetimore, por edhe për problematika të institucionit.
Në disa prej këtyre rasteve, Prokuroria e drejtuar nga Arta Marku, aplikoi mekanizmat e dështuar të “urdhërimit për mos-publikimin e sekretit hetimor” dhe “nisjen e procedimeve për nxjerrje sekreti hetimor”, ku nuk përjashtoheshin edhe gazetarët.
Tashmë, është sfidë e Olsian Çelës që të rikthejë ekuilibrin prokurori-media, si edhe të sigurojë mekanizmat për realizimin e transparencës institucionale, me qëllim informimin e publikut dhe llogaridhënien para qytetarëve.