Nga Av Sinan Tafaj
Neni 21 i Kushtetutës ka përcaktuar se ‘’Jeta e çdo shtetatsi mbrohet me ligj’’, pra shteti ka përgjegjësi të marrë masat, të sigurojë jetën e personit nga çdo rrezik i mundshëm nëpërmjet parashikimeve ligjore. Po në rastin e tërmetit, a ka detyrim shteti të ndërmarrë veprimet e duhura? Sigurisht që këto masa janë marrë nëpërmjet ligjit, vendimeve të qeverisë, urdhërave dhe udhëzimeve të organeve të vartësisë.
Thënë më thjesht, çdo ndërtim duhet të jetë i garantuar nga mosshembja për çdo lloj shkaku, qoftë edhe për atë të tërmetit.
A është fajtor qytetari që ka blerë një apartament të rregjistruar në hipotekë sipas ligjit? Padyshim që jo. Po kush është fajtor atëherë? Padashur të hyjmë në hollësira, rregjistrimi në hipotekë bëhet pas lejes së shfrytëzimit. Pra a mban përgjegjësi kryetari i bashkisë dhe zyrat që kanë dhënë lejen e shfrytëzimit? Po kryetari i KRRT që ka dhënë lejen e ndërtimit? Po konstruktori që ka bërë projektin? Po inxhinieri specialist që e ka çertifikuar truallin si të vlefshëm për tu ndërtuar? Pra që nuk ka asnjë vështirësi për të shkuar në rrënjët e përgjegjësisë dhe të fajtorëve.
Në kohët e fundit populli po ulëret kundër politikës, e sidomos kundër mazhorancës qeverisëse. Kultura e pandëshkueshmërisë krijuar si mentalitet edhe në kokën e qytetarit, është kthyer në një aset të vyer për të abuzuar e përfituar, jo vetëm pa masë, por edhe dhunshëm nga pushtetmbajtësit.
Përse qeveria nuk propozon një ligj të veçantë për të lehtësuar dhe forcuar masat, për të hetuar dhe për të gjetur përgjegjësitë tek kryetarët e bashkive, zyrat e urbanistikës ligjore, ALUIZNIT apo anëtarët e qeverisë, përfshirë dhe Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit? Nuk do ti kushtonte asgjë qeverisë nëse në këtë moment do të shtonte organikën e oficerëve të policisë gjyqësore pranë prokurorisë, për të thelluar e përfunduar sa më shpejt procesin e hetimit dhe gjykimin e veprave penale. Po përse nuk bëhet? Vërtet nuk i ka shkuar mendja, apo nuk i ka 300-400 mijë euro buxhet? Jo, arsyeja është shumë e thjeshtë. Hetimi penal në fushën e ndërtimit, rrezikon të zbulojë rrënjët e thella të korrupsionit në fushën e ndërtimit. Politika me djallëzinë e saj, synon jo vetëm ta mbulojë, por edhe të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, duke marrë në duart e saj monopolin e të drejtës dhe së vërtetës, duke shpallur se do të miratohet një ligj i rreptë, ku përgjegjësit do të dënohen nga 7-15 vjet burg. Popullit i krijohet ideja sikur ky burg do të vlejë për të gjithë fajtorët përgjegjës në këtë katastrofë, por politika nuk thotë në të vërtetë se ky ligj sipas të drejtës penale nuk i shtrin efektet tek fajtorët e sotëm, dhe nëse vlen, do të vlejë vetëm për të ardhmen. Një tjetër arbitratitet për ti mbuluar rrënjët e korrupsionit në fushën e ndërtimit, është dhe shembja me shpejtësi e godinave të rrënuara. Nxitimi për ti shembur pa filluar hetimi, pa u marrë provat, është i qartë. Shembja shërben pikërisht për të mbuluar rrënjët e thella të korrupsionit. Në pamje të parë shpejtësia për të nxjerrë një ligj shumë të rreptë dhe nxitimit për të shembur godinat, tek qytetari i thjeshtë krijohet ideja e një efiçence dhe përkujdesjeje të madhe dhe angazhimi serioz. Në fakt, është pikërisht e kundërta. Fare thjeshtë mund të pyesim, ç’punë prishin ndërtesat që tashmë janë të shembura? Pse ato duhet të zhduken para fillimit të hetimit? Pse vërtet është krijuar kuadri ligjor, dokumentacioni administrativ dhe praktika për të filluar ndërtimin brenda 1 jave apo 10 ditësh? Pse nuk lihet kohë për të hetuar? Pse nuk merren masat për të mbështetur prokurorinë, që të veprojë me shpejtësi dhe efiçencë? Është interesante se pa asnjë lloj studimi social,kriminologjik, flitet për një masë 7-15 vjet burg. Ç’do të thotë kjo masë penale kaq e rëndë? Kush e përcakton? Po i ndjeri Kuvend ashtu siç është, a është shprehur për të? Pra, injorimi i organit kompetent, që duhet të vendosë për ndryshime në kodin penal dhe vendimmarrjet drastike në duart e ekzekutivit, jo vetëm që pasqyrojnë vërtetësinë e mosekzistencës së shtetit ligjor, por ka në thelb qëllimin për t’iu shmangur përgjegjësive penale e civile që qeverisja ka, dhe padyshim të mbulojë rrënjët e korrupsionit në fushën e ndërtimit. Një formë tjetër jo vetëm e mbrojtjes por edhe e përkëdheljes, është edhe deklarimi se fajtorët duhet të rikuperojnë dëmin, pra duhet të paguajnë, ndryshe do të shkojnë në burg. Ç’është kjo fuqi prej Zeusi që eklipson drejtësinë, duke paradhënë vendimin e gjykatës, dënimin me para dhe shmangjen nga burgu. Pra shihet qartë që e gjithë veprimtaria e politikës është vënë në shërbim të mbrojtjes së fajtorëve, që në thelb është mbrotja e veprimtarisë kryesore kriminale, ku janë pastruar paratë, që është pikërisht fusha e ndërtimit.
Solidariteti dhe dhimbja njerëzore kanë qenë dhe janë aq të mëdha, sa kanë tronditur shpirtin dhe vëmendjen e çdo qytetari, me përjashtim të kriminelëve, të cilët jo vetëm nuk ndjejnë përgjegjësinë, por edhe janë të qetë e të mbrojtur. Qytetarët, solidaritetin dhe dhimbjen do ta ndjejnë për një kohë të gjatë dhe për pasojë, përqëndrimi i tyre te shkaku i vërtetë i vdekjes dhe shkatërrimit, do të mbeten të një rëndësie dytësore. Intelektualët, ekspertët dhe politikanët opozitare kanë rastin të provojnë me kontributin e tyre konkret, se janë kundër krimit dhe pro shtetit ligjor, por mbrojtjes së jetës së shtetasve, ashtu siç thuhet dhe në nenin 21 të Kushtetutës.